E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët janë qytetarë europianë, e ardhmja e tyre është Europa”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon Kryeministrin e Egjiptit, Ahmed Nazif

Në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Kajro, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli vazhdoi takimet me autoritetet më të larta të vendit.
Në takimin me Kryeministrin Ahmed Nazif ajo u shpreh e kënaqur që vizita e saj e parë në Egjipt u kombinua me ftesën e Presidentit të Asamblesë Popullore të Egjiptit, zotit Fathy Sorour dhe me ftesën e Zonjës së Parë, Suzanne Mubarak.
“Unë e vlerësoj vizitën në Kajro, jo vetëm si shtysë të bashkëpunimit parlamentar, por edhe si shtysë për forcimin e miqësisë dhe partneritetit ekonomik mes dy vendeve”, - u shpreh Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit Topalli bëri një paraqitje të shkurtër të ecurisë së reformave në Shqipëri dhe theksoi se Shqipëria është në një moment tepër të rëndësishëm për procet integruese.
“Anëtarësimi ynë në BE është qëllimi dhe motivimi ynë, që kërkon përmbushje detyrimesh dhe arritje standardesh. Plotësimi i më shumë se 97 % të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, si dhe përmbushja e kushteve për liberalizimin e vizave, shënojnë hapa konkrete në këtë proces”.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se dialogu politik mes dy vendeve tona duhet të nxisë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të gjithë fushat me interes reciprok.
I interesuar për këtë bashkëpunim, Kryeministri Nazif e njoftoi zonjën Topalli se ai po inkurajon ardhjen në Shqipëri nga Dhoma e Tregtisë së Egjiptit të një delegacioni biznesi gjatë muajit qershor.
“Ky delegacion-tha Kryeministri i Egjiptit- ka për mision të eksplorojë mundësitë për investime në Shqipëri”.
çështja e Kosovës ishte një nga temat e bisedës mes Kryeministrit Nazif dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryeministri tha se Egjipti e ka mbështetur popullin e Kosovës dhe se po ndjek me interes zhvillimet atje. Kryeministri Nazif tha se Egjipti nuk mban anë në këtë çështje dhe se vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës do të merret në momentin e duhur. Kryetarja e Kuvendit i përcolli Kryeministrit të Egjiptit përshëndetjet e Kryeministrit Sali Berisha dhe përsëriti ftesën e tij për të vizituar Tiranën. Kryeministri Nazif u përgjigj se vizita e tij në Tiranë është në axhendën e tij dhe vjen në Shqipëri me kënaqësi për të parë një vend që miqtë e tij ia kanë përshkruar si të mrekullueshëm.
Me Ministrin i Jashtëm të Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e mbylli vizitën e saj zyrtare në Kajro me takimin me Ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit. Biseda mes dy personaliteteve u përqendrua tek e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe z. Gheit e inkurajoi zonjën Topalli për vazhdimin dhe konsolidimin e reformave në vend. Ai theksoi se vendi i Shqipërisë ka qenë gjithmonë në Europë.
“Shqiptarët janë qytetarë europianë dhe e ardhmja e tyre është Europa”, tha ai.
Kryetarja e Kuvendit njohu ministrin e Jashtëm të Egjiptit me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara për anëtarësimin, të inkurajuar edhe nga plani i Qeverisë greke për anëtarësimin e plotë në BE të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014.
Për sa i përket çështjes së Kosovës, ministri i Jashtëm i Egjiptit tha se “Kosova tashmë është një shtet dhe se nuk ka kthim prapa”.
Ftesës së kryeparlamentares Topalli për një vizitë në Tiranë, ministri i Jashtëm i Egjiptit iu përgjigj se vizita në Tiranë është tashmë në axhendën e tij për t’u kryer.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›