E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE rrezikon ‘paralizimin’ nga dështimi i qeverisë ceke

 

Dështimi dhe dorëheqja e qeverisë çeke në kohën që po mban Presidencën e bashkimit Evropian, po kërcënon një krizë të re për marrëveshjen e qeverisjes së Bashkimit Evropian, duke tërhequr vëmendjen e bllokut nga përballja me recesionin. Kryeministri çek, Mirek Topolanek ka dorëzuar dje dorëheqjen, pasi humbi votëbesimin gjatë votimit të 24 marsit në Parlamentin e vendit të tij, duke ngritur një pengesë të madhe për miratimin e marrëveshjes nga ligjvënësit në Pragë. Kjo është një pengesë e re, përveç një referendumi në Irlandë, vendi i vetëm që ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen. Edhe pse dha dorëheqjen, Topolanek u shpreh se “Situata nuk do të prekë Presidencën çeke”. Megjithatë kjo mund të mbetet vetëm në kuadër të dëshirës, pasi presidenca çeke që tani i ka prekur interesat e bllokut që janë në varësi të votës unanime dhe ratifikimeve në Parlamentet e vendeve përkatëse për çdo vendimmarrje. Dje Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans Gert Pottering deklaroi se Presidenca çeke do të gëzojë gjithë mbështetjen e Parlamentit Evropian në punën e saj. “Situata e brendshme politike në Republikën Çeke nuk do të pengojë presidencën çeke. Puna do të vazhdojë. Parlamentit Evropian do të mbështesë kryeministrin e Republikës Çeke, njëherazi edhe President i Këshillit të Evropës, që Presidenca çeke të jetë e suksesshme”, tha Pottering. Pas humbjes së votëbesimit opozita kërkoi që kryeministri çek, Topolanek, të mos japë dorëheqjen deri në përfundim të mandatit të Presidencës çeke të BE-së në qershor të këtij viti dhe krijimin deri atëherë të një qeverie ekspertësh. Sidoqoftë, dështimi i qeverisë ka paralizuar drejtimin Çekisë në mes të presidencës gjashtë mujore të BE-së, duke hapur një vakum politik në periudhën përgatitore të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian dhe një betejë mbi postet e larta të BE-së në qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›