E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kërkon tërheqjen e përfaqësuesve të UNMIK

 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, u ka bërë thirrje shteteve që kanë përfaqësues në misionin e OKB-së, që t’i tërheqin nga Kosova. Për kërkesën e Britanisë, për zvogëlimin e përfaqësuesve të vet në misionin EULEX, zëvendëskryeministri Kuçi tha se kjo nuk është arsye për shqetësim dhe se Kosova nuk mbrohet me numrin e përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare, por me politikën e bashkësisë ndërkombëtare. Kosova kërkon eliminimin e UNMIK-ut,por kjo do të kërkojë kohë. Kuçi e ka vlerësuar pozitivisht tërheqjen e përfaqësuesve të Rusisë nga misioni i OKB-së në Kosovë. Zyrtarët kosovarë thonë se shuarja e misionit të OKB-së në Kosovë duhet të shkojë paralel me shuarjen e Rezolutës 1244. Kjo gjë, sipas analistëve, do të jetë e pamundur për shkak të qëndrimeve aktuale të shteteve anëtare të OKB-së karshi pavarësisë së Kosovës. Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës shprehin bindjen se me realizimin e kërkesës së tyre drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shuarjen e misionit të këtij mekanizmi në Kosovë, duhet t’i përfundojë afati dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›