E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e denoncon të zhdukur, policia e gjen pas 36 orësh në pab

ALARMI/ Një 15-vjeçare e cila ishte me pushime në Fier është larguar pasi mbi të është ushtruar dhunë fizike nga kushërinjtë e saj më të vegjël në moshë.


Ndërkohë, një 9-vjeçar rom nga Durrësi paketoi valixhet një javë më parë dhe ende nuk dihet se ku mund të ketë shkuar


Dy fëmijë janë zhdukur nga banesat e tyre e përkatësisht një në Fier dhe një në Durrës. Në Fier një 15-vjeçare është larguar nga shtëpia që pasditen e së dielës, teksa në Durrës një 9-vjeçar nuk është kthyer në shtëpi prej një jave.


Rastet e largimit të fëmijëve nga banesat e tyre po shtohen, ndërkohë që të dielën në mbrëmje u arrit të gjendej një 14-vjeçare e larguar nga banesa e saj në Korçë, pasi i kishte marrë prindërve një shumë prej 2000 eurosh. Vajza ishte larguar me një person më të madh se ajo në moshë dhe u gjet nga policia në qytetin e Fierit, pranë një qendre tregtare.


Adoleshentja largohet nga banesa


Vjen nga Italia me pushime, por zhduket pasi rrihet nga kushërinjtë, më të vegjël se ajo në moshë. Një 15-vjeçare u largua nga shtëpia pasditen e së dielës, ndërkohë që e ëma bën thirrje për ta gjetur, teksa i druhet jetës së të bijës.


Bëhet e ditur se Françeska Merkaj kishte ardhur nga Italia vetëm rreth një muaj më parë dhe jetonte në Mbrostar Ferko të Fierit. Ajo është shpallur në kërkim, teksa familjarët shprehen se që prej mbrëmjes së të dielës telefoni i saj ka qëndruar i fikur. Kërkimet bënë të mundur që vajza të gjendej 36 orë më pas në një lokal të Tiranës.


Rrëfimi i nënës

"Françeska është 15 vjeçe, - rrëfen Luiza Merkaj, nëna e adoleshentes. Më tej ajo vazhdon duke u shprehur se pasditen e së dielës rreth orës 17:00 e bija i kishte marrë leje për të hedhur plehrat dhe ajo e kishte lejuar.


Vajza ka qenë e shoqëruar nga dy kushërinjtë e saj, në moshë më të vogël. Sipas asaj çka i kanë treguar fëmijët e tjerë, gjatë kohës që e bija kishte marrë karrocën për të derdhur plehrat, është grindur me dy kushërinjtë e saj.


Një gjë e tillë ka bërë që ata ta rrahin vajzën 15-vjeçare, madje njëri prej tyre e ka goditur me gur në kurriz. - Në kohën që më thanë se vajza është qëlluar, dola menjëherë nga shtëpia por nuk e pashë. Më thanë se kishte lëvizur në unazën e qytetit, por nuk e gjeta. E kam kërkuar gjithë natën me njerëzit e mi, por prapë nuk e gjeta dot. Si rrjedhojë shkova në polici dhe bëra denoncimin".


Gruaja thotë se e bija është një njeri me ndërgjegje dhe se shkak për këtë veprim të sajin ka qenë fakti që hera-herës ajo është qëlluar nga kushërinjtë e saj, teksa vijoi se edhe e vjehrra e ka sharë shpesh 15-vjeçaren që kur është kthyer nga Italia, duke krijuar grindje të kota. Luiza thotë se është përpjekur edhe të krijojë një gjendje paqësore me nipërit e të shoqit, por sërish s'ka mundur.


Në kohën që është larguar 15-vjeçarja, mësohet se ajo kishte me vete celularin e së ëmës. Luiza thotë se i ka rënë telefonit deri rreth orës 21:00, kur ai më pas rezultoi i fikur. Gjetja e saj u bë e mundur nga forcat e policisë së Tiranës vetëm 36 orë më pas.


Zhduket një 9-vjeçar nga Durrësi


Fati i një 9-vjeçari nga një familje rome nuk dihet që prej një jave. Familja e tij ka njoftuar policinë, teksa janë shprehur se i mituri ka marrë me vete të gjitha rrobat dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.


Edison Filja është nga lagja 8 e Durrësit. Sipas të afërmve, ai ka shkuar pasdite në banesën e tij dhe në fshehtësi ka marrë një sasi rrobash e më pas është larguar pa lënë adresë. Prindërit fillimisht kanë menduar se largimi ka qenë një tekë e djalit për ndonjë mosplotësim dëshire, por pasi kanë telefonuar me radhë të gjithë kushërinjtë, kanë pyetur komshinjtë e shoqërinë, kanë vendosur të bëjnë denoncimin.


Frika më e madhe, qoftë edhe për faktin që ai është rom dhe i mitur, është se mund të jetë marrë nga persona të rritur për ta nxjerrë jashtë vendit dhe për të ushtruar profesionin e lypësit. Sidoqoftë në kërkim të 9-vjeçarit janë ngritur strukturat e policisë së Durrësit, teksa po punojnë për mbledhjen e një informacioni lidhur me gjetjen e vendndodhjes së tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›