BE, qëndrim për krizën politike
Erald Kapri
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të mbajnë një qëndrim për krizën politike në Shqipëri. Axhenda e punimeve të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të 27 vendeve anëtare në Luksemburg ditën e hënë, përmban edhe një diskutim për situatën në Shqipëri. Duke iu referuar Ballkanit Perëndimor, në axhendën e publikuar te Këshilli i Ministrave të BE-së, thuhet se ministrat e jashtëm do të diskutojnë edhe për përpjekjet që kanë bërë krerët e grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Daul dhe Schulz, për t'i dhënë fund krizës politike në Shqipëri. "Për Shqipërinë, këshilli do të diskutojë për situatën politike në sfond të përpjekjeve lehtësuese të nismës së ndërmarrë nga krerët e dy grupeve parlamentare të PPE-së dhe PSE-së, Daul dhe Schulz, të cilët janë mbështetur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Cathrin Ashton dhe komisioneri Fule", thuhet në axhendën e diskutimeve të 27 ministrave të Jashtëm të BE-së. Referuar agjendës së diskutimeve nga ministrat e jashtëm të BE-së, pritet që Këshilli të diskutojë dhe të mirëpresë rezultatet e takimit të nivelit të lartë, ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sarajevë. Java e ardhshme pritet të ketë zhvillime të arenën politike shqiptare, e cila duket se i ka kthyer sytë nga Brukseli për gjetjen e zgjidhjes. Vetëm pak ditë më parë u bë e ditur ekzistenca e një drafti propozimesh nga BE, për zgjidhjen e krizës politike. "Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t'u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin të dyja partitë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje", ka deklaruar zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Victor Boshtinaru. Ende nuk është konfirmuar mundësia e një vizite të krerëve politikë shqiptarë në Bruksel, për nënshkrimin e këtij drafti për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri.