PE: Kemi draftin që zgjidh krizën
Parlamenti Europian ka përgatitur një draft marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, të cilën do t’ia paraqesë Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama për ta firmosur. Këtë e bëri të ditur dje Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Victor Boshtinaru, gjatë një prononcimi për “Top Channel”. Krerët e Partive Popullore Europiane dhe Partisë Socialdemokrate në Parlamentin Europian janë mbledhur dje në një takim pa praninë e mediave, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e krizës, ndërkohë që kanë hartuar edhe një variant për paktin mes forcave politike në Tiranë. “Nëse do të arrihet një marrëveshje, atëherë dy grupet politike europiane do ta firmosin atë me dy liderët, Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist Rama. Por nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian, nëse unë jam informuar mirë dhe besoj që e di mirë këtë situatë, të dy grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi edhe atë për regjimin e lirë të vizave”, është shprehur Boshtinaru. Zyrtari i lartë i delegacionit të Parlamentit Europian tha se Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, janë në dijeni të paktit që kanë hartuar, ndërkohë që shtoi se nëse drafti nuk do të pranohet, kjo do të ketë ndikim për të ardhmen e vendit, në një moment që në zyrat e Brukselit po diskutohet heqja e regjimit të vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat. “Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t’u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin dy partitë. Ato duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje”, theksoi më tej Boshtinaru. Në të njëjtën kohë zv.kryetari i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian tha se nuk ka përse të përsëritet një tjetër darkë, si ajo në Strasburg mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama. “Nëse drafti pranohet, ai do të firmoset shpejt edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe Komisioni gjithashtu”.
Kukan
Në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme Partitë Popullore Europiane dhe Partia Socialdemokrate janë përfaqësuar nga kryetarët dhe nënkryetarët e tyre, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan. I pyetur në përfundim të takimit, ai nuk pranoi të jepte detaje, por shtoi se palët duhet të arrijnë marrëveshjen mes tyre, pasi po dëmtohet e ardhmja e vendit. “Po bëjmë ç’është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së. Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshje. Ne duhet t’i inkurajojmë e t’i shtyjmë ata me mirësjellje që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq, sepse deri tani s’kemi asnjë lajm prej tyre që të kenë arritur marrëveshje”, është shprehur Kukan. Takimi mes krerëve të grupeve parlamentare të majta dhe të djathta në Parlamentin Europian vjen në një moment kur ka kaluar çdo afat për zgjidhjen e krizës dhe arritjen e një marrëveshjeje mes kreut të maxhorancës dhe atij të opozitës.
Fyle: Kriza të zgjidhet para vizave
Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle deklaroi dje se shpreson në zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, para se vendimi për liberalizimin e vizave t’i kalojë për miratim Parlamentit Europian, në muajin shtator. Sipas komisionarit Fyle, Parlamenti Europian diskuton gjerësisht për gjendjen e vendeve, por shtoi se shpreson që situata politike të mos ndikojë në liberalizimin e vizave. Në lidhje me këtë, ai tha se situata duhet të zgjidhet para votimit në Parlamentin Europian. “Ne po punojmë fort për të ndihmuar PE-në dhe veçanërisht liderët e dy grupimeve kryesore të familjes europiane, në krijimin e një kuadri për gjetjen e kompromisit për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Kam shpresa se do të arrijmë në një zgjidhje, pasi ekziston vullneti për kompromis nga të dyja palët, përpara se vendimi të merret në PE dhe KE mbi regjimin e vizave. Shpresoj vërtetë shumë që nuk do të lindë nevoja se kjo do të pengohej nga ndonjë lidhje që çdokush mund të bëjë mes situatës politike dhe vendimit për regjimin e lirë të vizave”, tha Fyle. Duke iu referuar liberalizimit të vizave, pavarësisht propozimeve të Komisionit Europian, Fyle tha se Parlamenti mund të adresojë çështje komplekse politike, çka mund të krijojë vakum. “Propozimi i komisionit përcakton të dy vendet dhe varet nga vendet anëtare dhe Parlamenti Europian, që të adresojnë çështjet komplekse politike në mënyrë që këto vendime të mos hyjnë në vakum dhe besoj se ju e vlerësoni korrektësinë time politike për t’iu drejtuar në mënyrën e duhur çështjes që ju pyetët në lidhje me ngërçin politik në Shqipëri”, tha komisioneri Fyle.