E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, qetëson gjakrat mes Rusisë e Ukrainës

Bashkimi Evropian nisi dje bisedimet për finalizimin e një marrëveshjeje mbi monitorimin e volumeve të gazit që do të bëjë të mundur rivendosjen e furnizimit me gaz përmes territorit ukrainas, i ndërprerë për ditë me radhë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimet dhe sasitë e transportuara. Kryeministri çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit mbulon tani presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, i tha Kryeministrit rus, Vladimir Putin, se do të qëndrojë personalisht në rajon aq gjatë sa të nevojitet për të siguruar rivendosjen e furnizimit të Evropës me gazin rus.

Mirek Topolanek po negocion ngritjen e një misioni vëzhgues të përbërë nga përfaqësues të BE-së, Ukrainës e Rusisë me qëllim monitorimin e volumeve të gazit që rrjedhin përmes territorit ukrainas, për të vërtetuar akuzat ruse, sipas të cilave Ukraina devijon në fshehtësi një pjesë të volumeve për llogari të sajën, akuzë që Kievi e hedh poshtë me këmbëngulje. "Do të mbetem në rajon deri në rivendosjen e furnizimit me gaz", i tha Topolanek Kryeministrit Vladimir Putin në fillim të takimit.

Mosmarrëveshjet mes Moskës e Kievit shpunë në ndërprerjen drastike të volumeve që transportohen për në Evropë, gjë që shkaktoi mbylljen e disa fabrikave në Evropën Lindore dhe me mosbesimin gjithnjë e më të madh mbi Rusinë në cilësinë e partnerit energjetik. Nga ana tjetër, mosmarrëveshja, e nisur në çastin kur Rusia dhe Ukraina nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët mbi çmimet, ka shtuar tensionet mes dy ish-shteteve sovjetike. Rusia akuzoi Ukrainën për korrupsion dhe vjedhjen e gazit të destinuar drejt Evropës, ndërsa Kievi tha se veprimet ruse qenë një shantazh i pajustifikueshëm për t‘i rritur Ukrainës çmimin e shitjes së gazit. Që të dyja shtetet i hedhin poshtë akuzat.

Prania e misionit monitorues përgjatë rrugëve të transportit do sigurojë Moskën se nuk do ketë devijime të paligjshme në territorin ukrainas. Kryeministri rus, Vladimir Putin, tha pas takimit me Kryeministrin çek, Mirek Topolanek, se po kërkonte rrugët për ta zgjidhur ngërçin, por se Ukraina ia vështirësonte përpjekjet. "Pavarësisht faktit që ju po përpiqeni personalisht ta zgjidhni krizën, ajo veç po thellohet", i tha Putin Topolanekut. "Shpresoj se ia keni dalë të bindni partnerët në Kiev të nënshkruajnë dokumentacionin e nevojshëm".

Edhe në rast se rivendosen flukset e gazit, me shumë gjasa do të furnizohet vetëm Evropa, jo Ukraina, teksa Kievi dhe Moska duhet ende të bien dakord mbi kontratat e këtij viti. Rusia ka përsëritur vazhdimisht se Ukraina duhet të paguajë me çmimet e tregut aktual gazin me të cilin furnizohet nga Rusia.

Bashkimi Evropian merr nga Rusia një të katërtën e volumit të përgjithshëm të gazit nga Rusia, 80 për qind e të cilit kalon përmes territorit ukrainas. Deri tani nga mbyllja e rubineteve ruse janë ndërprerë furnizimet në 18 shtete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›