Berisha: Ta lëmë Ramën dhe bllokmenët e rinj në kuti
Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Pogradeci, nga ku inauguroi një shkollë në Komunën Udënisht, se kreu i opozitës Edi Rama, së bashku me mbështetësit e tij, kërkon që të ndalë procesin e liberalizimit të vizave. "Si karnavalë të vërtetë ngritën çadrat para Kryeministrisë dhe Parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave", tha Berisha, i cili para qytetarëve të Pogradecit shtoi se "le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt drejt Europës, me mundin dhe djersën tonë, me reforma".