Parlamentarët e OSBE kërkojnë rikthimin e opozitës në Kuvend
Rikonfirmohet qëndrimi ndaj bojkotit të opozitës shqiptare
Asambleja Parlamentare e OSBE e konsideroi të rëndësishëm diskutimin mbi situatën politike në Shqipëri. Vetë ky institucion angazhoi për procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009, numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar procese të ngjashme në Shqipëri. Parlamentari zviceran Christian Misch, ishte një nga vëzhguesit afatgjatë në vendin tonë.
Misch thotë se opozita duhet të kthehet në kuvend, nisur nga logjika e standardeve që ofruan zgjedhjet e përgjithshme.
“Unë isha si vëzhgues për zgjedhjet në Shqipëri dhe mund të them se zgjedhjet ishin shumë të mira, përmbushën standardet e OSBE/ODIHR-it. Sigurisht në çdo proces zgjedhor ka fitues dhe humbës, por kjo është demokracia. Ndaj dhe kjo është demokracia. Socialistët duhet të kthehen në Kuvend. Rezultati është i qartë, gjë që ne e kemi theksuar edhe në raportin final”, u shpreh ai.
Në cilësinë e kryetarit të grupit të deputetëve italianë pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Ricardo Miliori, thotë se bojkoti i opozitës është bojkot kundër vendit dhe proceseve për integrim.
Si pjesë e grupit që hartoi raportin final mbi zgjedhjet, Miliori bën thirrje Partisë Socialiste të hyjë në Kuvend, duke lënë mënjanë, siç shprehet ai, interesat personale.
“Procesi elektoral në Shqipëri, u konsiderua nga OSBE si mjaft pozitiv. Vumë re përmirësime krahasuar me proceset e mëparshme. Unë shpresoj që edhe për të ardhmen e Shqipërisë të gjendet një zgjidhje për problemin. Ka një tentativë në këtë drejtim të Presidentit të Republikës dhe komunitetit ndërkombëtarë. Unë shpresoj që opozita ka si sens përgjegjësie që të kuptojë që për të ardhmen e Shqipërisë në Europë, është e rëndësishme stabiliteti i vendit. Pastaj në demokraci nuk humbet përgjithnjë, do ketë zgjedhje të reja dhe mund të ketë ndërrim të mazhorancave. Apeli im për miqtë e Partisë Socialiste është që të shohin interesin kombëtar, në vend të atij personal. Nuk e kam kuptuar se cilat janë arsyet e vërteta të kësaj proteste të fortë. Mund të ketë patur edhe gabime, por sipas nesh, OSBE-së, kanë qenë të papërfillshme, për të ndikuar rezultatin. Unë shpresoj që të prevalojë sensi i përgjegjësisë dhe që Shqipëria të ketë një parlament që të funksionojë në mënyrë perfekte që të shfaqet sikur është një vend i madh në procesin për tu bërë anëtarë i Bashkimit Evropian. Shpresoj që ky të jetë fundi i bojkotit, pasi ky nuk është më një bojkot kundër kuvendit, por kundër Partisë Demokratike, kundër Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.
Senatori kanadez Consiglio Di Nino, i shumë përfolur si kandidaturë e fortë për postin e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, i referohet pikërisht raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë për të dalë në konkluzionin se opozita duhet të kthehet në kuvend.
“Kjo është e lidhur me zgjedhjet. Unë isha një prej vëzhguesve të zgjedhjeve së bashku me Grousruk, krijonim një lloj grupi koordinativ afatgjatë. Ne identifikuam disa çështje të cilat duhet të merren parasysh. Ne i mbahemi plotësisht raportit tonë, gjithçka është thënë është korrekte dhe besojmë që populli shqiptar përgjithësisht foli në mënyrë të ndershme në kontekstin e shprehjes demokratike të votës. Tashmë, qeveria duhet të vazhdojë përpara sikundër opozita duhet të hyjë në Kuvend”, deklaroi më tej senatori kanadez.
Situata politike në Shqipëri, është kthyer në një nga temat kryesore të diskutimeve në këtë sesion dimëror të Asamblesë parlamentare të OSBE.
Në emër të përfaqësuesve amerikanë në këtë asamble, kongresmeni Robert Aderholt, thotë se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të ngrejë shqetësime që nuk cenojnë ligjin.
“Një nga çështjet që u diskutua në asamble lidhet me zgjedhjet parlamentare zhvilluar qershorin e shkuar në Shqipëri. OSBE dërgoi monitorues. Ata raportuan dhe arritën në përfundimin se ato ishin të drejtë dhe të ndershme. Nuk kishte probleme të mëdha të cilat mund të ndikonin rezultatin. Bazuar në këtë delegacioni amerikan dhe OSBE në përgjithësi mendon se duhet ecur përpara. Bojkoti i kuvendit vijon, por ne mendojmë se ata që janë zgjedhur nga vota e popullit, duhet të zënë vendet e tyre. çdo çështje duhet të trajtohet në Kuvend. Ne duam të shohim funksionimin e demokracisë atje, të shohim ngritjen e problemeve, por gjithnjë sipas ligjit, kështu që opozita duhet të zero vendet e saj në parlament dhe t’i ngrejë atje pretendimet”, u shpreh kongresmeni amerikan.
Mbi debatin politik në Shqipëri u shpreh edhe kryetarja e parlamentit austriak Barbara Prammer, e cila priti në një takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Prammer u shpreh se tashmë që zgjedhjet në Shqipëri përfunduan, politika duhet të fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Ajo tha se baza e funksionimit të demokracisë është zbatimi i shtetit ligjor.