E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH shkel Kodin e Punës, hedh në rrugë 110 punonjës

 

KESH shkel me të dyja këmbët Kodin e Punës dhe hedh në rrugë 110 punonjës të policisë elektrike në të gjithë vendin. Që prej dy muajsh nuk jepet asnjë përgjigje për mënyrën si do të trajtohen ata pas reformës së ndërmarrë. Largimi me motivacionin se shërbimi i kontrollit të energjisë, në bazë të ligjit do të ristrukturohet është krejtësisht në rregull. Por mesa duket për drejtuesit e KESH, Kodi i Punës i cili citohet dhe në urdhrin për ndërprerje të kontratës, leverdis të lihet në harresë. Madje indiferentizmi e arroganca arrin deri aty sa e vetmja përgjigje që këta punonjës marrin çdo ditë nga zyrat e drejtorisë, është “Prisni”. Ish-inspektorët e policisë elektrike nuk kërkojnë asgjë më shumë se ajo që u takon. “Nëse bëhet fjalë për një reformë, ajo duhet kryer në bazë të ligjit”, sqarojnë ata, pjesa më e madhe e së cilëve kanë mbi 5 vite punë në vartësi të KESH. Por nuk mbyllet këtu. Menjëherë pas shkrirjes së shërbimit të kontrollit të energjisë elektrike, e cila në total kishte rreth 180 punonjës, u ngrit një e re. Në “Departamentin e arkëtimit të debive” janë mbajtur një pjesë e punonjësve të vjetër rreth 50 persona. Fillimisht u tha se do të kishte testim e do të vendoseshin kritere mbi arsimimin, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Trajtimi “Ca të nënës, ca të njerkës” vlen edhe për korporatën energjetike shqiptare. Gjithsesi duke iu referuar Kodit të Punës dhe përjashtuar aludimet, ligji përcakton” Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se 3 vjet. Shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një pesëmbëdhjetëditëshi për çdo vit pune të plotë, që llogaritet me pagën e vitit të fundit të punës. Këtij shpërblimi i shtohet shpërblimi që jepet në rastin e zgjidhjes së kontratës për shkaqe të arsyeshme”, saktësohet në nenin 145 të Kodit të Punës. Por minimalisht këtë, nën drejtuesit e KESH ose e kanë harruar ose bëjnë sikur e kanë harruar. Ndërkaq burime të sigurta prej këtij institucioni bëjnë me dije se në 3 muajt e fundit, fill pas ristrukturimit të shërbimit të kontrollit të energjisë, ka rënë ndjeshëm niveli i kontrolleve për lidhje të paligjshme dhe arkëtimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›