BE shprehet sot zyrtarisht mbi situatën politike në Shqipëri
Mblidhet Këshilli i Punëve të Jashtme
Bashkimi Evropian pritet të dalë gjatë ditës së sotme, me një qëndrim zyrtar rreth ngërçit politik në Shqipëri dhe mundësitë apo hapësirat e mundshme për kapërcimin e tij. Në një kohë kur në Tiranë fillojnë takimet e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Bruksel do të ketë një deklaratë mbi zhvillimet në Shqipëri.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë në BE, Baronesha Ketrin Eshton do të mbledhë Këshillin e Punëve të Jashtme ku do të ketë një reagim zyrtar mbi negociatat që Presidenti Topi po zhvillon me palët për zgjidhjen e ngërçit.
Pak ditë më parë, gjatë ndalesës së saj në Prishtine Eshton deklaroi se “Shqipëria rrezikon integrimin në BE nëse nuk gjen një zgjidhje të shpejtë për krizën”.
Sot, Këshilli i Punëve të Jashtme ka në axhendë negociatat e Bashkimit Europian me Malin e Zi, diskutime për Haitin, Iranin, Ukrainën, Moldavinë, Zimbabven dhe Kirgistanin, ndërsa pritet dhe deklarata për Shqipërinë.
Mbi situatën politike në Shqipëri është shprehur edhe kryekomisioni i BE për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili ka përsëritur disa herë se pret lajme inkurajuese nga Tirana, duke iu referuar tryezës së Presidentit të Republikës.
Fule, i ka apeluar opozitës së Edi Ramës se rruga e ndjekur është një dëm i rëndë politik për Shqipërinë, ndërsa ka komentuar si absurd bojkotin e pajustifikueshëm për parlamentit nga ana e partisë së Edi Ramës.
Një zëri, përfaqësuesit e politikës ndërkombëtare, bëjnë thirrje për gjetjen e një konsensusi brenda kuadrit ligjor, ndonëse nuk inkurajojnë zgjidhjet e imponuara dhe ato që shkojnë në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.