BE shtyn vendimin për heqjen e vizave në rajon
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë njohur dje me vlerësimet e Komisionit mbi zbatimin e kërkesave të Unionit drejtuar Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave. Por vendimi përfundimtar për këto vende që pritet të përfitojnë do të shtyhet së paku deri sa të 27 anëtarët e BE-së të japin mendimin e tyre lidhur me progresin e secilit shtet. Sipas një njoftimi të zyrës së KE-së në Tiranë, vlerësimet e përditësuara të zbatimit të udhërrëfyesve lidhur me liberalizimin e vizave përfaqësojnë një hap më tej në procesin e dialogut të vizave që Komisioni ka filluar me pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor në fillim të vitit 2008. Lidhur me këtë proces, zëvendëspresidenti Jacques Barrot, i ngarkuar me çështjet e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë tha dje se, “jam shumë i kënaqur nga përpjekjet e bëra nga vendet e rajonit në zbatimin e udhërrëfyesve dhe nga bashkëpunimi i tyre i shkëlqyer në organizimin e misioneve të ekspertëve, si dhe pres me padurim komentet dhe pikëpamjet e shteteve anëtare”. Sipas tij, “duke konsideruar këtë, unë do të prezantoj sa më shpejt në Kolegj një propozim për të hequr detyrimin e vizave për shtetasit e vendit/vendeve, të cilat do të kenë arritur objektivat e udhërrëfyesit. Kam besim se liberalizimi i vizave me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është një perspektivë e prekshme”. Vlerësimet e përditësuara bazohen në informacionin e marrë gjatë misioneve në terren, të mbledhura nga delegacionet e Komisionit si dhe të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së. Komisioni ka marrë sot komentet e para nga shtetet anëtare lidhur me vlerësimet e tyre. Duke pasur parasysh këtë, Komisioni do të përfundojë raportet dhe do t’ua kalojë më pas shteteve përkatëse, vijon më tej njoftimi i zyrës së KE-së.
Kriteret e BE-së
Blloku I/ Dokumentet e Sigurisë
• Shqipëria ka bërë një progres në përmbushjen e të gjitha detyrimeve.
• Procedura e sigurisë së pasaportave biometrike nuk është bërë brenda periudhës së parashikuar në raport.
• Procesi i aplikimit ka filluar, por shpërndarja e tyre është në një numër të vogël, do të ketë verifikime të mëtejshme nëse duhet të ketë ndërhyrje të tjera për një progres të plotë.
• Kjo tregon se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet të parashikuara në bllokun 1, Harta e Rrugës së Marrëveshjes për Vizat.