E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujësjellësi: Dyfishohet cmimi për banorët e Tiranës

TIRANE- Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime kërkon rritjen e cmimit të ujit të pijshem, me anë të një kërkese drejtuar Entit Rregullator të Ujit. Qëllimi kryesor i kësaj kërkese është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Tiranës, nëpërmjet rritjes së investimeve në rrjetin e ujesjellesit. Kërkesa e Ujesjellesit të Tiranës vjen pas 6 vjetësh, ndërsa cmimi aktual i ujit është 20 leke për m3 por dihet që banorët e Tiranës furnizohen me ujë vetëm dy herë në ditë. Tarifat e reja që propozohen nuk janë të njëjta për të gjitha kategoritë, për popullatën Ujësjellësi kërkon rritjen deri në 40 lekë për m3. Ndërsa për entet buxhetore dhe ato private kërkohet një rritje deri në 120 lekë për m3. E vetmja kategori për të cilën Ujësjellësi i Tiranës nuk ka propozuar rritjen e cmimit janë furrat e bukës. Cmimi i ujit të pijshëm për furrat e bukës qëndron i pandryshuar, 95 leke për 1 mijë litra ujë. Ujësjellësi i Tiranës bën krahasim me cmimet e qyteteve si Korca, Pogradeci, Rubiku, Delvina, Lezha Fieri etj ku sic dihet ndërmarrjet e Ujësjellësit në shumë prej këtyre qyteteteve administrohen nga të huajt dhe garantojnë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm.Sipas Ujësjellësit  këto rritje në cmime propozohen pasi ka planifikuar të bëjë disa investime të rëndësishme në ndërtimin e linjave të reja të transmetimit, me qëllim eliminimin e lidhjeve të paligjshme dhe mirëadministrimin e burimeve të ujit.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›