Kushtetuesja, tre gjyqtarët e Topit "provim" para deputetëve

Komisioni i Ligjeve miraton tre dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
TIRANË - Se kanë pasur aspak të lehtë tre emërimet e presidentit Bamir Topi për në Gjykatën Kushtetuese të kalojnë dje provën në Komisionin e Ligjeve.
Kjo jo për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore, që kërkon emërimi në një detyrë kaq të rëndësishme dhe për të cilat duhet të përgjigjen në një seancë të tillë pyetjesh, por sepse atyre iu është dashur të tregojnë përgatitjet e tyre edhe për teoritë fillestare të jurisprudencës që mësohen në bankat e shkollës.
Pavarësisht se bëhej fjalë për tre emra që kanë në rastin më të keq 16 vite eksperiencë në gjyqësor, Altina Xhoxhaj, Vangjel Kosta dhe Bashkim Dede janë marrë në "provim" nga deputetët e Komisionit të Ligjeve, që në disa raste s'kanë lidhje fare me fushën e drejtësisë.
Seanca
Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar dje seancën dëgjimore me tre emrat e dekretuar nga kreu i shtetit Bamir Topi si anëtarë për Gjykatën Kushtetuese. E gjithë seanca dëgjimore është investuar në një seri pyetjesh që pak kishin të bënin me kriteret ligjore, dhe që më së shumti ishin pjesë e një testimi profesional.
Kështu, që në fillim deputeti Enkelejd Alibeaj i drejtoi gjyqtarëve të dekretuar plot 17 pyetje, duke filluar që nga ato nëse Gjykata Kushtetuese është pjesë e sistemit gjyqësor, dhe për të vijuar më pas me ato për marrëdhënien President-Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve kushtetues, arsyet e numrit të lartë të ankimimeve në këtë gjykatë, afatet e paraqitjes së çështjeve në të, procesi i legjitimimit të palëve, jurisprudenca e huaj, etj.
Një mënyrë e tillë testimi ka acaruar jo pak tre të dekretuarit, të cilët në disa raste nuk kanë munguar ta shfaqin hapur pakënaqësinë për mënyrën e trajtimit nga ana e deputetëve.
Madje gjyqtarja Altina Xhoxhaj e ka pasur të vështirë ta përmbajë disa herë veten, duke mos nguruar të shpjegojë se disa prej këtyre pyetjeve mund tu përgjigjej kur ti jepej pëlqimi nga ana e Kuvendit dhe jo tani në stadin e gjyqtares së shkallës së parë.
Presioni
Megjithatë një sërë pyetjesh të bëra nga deputetë të tjerë të mazhorancës kanë shërbyer që gjyqtarët e propozuar të bëjnë të ditura eksperiencën dhe të shkuarën e tyre profesionale dhe atë familjare.
Kështu pyetjes së deputetes Mesila Doda, nëse kishte marrë pjesë në procese politike, gjyqtari Vangjel Kosta iu është përgjigjur se "proceset politike u besoheshin personat që kishin eksperiencë dhe që ishin të anëtarësuar në parti në atë kohë.
Fakti që unë isha i ri dhe nuk kisha as këtë kriterin e dytë kam qenë jashtë atij procesi përzgjedhës në atë kohë". Por tre të dekretuarit nuk e kanë pasur aspak të lehtë ti përgjigjeshin një pyetje tjetër të këtij karakteri të bërë nga deputeti Gent Strazimiri, i cili kërkoi prej tyre mendimin se nëse mund të konsiderohej pjesëmarrja e gjyqtarëve apo prokurorëve në proceset politike një cenim i rëndë moral.
Ndërkohë që një pyetje tjetër që ngjalli interes edhe për shkak të përgjigjes ishte ajo e deputetit Dashnor Sula, i cili kërkoi të dijë prej gjyqtarëve nëse gjatë karrierës së tyre kishin pasur ose jo ndërhyrje apo presione nga politika apo individë të ndryshëm.
Ndërsa, Xhoxhaj mohoi të kishte pasur raste të tilla, dy kandidatët e tjerë pohuan qartësisht se fakti i të jetuarit në Shqipëri nuk i kishte lënë jashtë këtyre fenomeneve.
"Për sa i përket presioneve apo ndërhyrjeve nga autoritetet shtetërore ne jetojmë në Shqipëri dhe të gjithë e dimë që ndërhyrjet bëhen nga të gjitha anët", - tha gjyqtari Bashkim Dede.
Në përfundim të seancës, kreu i komisionit Ilir Rusmali i ka dhënë shpresa tre të emëruarve se do të mund të merrnin pëlqimin prej kuvendit, kur i ka thënë se urimet për punën e re do t'i merrnin, pasi të votoheshin në seancë.
Seanca
Alibeaj: Dua një shpjegim kushtetues mbi marrëdhënien President Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve kushtetues?
Xhoxhaj: Meqenëse nuk ka dispozita të veçanta që e rregullojnë këtë marrëdhënie, mendoj se është presidenti ai që ka të drejtën të përzgjedhë kandidaturat dhe kuvendi ka të drejtën të vërë vulën. Nuk e di si ka qenë procedura më parë, por mendoj se presidenti ka kryer një procedurë transparente. Opinioni im është që këtë marrëdhënie e rregullon Kushtetuta.
Alibeaj:A ka të drejtë gjyqtari kushtetues t'i futet oportunitetit të vlerësimit të një akti normativ?
Xhoxhaj: Unë nuk jam gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, por jam gjyqtare e gjykatës së shkallës së parë dhe për rrjedhojë nuk mund t'u jap përgjigje
Alibeaj: Cili është opinioni juaj mbi afatin e paraqitjes së ankimit në GJK. Pra, a mund të paraqitet ankimi para se akti të hyjë në fuqi?
Xhoxhaj: Mendoj që jo. Duhet të hyj një herë në fuqi dhe pastaj të fillojë procedura e ankimimit
Alibeaj: Gjykata Kushtetuese a përfshihet në sistemin gjyqësor?
Dede: Kushtetuta parashikon se kjo gjykatë nuk përfshihet në sistemin gjyqësor, por unë duke lexuar ligjin është një rast përjashtimor, ku ajo përfshihet në këtë sistem. Bëhet fjalë për rastet kur ajo prish vendimet e gjykatave të tjera
Alibeaj: Sa i rëndësishëm është për ju procesi i legjitimimit të palëve në një proces gjyqësor. Dhe në këtë kuadër një formacion politikë i përfaqësuar në kuvend dhe që për arsye të ndryshme nuk merr pjesë në procesin legjislativ të një ligji mund ta godasë atë në gjykatë?
Dede: Kushtetuta, ligji dhe rregullorja e kanë përcaktuar qartë subjektet që mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe thotë se duhet 1/5 e deputetëve. Në këto akte nuk është e parashikuar se çfarë janë këta 1/5 janë ata që nuk kanë marrë pjesë apo ata që kanë marrë pjesë. Kjo varet nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Për opinionin tim nuk dua të shprehem paraprakisht.
Alibeaj: Nëse një seancë gjyqësore në Kushtetuese zhvillohet në Korrik dhe vendimin gjykata e jep në tetor a mundet gjykata që të shqyrtojë fakte që kanë ardhur pas korrikut?
Kosta: Edhe nga eksperienca ime si avokat pranë GJK, kjo e fundit bënë një seancë dëgjimore që nuk lë shumë kohë për shfaqjen e pikëpamjet e palëve. Marrja e provave pas përfundimit të seancës mund ta kushtëzoja me mundësinë që gjatë procesit të para vendimmarrjes ti jepej mundësia e kontestit palës që kanë kundërshtime në mënyrë që të paraqesë dhe ajo opinionin mbi faktin e ri.
Mesila Doda: Shoh që keni qenë gjyqtar nga viti 1983 deri në vitin 1990. Duhet të di nëse keni qenë pjesë e proceseve politike të kohës dhe se keni dhënë vendime për të dënuarit politikë?
Kosta: Nëse shihet me kujdes periudha kur unë kam qenë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë unë sapo kisha filluar punë në fillim të vitit 1983 dhe besoj se është i kuptueshëm lehtësisht që proceset politike u besoheshin personave që kishin eksperiencë dhe që ishin të anëtarësuar në parti në atë kohë. Fakti që unë isha i ri dhe nuk kisha as këtë kriterin e dytë kam qenë jashtë atij procesi përzgjedhës në atë kohë.
Dashnor Sula: Në ushtrimin e tyre të profesionit të gjyqtarit a keni pasur masë procedimi apo vërejtje apo masë disiplinore?
Dede: Unë punoj 17 vjet në gjyqësor dhe s'kam pasur asnjë herë masë disiplinore dhe as që jam diskutuar ndonjë herë për një gjë të tillë
Sula: A keni pasur ndonjë herë presion nga ndonjë institucion apo nga politika për ndonjë çështje konkrete?
Dede: Për sa i përket presioneve apo ndërhyrjeve nga autoritetet shtetërore ne jetojmë në Shqipëri dhe të gjithë e dimë që ndërhyrjet bëhen nga të gjitha anët. Detyra e gjykatësve është që të qëndrojë larg këtyre ndërhyrjeve dhe presioneve dhe të zbatojë vetëm ligjin.
Sula: Në Kushtetutë është e përcaktuar se gjyqtarët e ushtrojnë detyrën e tyre për një periudhë 9-vjeçare. Por, kur u mbaron mandati ata duhet të vazhdojnë detyrën deri sa të zëvendësohen. Ju duket normale?
Dede: Besoj se ligjvënësi ka parë të arsyeshme që të mos ketë boshllëk në këtë institucion, por mendoj se duhet të përcaktohet një kohë sa mund të zgjasë një situatë e tillë.
Sula: A keni pasur ndonjë herë presion nga ndonjë institucion apo nga politika për ndonjë çështje konkrete?
Kosta: Për sa i përket ndërhyrjeve dhe presioneve nuk mund të them se s'kam pasur ndonjë herë ndërhyrje në kuptimin e njerëzve, të miqve, të afërmve dhe shokëve. Por, unë jam përpjekur t'i bëj ballë këtyre ndërhyrjeve që ato të mos ndikojnë në punën time si gjyqtar.
Presioni natyrisht është i gjithanshëm, është presioni i opinionit publik, i mediave, i aktorëve politikë, por e rëndësishme është që të mos ndikohesh nga ky presion.
Fatos Hoxha: Emri juaj është e hera e dytë që vjen në Kuvendin e Shqipërisë. Doja t'ju pyesja se cila është pika juaj më e fortë që sa herë që ka propozime ju kapni majat më të larta të propozimeve?
Xhoxhaj: Profesionalizimi dhe integriteti
Gent Strazimiri: A e konsideroni pjesëmarrjen në procese politike gjatë regjimit të PPSH-së si një cenim të rëndë moral të këtyre personave?
Xhoxhaj: Deri në atë kohë mund të ketë pasur gjyqtarë që kanë dhënë vendime ekstreme ashtu si ka nga ata që i kanë kaluar kompetencat që i ka caktuar ligji. Ka pasur edhe gjyqtarë, që kanë dhënë dorëheqjen. S'mund të them nëse kanë qenë të mirë apo të këqij.