KQZ, Ristani: Fletët e votimit do të digjen

E vetmja zgjidhje, sipas Ristanit, është përmirësimi i Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme lokale
TIRANË - Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi dje se zgjidhja e krizës politike përmes ankimit në Gjykatën Kushtetuese dhe shqyrtimi i fletëve të votimit nga Komisioni i Venecias është jashtë kuadrit ligjor. Ristani vuri në dukje se fletët e votimit do të digjen, pasi të jenë dërguar në arkivin e shtetit.
"I vetmi veprim që kryhet nga KQZ-ja është hapja e kutive të votimit, seleksionimi i dokumentacionit që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, dërgimi i tij në arkivin e shtetit dhe djegia e fletëve të votimit dhe kundërfletëve.
Kjo është veprimtaria e përcaktuar me ligj brenda së cilës do të veprojë KQZ-ja dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër jashtë këtij kuadri ligjor", - tha dje Ristani. Sipas kreut të KQZ-së, kjo është procedura që do ndjekë institucioni që ai drejton dhe se afati kohor për një kompromis politik midis forcave politike mbi hapjen ose jo të kutive të votimit nëpërmjet institucioneve si Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, ka mbaruar, ndërsa specifikoi se tashmë ka mbetur vetëm zbatimi i ligjit për djegien e fletëve të votimit.
"E vetmja mundësi që ka qenë për t'ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka qenë kërkesa për rinumërimin e votave të caktuara, kërkesë e cila u rrëzua nga KQZ-ja dhe u la në fuqi nga Kolegji Zgjedhor. Pas kësaj, në rast se do të kishte ndonjë pretendim për shkelje të të drejtave të njeriut apo shkelje të tjera kushtetuese ekzistonte mundësia e ndjekjes së rrugës në Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë moment që është nuk shoh rrugë tjetër veçse zbatimit të ligjit dhe zbatimi i ligjit në këtë moment nuk hap horizont për rrugë të tilla", - u shpreh ai. Sipas Ristanit, e vetmja marrëveshje politike që mund të arrijnë krerët e forcave politike është ndryshimi dhe përmirësimi i Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme lokale.