E Shtunë, 31 Tetor 2026

Index Paniku

Ervin Bushati

Daljet e shpeshtuara së fundmi të Qeverisë dhe ligjvënësve për të servirur mënyra të ndryshme të financimit të deficitit buxhetor dhe rritjes së ndjeshme të borxhit publik, kanë vënë në qendër të vëmendjes një nga pikat më vulnerable të financave publike në Shqipëri. Ndryshimi i optikës nga një rurobond suksesi në një huamarrje paniku ngre pikëpyetje strategjike mbi qartësinë dhe ardhmërinë e gjendjes sonë ekonomike të përbashkët. Sot është shteti "Borxhliu i Sëmurë" që po infekton edhe sektorin privat, në një kthesë të rrezikshme të ekonomisë sonë.
Thatësira financiare e detyron Qeverinë të rrisë huamarrjen e brendshme në një "index paniku" me 856% larg normalitetit; kjo vetëm në 4 muajt e parë të 2010. Për këtë mjafton të shikosh tabelën e publikuar nga Ministria e Financave për treguesit fiskalë deri në prill dhe planifikimin për huamarrjen e brendshme në këtë periudhë. Ky borxh i frikshëm është shenjë e qartë e panikut financiar dhe qeverisës që ka kapur zotin Berisha. Investimet private dhe kreditimi i biznesit bllokohen në këtë mënyrë nga Qeveria, që asfikson ekonominë në vend.
Etja e Qeverisë për likuiditete është dëshpëruese, sidomos kur Qeverisë i mungojnë nga arka e shtetit 10 miliardë lekë që në 4-mujorin e parë të 2010. Qeveria thith tërë likuiditetin monetar nga tregu bankar, duke lënë në thatësirë ekonominë private, e cila vuan nga mungesa e investimeve dhe kredive, për shkak të Qeverisë. Në këtë situatë aspak të këndshme për financat publike, nuk ndihmon as "dështimi me sukses" në mundësinë e humbur, përsëri si në 2009, për të dalë në tregjet financiare ndërkombëtare. Tërheqjen nga eurobondi e deklaruan disa zëra: por çuditërisht përsëri, jo Kryeministri e as ministri i Financave Publike.
Zhvillimet e fundit me shtyrjen drejt kalendave-greke të eurobondit prej 400 milionë euro, e rëndon së tepërmi stresin financiar të Qeverisë prej shterimit të parasë në treg. Huamarrja e brendshme, nën vëmendjen e veçantë nga Banka Qendrore, ashtu si dhe shit-blerja e detyruar e Hotel "Dajtit", tregon si për dëshpërimin e Ministrisë së Financave për para, ashtu edhe për implikimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në skema financiare piramidale me kosto të larta për parametrat makroekonomik të vendit. është pak e çuditshme koincidenca e një shit-blerje me "shkuesi", ku monedha nuk është ajo kombëtare dhe shuma mesatarisht e barabartë me premtimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve në 1 korrik.
Dyshja Berisha-Bode "harron" të shpjegojë se huamarrja e brendshme që është rritur frikshëm, 8 herë më tepër se parashikimet e zotit Bode, e asfikson biznesin vendës. Këto fonde që i hiqen tregut të investimeve në vend nuk e ndihmojnë aspak gjendjen e investimeve private në ekonomi; etja e pamat për para nga shteti shteron fondet e bankave për të dhënë kredi ndaj biznesit në vend.
Efektet negative të kësaj situate të sikletshme, përveç erozionit të kredibilitetit të Qeverisë në daljen e parë në tregjet financiare, janë: tharja e likuditetit për kredinë private dhe biznesin, si dhe një risk i shtuar mbi bankat që operojnë në vend, në rast të një tronditjeje të thellë financiare të Qeverisë. Sot mbi 2/3 e borxhit publik mbulohet nga operatorë të brendshëm. Në këto raste nuk janë të paimagjinueshëm as skenarët e një zhvlerësimi të lekut, për të lehtësuar borxhet e Qeverisë nëpërmjet printimit të një sasie shtesë paraje.
Përplasja me Bankën Botërore së fundmi si me çdo faktor tjetër ndërkombëtar, është një ogur aspak i mirë për mënyrën se si po shkojnë financat publike dhe ekonomia shqiptare në këtë periudhë krize. Parashikimet e fundit të Qeverisë mbi të ardhurat fiskale nuk janë realiste, kjo sipas Bankës Botërore; investimet publike nuk janë të menduara mirë dhe vështirë se nxjerrin fitimin e duhur për të mbuluar interesat e borxhit publik. Mosprezenca e një programi me FMN, ashtu si dhe përkeqësimet fiskale të kohëve të fundit sipas konstatimeve të reja të Bankës Botërore, e kanë ka brejtur tërësisht besueshmërinë e politikës ekonomike të Qeverisë Berisha, që së fundmi ka rënë pre e panikut financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›