AMC, pjesë e nismës “Qytet i gjelbër, qytetarë të shëndetshëm”
Nisma e Bashkisë së Kamzës: “Qytet i gjelbër, qytetarë të shëndetshëm”, është mbështetur nga kompania celulare AMC, e cila bëhet pjesë e këtij projekti në kuadrin e kontributeve të saj sistematike në shoqëri dhe veçanërisht në shërbim të mjedisit. Përgjatë gjithë “Bulevardit Blu” të qytetit të Kamzës do të mbillen 600 rrënjë bliri, dhuruar nga kjo kompani, në kuadër të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra dhe angazhimit për qytetarë të shëndetshëm. Pemët do të gjelbërojnë bulevardin në një gjatësi prej 2 km, nga rreth-rrotullimi i qendrës në Bulevardin Blu, deri tek Universiteti Bujqësor. Mbjellja e pemëve ka filluar disa ditë më parë, ndërkohë që sot për të parë nga afër ecurinë e punës për gjelbërimin e qytetit ka shkuar drejtori ekzekutiv i AMC, Stefanos Oktapodas, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu. Drejtori ekzekutiv i AMC, në emër të kompanisë që ai drejton shprehu kënaqësinë e veçantë për kontributin në fushën e mjedisit dhe veçanërisht të gjelbërimit të qytetit të Kamzës. “Siguroj kryetarin e Bashkisë si dhe banorët e Kamzës, - deklaroi Oktapodas,- se AMC do të vazhdojë t’ju mbështesë pasi është gjithmonë pranë komunitetit jo vetëm me shërbimet dhe produktet që ofron, por duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke kthyer kështu një pjesë të besimit që na është dhënë prej tyre”.