E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, samit urgjent për krizën

Liderët e Bashkimit Evropian zhvilluan dje një takim emergjence në Bruksel për të studiuar rrugët që të ndalojnë kthimin e krizës ekonomike në çarje mes Lindjes e Perëndimit. Samiti u kërkua pas deklarimit nga ana e Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, të një plani për mbrojtjen e industrisë së prodhimit të autoveturave në Francë. Lëvizja e qeverisë franceze nxori në pah frikën se përpjekjet për proteksionizëm kombëtar do dëmtojnë masat e përbashkëta evropiane për daljen nga kriza.

Prioritet gjatë takimit të së dielës patën liderët e shteteve të Evropës Lindore, të prekura më rëndë nga kriza globale. Kryeministri hungarez, Ferenc Gurksani, paralajmëroi: "Nuk duhet të lejojmë që Evropa të ndahet prej një perdeje hekuri të re". Shumë preja anëtarëve të rinj të Bashkimit Evropian në Evropën Lindore dhe Qendrore janë bërë dëshmitarë të rrënimit të ekonomisë dhe institucioneve të tyre financiare për shkak të recesionit. Sot përballen me rënie të valutave, mbylljen e fabrikave dhe në disa raste edhe me trazira shoqërore.

Probleme të rënda me likuiditetet po shfaqin veçanërisht Hungaria dhe Letonia. Deri tani kanë marrë miliarda euro prej një fondi emergjencash të Bashkimit Evropian. Janë pikërisht këto dy shtete që pritet të nënvizojnë më fort shqetësimet për veprime proteksioniste nga ana e shteteve më të fortë, si dhe të kërkojnë edhe më shumë ndihmë nga Bashkimi Evropian. Gjithsesi, deri tani nuk është marrë asnjë vendim mbi kërkesën e shtruar nga Hungaria për miratimin e një pakete ndihme prej 180 miliardë eurosh për shtetet e Evropës Lindore.

Kryeministri hungarez, Ferenc Gurksani, sugjeroi lehtësimin e kushteve që u janë vënë këtyre shteteve për adaptimin e euros si monedhë zyrtare. Por Zhan Klod Janker, kryetari i grupit të eurozonës së përbërë nga 16 shtete tha: "Nuk besoj se mund t‘i modifikojmë kriteret për përfshirjen në eurozonë brenda një nate".

Samiti, i kërkuar nga Kryeministri çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, po zhvillohet vetëm një javë pasi të njëjtët liderë evropianë u takuan për të diskutuar reformimin e sistemit financiar të rajonit. Përpara takimit të djeshëm, Presidenti Nikolas Sarkozi i hodhi poshtë akuzat për proteksionizëm të ngritura pas miratimit të një plani ndihme prej 3 miliardë dollarësh për industrinë franceze të prodhimit të autoveturave. Gjithsesi, vërejti se Shtetet e Bashkuara e kishin bërë këtë dhe nuk shihte përse Evropa nuk duhet të vepronte në të njëjtën mënyrë.

"Nuk duam të krijohen vija ndarëse. Nuk duam një Evropë të ndarë përmes një vije Veri-Jug apo Lindje-Perëndim", tha Mirek Topolanek pak orë përpara nisjes së samitit të djeshëm. "Përpjekjet dhe masat për të luftuar krizën ekonomike brenda kufijve të Bashkimit Evropian duhet të bazohen te parimet e solidarizimit, por njëherësh kanë nevojë edhe për përgjegjësi nga ana e aktorëve".

Edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, paralajmëroi se përpjekjet e shteteve për të rimëkëmbur segmentet e sëmura të ekonomive nuk duhet të ngjallin praktikat e konkurrencës përtej kufijve të secilit. "Bashkimi Evropian ka tani nevojë për tregjet e hapura më shumë se kurrë më parë", tha. Gjithsesi, nga samiti i djeshëm në Bruksel as që priteshin vendime të prera, duke qenë se liderët evropianë do të mblidhen më vonë në një samit të parashikuar për ditët e ardhshme të këtij muaji.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›