Rekorde për “Guinness” në kryeqytetin shqiptar
Rudi Bobrati
Përshtypja që u la një pjese të mirë të banorëve të kryeqytetit rehabilitimi i Parkut “Rinia” dhe i Lanës, ka vite që është shuar. Shumë më pak zgjati impresioni lidhur me fasadat e ndërtesave të banimit, rrugët dhe trotuaret. Ndërsa në rastin e parë ishte koha ajo që ndikoi në këtë proces, pasi sot ajo ecën me një tjetër ritëm, në rastin e dytë, faji qe vetëm i Kryetarit të Bashkisë. “I plasën ujërat” apo “i doli boja”, janë shprehje të përdorura nga opinioni, sa me kuptimin figurativ, aq edhe me atë konkret. Kryetari i Bashkisë mburret me shtrimin e rrugëve dhe trotuareve, shumë prej të cilave, megjithëse kryhen me një kosto jashtëzakonisht të lartë e kryesisht me të njëjtat firma, të përzgjedhura në bazë të interesave të tij financiare e politike, pas një periudhe relativisht të shkurtër, katandisen në një gjendje që lënë kaq shumë për të dëshiruar, me pllaka që lëvizin e thyen dhe me gropa që rishfaqen. Ndërkohë, punimet në kanalizimet e reja janë bërë në një mënyrë të tillë, sa mjafton vetëm një rrebesh shiu që të përmbyten rrugët e trotuaret. Në Tiranë, si në asnjë kryeqytet tjetër, ka kanale të hapura, por edhe puseta që rrezikojnë seriozisht jetën e njerëzve, sepse u mungon kapaku, qoftë si pasojë e vjedhjeve, qoftë nga punimet e tejzvarritura të Bashkisë (kujtojmë se në çdo qytet tjetër të botës, Bashkia do të paditej në rast të një aksidenti të mundshëm dhe qytetari do të dëmshpërblehej me një shumë të konsiderueshme të hollash).
Ndërsa vendi përgatitet për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE, e në një kohë kur Tirana kërkon të bëhet metropol europian, mjafton vetëm një vëzhgim për të kuptuar se, fatkeqësisht rekorde të tilla negative, europiane, e disa, edhe botërore, ka plot në kryeqytetin shqiptar:
Tirana është, ndoshta, kryeqyteti me ajrin më të ndotur në Europë. Qytetarët thithin një sasi disa herë më të madhe tymrash dhe grimcash pluhuri, se banorët e kryeqyteteve të tjera të Europës.
Por është edhe kryeqyteti me ndotjen më të lartë akustike. Në asnjë vend tjetër nuk lejohen boritë e makinave brenda zonave urbane, ndërkohë që, dyqaneve të artikujve muzikorë, diskove, pub-eve etj., nuk u kërkohet vendosja e pajisjeve amortizuese lidhur me volumin e lartë të zërit, apo zhvendosja e tyre në periferi ose jashtë qytetit.
Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë, rrugëve të së cilës, edhe kur qëllon që lahen, nuk u hidhet locion pastrues. E njëjta gjë ndodh me kazanët e mbeturinave lidhur me pluhurin dezinfektues.
Nuk ka kryeqytet tjetër në Europë që të ketë një ndriçim kaq të zbehtë natën, sa Tirana, ndërsa shumë zona të saj periferike janë njësoj si në Mesjetë, pasi ndriçimi mungon krejtësisht.
Tirana është i vetmi kryeqytet në botë ku rrugicat nuk ruajnë karakterin e tyre tradicional, lokal, rezidencial, por shfrytëzohen për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, duke prishur shtëpitë dhe vilat (shikoni, për shembull, vetëm rrugicat që lidhin rrugën “Myslym Shyri” me “Rrugën e Kavajës”).
Si në asnjë kryeqytet tjetër europian, ndërtuesve të pallateve, apo firmave rikonstruktuese të shkollave (disa prej tyre janë edhe pronarë mediash(!)), etj., nuk u është vënë si kusht pajisja e tyre me sistem ngrohjeje qendrore, gjë e cila nuk do të çonte në mbingarkimin e rrjetit elektrik dhe nga ana tjetër, do të kursente energji. Për të mos folur pastaj, për cilësinë e punimeve rikonstruktuese të shkollave e kopshteve: tavane që bien, lagështira që formojnë “harta” e myshk nëpër mure, pikërisht në objekte këto që frekuentohen nga nxënës e fëmijë.
Kryetari i Bashkisë jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të vjetra me vlera kulturore e historike, por përkundrazi, ka lejuar prishjen e tyre, për t’i zëvendësuar me pallate shumëkatëshe, duke dëmtuar në këtë mënyrë memorien historike të kryeqytetit.
Në Tiranë fasadat e pallateve jo vetëm u lyen në mënyrë qesharake dhe jo cilësore, por ky proces, shpeshherë, është shoqëruar me zhdukjen e vulës së kohës kur ato janë ndërtuar. Kujtojmë këtu vërejtjen e një arkitekti të njohur lidhur me Rrugën e Durrësit, ku, si pasojë e lyerjes së fasadave, u uniformizuan në mënyrë të mjerë, duke u fshirë çdo individualitet, ndërtimet e pesë periudhave historike (ndërtimet e kohës së Zogut, të periudhës së pushtimit fashist, ndërtimet me influencë të dukshme sovjetike, të socializmit dhe ato të pas viteve ’90-të).
Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë, ku, në shumicën dërrmuese të rasteve, është ndërtuar pa respektuar as minimumin e hapësirës mes ndërtesave, duke i privuar banorët, sidomos ata të ndërtesave të vjetra, nga drita dhe ajri. Tashmë, realisht me telekomandën tënde mund të ndërrosh kanalet e TV-së së fqinjit.
Por masakra urbane siç është quajtur, bëhet edhe më alarmante, kur kujtohesh se, shfrytëzimi maksimal i sipërfaqeve për ndërtim, pa respektuar asnjë rregull urbanistik apo parametër sigurie, rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve, sepse duke ngushtuar deri në absurd rrugëkalimet dhe rrugicat mes ndërtesave të banimit, makinat e zjarrfikësve, të policisë e të ambulancave, e kanë të pamundur të kalojnë.
Por ky nuk është i vetmi rrezik që u kanoset qytetarëve të Tiranës. Ndërtimi i pikave të furnizimit me karburant, ngjitur me ndërtesat e banimit apo objektet e tjera publike, është një “bombë me sahat” që mund të shpërthejë nga çasti në çast.
I njëjti privim u është bërë edhe fëmijëve e të rinjve, duke ua prishur sheshet e lojërave e këndet sportive, për pallate shumëkatëshe.
Tirana është i vetmi kryeqytet në botë ku nuk është ndërtuar asnjë banesë sociale për të pastrehët dhe qytetarët me të ardhura të pamjaftueshme.
Tirana është kryeqyteti që zë vendin e parë nga fundi, të paktën në Europë, për numrin më të vogël të shkollave, kopshteve e çerdheve, për frymë të popullsisë.
Është i vetmi kryeqytet në botë ku nuk është ndërtuar asnjë parking, nëntokësor a mbitokësor, me kate.
Tirana është i vetmi kryeqytet europian, në rrugët e së cilës vazhdon shitja e produkteve ushqimore nga ana e fshatarëve dhe tregtarëve të vegjël, jashtë tregjeve të aprovuara, në më të shumtën e herës, në kushte të tmerrshme higjieno-sanitare. Po ashtu, në shumë raste, shpezë e bagëti nuk theren vetëm në thertore, por edhe para dyqaneve të tregtimit të tyre, në sytë e kalimtarëve e sidomos të fëmijëve.
Tirana është qyteti me numrin më të vogël të sallave të kinemave për frymë të popullsisë në botë. Nga 7-8 kinema që Tirana kishte deri në 1990-ën me një popullsi prej 250 mijë banorësh, aktualisht ka vetëm një, kur kryeqyteti numëron rreth 800 mijë banorë. Ndërkohë, vazhdon të ketë vetëm një teatër, njësoj si në vitet ’40-të të shekullit të kaluar. Paradoksi vazhdon më tej: Tirana është i vetmi kryeqytet në botë, ku çmimi i biletës së kinemasë është më i lartë se i teatrit(!).
Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë, ku jo vetëm nuk dëgjohet zëri i ndonjë shoqate për mbrojtjen e kafshëve, por qentë endacakë vriten barbarisht me çifte, natën dhe çdo bisht qeni i vrarë, dorëzohet si trofe në Bashki, kundrejt shpërblimit. Nëse dikush do të thoshte se trajtimi ndryshe i këtyre kafshëve do të ishte një luks për kushtet tona, do t’i kujtoja se për të marrë çmimin si Kryetari më i Mirë i Bashkisë në Botë, është e domosdoshme përmbushja edhe e këtyre standardeve; rrjedhimisht, akordimi i këtij çmimi del që është shumë i dyshimtë...
Tirana është i vetmi kryeqytet, të paktën në Europë, ku, në mungesë të parkingut të rezervuar me pagesë, vendet e parkimit zihen me mjete rrethanore. Shikoni vetëm zonën e ish-”Bllokut”: krahas tabelave të bizneseve për parking të rezervuar, për të cilat paguajnë taksë e që numërohen me gishta, të gjitha lokalet, dyqanet, kazinotë e bizneset e tjera, vendosin krejt arbitrarisht buzë rrugës, karrige, arka, kone plastike e objekte të tjera, për të siguruar hapësirën e nevojshme për parkim. Madje, disa kafene, gjatë stinës së ngrohtë, nxjerrin jo vetëm në trotuar, por edhe në rrugë tavolinat bashkë me karriget(!). Ndërkohë, Policia Bashkiake, makinat e së cilës gati sa nuk i shkelin këto objekte ndërsa patrullojnë gjithë ditën në këtë zonë, bën sikur nuk i vë re....
Tirana është i vetmi kryeqytet pa një kopsht zoologjik e botanik për të qenë, e sigurisht, pa asnjë “Luna Park”.
Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa stacion autobusësh ndër-qytetas dhe linjash ndërkombëtare. (Nuk po pretendojmë ndonjë stacion qendror si ai i Romës, për shembull, por meqë Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë për vizitë në Prishtinë, të paktën të shihte atë të kryeqytetit të Kosovës).
Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa WC publike. Ndërkohë që, m’u në mes të Londrës, edhe në një nga rrugët më të famshme të saj, “Oxford Street”, për shembull, ekzistojnë disa të tilla, kryebashkiaku aktual i kryeqytetit i prishi të gjitha WC-të publike të Tiranës, shumica e të cilave të ndërtuara mbi 70 vjet më parë, në kohën e Mbretërisë së Zogut.
Tirana synon të bëhet, siç thamë, metropol europian, por, fatkeqësisht, ajo mban edhe disa “rekorde” të tjera, këtë herë lidhur me emërtimet e shumë rrugëve, shkollave e objekteve të tjera social-kulturore. Personalisht, nuk arrij ta kuptoj se si mundet Tirana t’i bashkohet familjes së kryeqyteteve të Europës së Bashkuar, kur kjo kohë është relativisht shumë më e afërt se ç’mund t’u duket disave, me emërtime të tilla mbi shpinë, e vetmja mes të gjitha kryeqendrave të tjera të vendeve ish-komuniste europiane. Kështu, për shembull, stadiumi i saj kombëtar, gjimnazi i saj më i vjetër, një nga rrugët e saj kryesore, një lulishte pranë Presidencës (bashkë me bustin), mbajnë emrin e komunistit “Qemal Stafa”, që sado ta vrasësh mendjen, nuk e gjen se jo vetëm për çfarë meritash nderohet kjo figurë në këtë mënyrë, por nuk gjen dot as lidhjen më të vogël të tij me sportin apo arsimin, apo kontributin e tij, qoftë për vendin, qoftë për këtë qytet. (Ndërkohë, “Nënë Tereza” është vendosur – një gjetje kjo, sa pashije aq edhe fyese - në një cep anësor të shkallëve të korpusit të Universitetit dhe pa asnjë ndriçim, si për mëshirë). E njëjta gjë do të thuhej edhe për Akademinë e Sportit “Vojo Kushi”, për Liceun Artistik “Jordan Misja”, për Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” (komunistët vazhdojnë të qëndrojnë në ballë – në një kohë, kur në Paris, për shembull, nuk gjen më asnjë rrugë, shesh apo ndërtesë as me emrin e Napoleonit!), a thua se këtu nuk ka pasur kurrë as sportistë të shquar, as artistë të mëdhenj, as gjuhëtarë e përkthyes të përmasave europiane! Madje, edhe Kosova, historia dhe kultura e saj, janë pothuajse të papërfaqësuara në emërtimet në Tiranë.
Dhe po t’i ktheheshim listës së emrave, ajo do të vazhdonte shumë gjatë; me “Pallatin e Brigadave”, ndërtimi i të cilit filloi në kohën e Zogut dhe përfundoi gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Ai vazhdon të mbajë këtë emër, vetëm se disa njësi partizane fjetën disa net aty, në një kohë kur Europa i quan ato “Pallati Mbretëror” apo “Pallati Presidencial”.
Po kështu, mund të përmendnim “Pallatin e Kongreseve”(!), rrugën “Komuna e Parisit”, sheshe apo rrugë me emra atentatorësh, e dëshmorësh krejt të panjohur, apo figurash të dyshimta të pas luftës, “falë” miteve të krijuara për to në një sfond ideologjik, apo kontributeve të paqena të tyre.
Për analogji, ndoshta pak vetë e dinë se një rrugë në Prishtinë mban emrin “Mustafa Kruja”, jo për faktin se ka qenë kryeministër kuisling, por për meritën e jashtëzakonshme në bashkimin e trojeve amtare.
Është e qartë se Tirana nuk mund të vazhdojë të ecë përpara mes paradoksesh të tilla, sidomos kur një pjesë e këtyre “rekordeve” negative mund të “rrëzoheshin”, mjaft që të ekzistojë vullneti i mirë. Për të tjerat duhet të zhduket makutëria për t’u marrë kryesisht me projekte që sjellin përfitime direkte financiare, duhet të priten lidhjet klienteliste të interesave politike, të flaken tabutë e të bien mitet...