E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, pyetje shtesë për situatën politike

Kriza politike, KE 900 pyetje shtesë për Shqipërinë. Bregu: "Vetëm 170 pyetje janë të reja"

TIRANË - Paqëndrueshmëria politike prej 9 muajsh për shkak të krizës midis mazhorancës dhe opozitës për transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare ka bërë që Komisioni Europian t'i adresojë Shqipërisë 900 pyetje të reja, ku më shumë se 90 prej tyre janë dërguar për kapitullin e kriterit politik.


Këto pyetje të reja dërgohen nga institucioni i KE-së, me qëllim që Shqipëria të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, veçanërisht kriterin politik, që është edhe elementi kryesor për marrjen e statusit të vendit kandidat.


Ndërsa qeveria shqiptare pohon se janë dërguar 170 pyetje, burime jo zyrtare nga Ministria e Integrimit thonë se në total janë rreth 900 pyetje shtesë të dërguara nga Komisioni Europian. Paketa e pyetjeve shtesë përbën rreth 40-45 % të numrit të paketës së parë të 2284 pyetjeve, përgjigjet e të cilave u dorëzuan në muajin prill nga qeveria shqiptare.


Por, ajo që bie në sy është fakti se 90 pyetje janë dërguar për situatën politike në vend nga 120 që ishin dërguar në fillim. Kjo tregon qartë se Komisioni Europian do të përfshijë në hartimin e opinionit për statusin kandidat edhe kriterin politik, gjë të cilën qeveria shqiptare e ka anashkaluar duke thënë se Shqipëria nuk gjendet në krizë politike dhe se situata e tanishme nuk do të merret parasysh nga KE-ja.


Një aspekt tjetër, ku Brukseli shfaq shqetësimin e tij, është se edhe përgjigjet që janë dhënë nga administrata shqiptare për 2284 pyetjet, është vënë re subjektivizmi i atyre që përgatitën përgjigjet. Kjo gjë mendohet të ketë ndikuar në numrin e madh të pyetjeve shtesë, i cili është një numër shumë herë më i madh në raport me shtetet, që e kanë kaluar këtë proces, si Maqedonia dhe Mali i Zi, kur ky i fundit ka pasur vetëm 600 pyetje shtesë.


Duke iu referuar situatës aktuale politike në Shqipëri, Komisioni Europian, kërkon përgjigje edhe për vendimet e Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare, si dhe për dekretimet e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të bëra së fundmi nga Presidenti i Republikës.


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pranoi dje faktin se ecuria e situatës politike ka ndikuar mjaft për adresimin e pyetjeve të reja, ndërsa vuri në dukje se janë dërguar nga KE vetëm 170 pyetje.


"Në total ne kemi identifikuar deri tani jo më shumë se 170 pyetje të reja, të cilat s'mund të quhen shtesë pasi duke iu referuar kohës, në të cilën pyetësori është dorëzuar e deri tani ka pasur zhvillime të tjera, për të cilat KE-ja kërkon tani përgjigje. Për shembull ka pyetje të cilën e kemi numëruar si të re që i përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare.


Sigurisht që debatet politike gjatë këtyre muajve kanë bërë që Komisioni të kërkojë edhe këtë lloj informacioni", - tha dje Bregu. Ajo vuri në dukje se përveç pyetjeve për situatën politike dhe emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, KE ka kërkuar edhe përkthimin e Kodit Penal nga gjuha shqipe në atë angleze, ndërsa shtoi se është kërkuar informacion edhe për komisionerin e antidiskriminimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›