E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania: Ligji i Prokurorisë prek pavarësinë e gjyqësorit

 

Zyra e Jashtme në Britaninë e Madhe ka publikuar raportin e saj të 11-të, që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, kësaj radhe për vitin 2008. Për sa i përket Shqipërisë, raporti mes të tjerash thekson korrupsionin si problemin kryesor në Shqipëri, i cili mbetet si pengesa më e fortë për respektimin e të drejtave të njeriut në vend. Në raport thuhet se në Shqipëri vihet në dyshim pavarësia e institucioneve nga qeveria, sidomos Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm pas një projektligji të propozuar nga qeveria, për të cilin debatohet ende. Raporti i ekspertëve britanikë ka ngritur dyshime të forta mbi respektimin e ligjeve të punës, punësimit të fëmijëve, kushteve të shëndetit dhe sigurisë në punë etj, të cilat janë evidentuar pas tragjedisë së Gërdecit.  Edhe pse palë e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, Shqipëria vazhdon ta ketë të vështirë të zbatojë legjislacionin dhe reformat në disa zona. Respektimi i të drejtave të njeriut është pika kryesore e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Korrupsioni mbetet një çështje serioze në Shqipëri dhe paraqet një nga pengesat më të mëdha të të drejtave të njeriut në vend. Britania e Madhe ka themeluar një sërë projektesh për të ndihmuar në luftën kundër këtij fenomeni, përfshirë punën për të rritur transparencën dhe llogarinë në procesin e regjistrimit të pronave. Shqipëria ka marrë një ftesë për anëtarësimin në NATO, në samitin e Bukureshtit në prill. Progresi i Shqipërisë përkundër angazhimeve për planin e veprimit për anëtarësimin, që përfshin edhe respektimin për të drejtat e njeriut, njihet. Në vitin 2008 Shqipëria ratifikoi protokollin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me heqjen e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat dhe ka rishikuar Kodin Ushtarak në këtë kuadër.
Qeveria shqiptare ka bërë disi progres në reformën elektorale në përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në verën e vitit 2009, por mbetet ende për të bërë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Në prill qeveria dhe partitë opozitare kanë rënë dakord për ndryshime kushtetuese për të vendosur një sistem të ri elektoral. Me gjithë vështirësitë të mëtejshme, Kodi Elektoral është miratuar me mbështetje të gjerë në nëntor. Miratimi i mëparshëm i këtij kodi është esencial për zgjedhje të lira dhe të drejta në vitin 2009. Britania e Madhe ka    siguruar fonde për të llogaritur rregullisht, sondazhe të pavarura të opinionit në muajt para zgjedhjeve, për të rritur transparencën në fushatën elektorale. Reformat juridike kanë bërë më pak progres. Ajo që të bie në sy është se disa masa të qeverisë, dhe veçanërisht projektligji mbi Prokurorin e Përgjithshëm kanë vënë në pikëpyetje pavarësinë e zyrës së prokurorit dhe institucioneve të tjera të pavarura.  Përgjegjësia e autoriteteve kombëtare për të garantuar të drejtën e jetës është nxjerrë në pah nga një seri shpërthimesh në një depo municionesh në Gërdec, ku 26 njerëz u vranë, përfshirë edhe disa fëmijë. Çështja e Gërdecit ka ngritur edhe çështjen e punësimit të fëmijëve, ligjeve të punës dhe standardeve të shëndetit dhe të sigurisë. Prokuroria e Përgjithshme vazhdon të hetojë mbi rrethanat e kësaj tragjedie dhe rezultati i hetimeve pritet të shihet së shpejti. Edhe trafikimi i njerëzve mbetet problem dhe raportimet e fundit ndërkombëtare tregojnë se ka ende gjëra që qeveria duhet të bëjë për të luftuar këtë problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›