Rama: Opozita do të vazhdojë kauzën e saj

Rama nënvizoi se të gjithë ata persona që aludojnë me grevën e urisë janë njerëz që janë të blerë nga shumica në pushtet për të artikuluar, sipas tij, gjëra të paqena
TIRANË - Në protestën e djeshme të opozitës, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se pavarësisht qëndrimit refuzues të mazhorancës për hapjen e kutive të votimit, opozita do të vazhdojë kauzën e saj deri në arritjen e qëllimit final.
Ai vuri në dukje se opozita nuk mund të pranojë mënyrën sesi po qeveriset vendi sot. Rama specifikoi se rruga për arritjen e objektivit të opozitës është e shkurtër dhe i gjithë ky aksion politik, sipas tij, është në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
"Ne nuk mund ta pranojmë këtë projekt të pamundur për Shqipërinë, e për këtë arsye jemi në këtë betejë. E për këtë arsye ne kemi zgjedhur këtë rrugë, e për këtë arsye ne as do të zmbrapsemi dhe as do të ndalemi në këtë rrugë. Unë ju garantoj se rruga që kemi përpara për ta realizuar atë që kërkojmë, është më e shkurtër se rruga që kemi lenë pas.
Unë ju garantoj se në këtë rrugë ne i bëjmë një shërbim të madh atdheut tonë, i bëjmë një shërbim të madh shoqërisë, i bëjmë një shërbim të madh çdo qytetari dhe qytetareje", - tha dje Rama.
Ai u shpreh edhe për qëndrimin e shumë intelektualëve në vend, të cilët kanë dalë kundër grevës së urisë dhe aksionit politik të opozitës. Rama nënvizoi se të gjithë këta persona që aludojnë me grevën e urisë, janë njerëz që janë të blerë nga shumica në pushtet për të artikuluar, sipas tij, gjëra të paqena.
"Çdo ditë në të gjitha rrugët e komunikimit me publikun shfaqen njerëz, të cilët ushqehen dhe e ushqejnë familjet e tyre me gënjeshtrën, me shpifjet, me fyerjet. Shfaqen njerëz që për të mbrojtur oborrin e pushtetit, thonë të pavërteta nga më të neveritshmet.
Njerëz, të cilët e kanë shitur lirinë e tyre tek oborri i pushtetit dhe për interesat e një oborri, çdo ditë thonë të pavërteta nga më të neveritshmet për ata që në këtë grevë urie nuk kanë hyrë për veten e tyre, por kanë hyr për mënyrën sesi ata dhe të gjithë ne duam ta jetojmë jetën tonë në këtë vend, që është vendi ynë i përbashkët", - u shpreh ai.
Kryesocialisti hodhi poshtë edhe akuzat që janë bërë ndaj zhvillimit dhe ecurisë së deritanishme të grevës së urisë. Sipas Ramës, çdo kush që hedh akuza ndaj grevistëve se ata ushqehen gabohet rëndë, pasi, sipas tij, tendat e grevës së urisë janë të monitoruara në çdo moment dhe se vetë analizat e bëra në spital tregojnë të kundërtën e saj që pretendon mazhoranca.
"Ato analiza dëshmojnë të vërtetën e madhe që as goja e shthurur e këtij pushteti nuk e shtrembëron dot, sado të nxjerr gënjeshtar e gënjeshtra në rrugët e komunikimit. E sado të tentojë të provojë të kundërtën, që nuk ka sesi provohet.
Pasi e gjithë Shqipëria, i gjithë opinioni publik, të gjitha sytë e kamerave, që janë drejtuar nga kjo çadër, tregojnë orë e çast të kundërtën", - nënvizoi Rama. Ai shtoi se edhe vetë ndërkombëtarët tashmë e kanë kuptuar se vota e 28 qershorit është vjedhur dhe se hapja e kutive të votimit do të ndryshojë mirëqeverisjen e vendit.