E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekuiem për një filozofi

Tritan Shehu

Duke përjetuar ngjarjet e muajve të fundit në vendin tonë, me kënaqësi konstaton se tashmë ka ardhur koha për të shkruar rekuiemin e një filozofie e praktike revolucionare. Unë do të thosha se sot Shqipëria është më stabël, se institucionet tona janë shumë më solide, se demokracia është më e maturuar qoftë edhe në krahasim me një vit më përpara. Së paku kjo u demonstrua dhe u vërtetua qartësisht në këto 10 muaj tentativash për destabilitet nga njëra anë si dhe refleksioni e qëndrimi të përgjegjshëm jo vetëm të maxhorancës, por të shumicës dërmuese të opinionit tonë publik nga ana tjetër. Përfundimi i kësaj historie “luftërash” i vërtetoi pritshmëritë tona, tregoi maturitetin e vendit tonë, tregoi që anëtarësimi në NATO ishte krejt i merituar, që pjekuria për hapat e mëdha drejt BE është arritur.
Italianët thonë: “Jo çdo e keqe vjen për të dëmtuar”. Në rastin tonë ndodhi pikërisht kështu. Lidershipi i lartë i PS përpunoi menjëherë mbas humbjes se zgjedhjeve politike një strategji të gjerë revolucionare, një lëvizje anarkiste, rrugë e bojkoti për të goditur institucionet, dëmtuar imazhin e vendit e progresin e tij si drejt hapësirës Shengen, ashtu edhe drejt BE. Me këtë u synua një përmbysje me dhune e rendit kushtetues, e inspiruar kjo nga kujtimet e vitit 1997, në rast dështimi të kësaj, “plagosja” e zgjedhjeve të ardhshme lokale. I gjithë ky mekanizëm ishte i lidhur në mënyrë direkte me përpjekjet për forcimin e pozicioneve radikale brenda PS. Por në një kohë të shkurtër kjo strategji dhe filozofia inspiruese e saj dështuan plotësisht. Bojkoti tashmë përfundoi, grupi parlamentar i PS në mënyrë shumë pozitive i është kthyer normalitetit, gjë që ka dhënë efekte të mira në tërësi. Po kështu, kampingu i çadrave në qendër të Tiranës u hoq për 15 minuta, sikur t’i përkiste ndonjë tribune nomadësh, skuadronet e bllokimit të rrugëve u shkrinë si kripa, protestat “masive” u transformuan në grupime 200-300 punonjësish të Bashkisë së Tiranës, thirrjet për luftë në…!? Në tërësi kjo u shndërrua në një betejë politike, ku fitoi demokracia, pjekuria, jo vetëm e maxhorancës apo ë PD, por e shumicës se opinionit publik shqiptar.
Ne ato ditë të gjithë ishim dakord së ndodhitë po dëmtonin rëndë imazhin i vendit. Dhe kjo ishte e vërteta. Në realitet ky ishte dhe një nga qëllimet kryesore të asaj lëvizjeje. Dështimi i këtij “Ce Gevarizmi” sot ka krijuar një efekt krejt të kundërt me atë që kërkonin të arrinin autorët e tij. Imazhi i vendit në të vërtetë nuk doli i cenuar, përkundrazi. Institucionet tona, të cilat u respektuan, dolën më të forta, vendi doli shumë më stabël. Opinioni ynë publik, politika jonë demonstruan shumë më tepër pjekuri, përgjegjësi se disa vite më parë, duke izoluar, bllokuar dhe bërë të dështojnë filozofi e praktika, që bien ndesh me principet e vlerat e demokracisë, me interesat e vendit. Opinioni ndërkombëtar, duke e kuptuar qartësisht thelbin e problemit, u bë një mbështetje e fuqishme e demokracisë, ligjshmërisë e institucioneve tona. Deklarata e fundit e Z. Steinberg, krejt në sintoni me ato nga Brukseli e Strasburgu, e rikonfirmuan ketë qëndrim. Të gjitha këto tregojnë se tashmë vendi është i maturuar për hapat e mëtejshme në rrugën e integrimit europian.
Së fundmi, nga e gjithë kjo “lëvizje revolucionare”, drejtuesve të PS u ka ngelur vetëm një retorike agresive dhe një konfuzion idesh. Unë jam i bindur se këtë retorike ata do ta vazhdojnë dhe për disa muaj, duke e lidhur me elementet e tjerë, që përmenda. Në radhë të parë kjo është e lidhur me tentativën e pritshme të tyre për të dëmtuar zgjedhjet e qeverisjes vendore, gjë që vjen nga perceptimi i humbjes. është absurde, por reale, nëpërmjet presioneve të tilla, në rrugë jo demokratike, lidershipi i PS synon në radhë të parë të “rifitojë” Tiranën. Pa dyshim këtu vazhdojnë të mos përjashtohen edhe pasojat e luftës së brendshme politike në PS, veçanërisht tashti pas dështimit të plotë të filozofisë e praktikës së saj revolucionare.
Sidoqoftë në këtë fazë gjerat janë shumë më të qarta për të gjithë dhe pa dyshim edhe më të thjeshta në zgjidhje. Falimentimi i praktikave radikale e ekstremiste në të gjitha analizat, mund e duhet të forcojë përpjekjet racionale dhe të moderuara brenda PS. Ajo parti tashmë ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për analiza e reflektime të thella. Unë mendoj se ky është momenti më i mirë për t’i realizuar këto hapa demokratike. Në radhë të parë PS duhet t’i përshtatet ambientit të ri shqiptar, opinionit tonë publik, që reaguan me aq pjekuri. Ka nevojë për t’u ngritur në nivelin e standardeve tona aktuale të zhvillimit, të emancipimit të vendit, të nivelit të politikes shqiptare në përgjithësi, që ishin shkaqet kryesore të dështimit të një filozofie të tillë revolucionare. Nqs ajo parti nuk dëshiron të ngelë si një fosile, duhet t’i afrohet këtij realiteti, realitet që gjithmonë dhe më tepër po i njësohet atij të vendeve të BE. Ky është një mësim e përfitim i madh, që ajo forcë politike duhet të nxjerrë nga rrënimi i aventurizmit të saj politik.
Në realitet në këto kushte kjo rrugë është e pashmangshme për të, kjo përputhet me interesat saj, të vendit në përgjithësi, të të gjithëve. Sa më shpejt të ndodhin ndryshimet brenda saj, aq më i vogël do të jetë dhe çmimi politik që do të paguajë. Një proces i tillë reformues do të eliminonte edhe rrezikun e aventurave të reja në prag të zgjedhjeve lokale. Sidoqoftë, kjo që ndodhi tregon se koha e revolucioneve, dhunës së rrugës, bojkoteve, filozofive e praktikave të tilla në vendin tonë ka përfunduar. Ky është epilogu i “gëzueshëm” i një aventure dhe konfirmimi i qartë i dominimit të një mentaliteti të ri, të një epoke të re, ku ne jemi futur këto vitet e fundit. Këto janë nga ana tjetër edhe notat muzikore me të cilat duhet të shkruhet rekuiemi i asaj filozofie të tejkaluar. Ky është dhe mesazhi optimist i këtij rekuiemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›