Ish-kryepolici Dida kërcënon përfaqësuesin e PS-së në KQZ
TIRANE – Ish-kryepolici Ilirian Dida, i sapodalë nga burgu, rrezikoi dje sërish qelinë, pasi kërcënoi ish-gjyqtarin që e kishte dënuar me 4 vjet burg për falsifikim dokumentesh. Ish-kryepolici i Beratit dhe i Gjirokastrës, Ilirian Dida, është shoqëruar për disa orë në Komisariatin Nr.1 në Tiranë, pasi ka kërcënuar Artan Lazajn, i cili aktualisht është përfaqësues i PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në kohën kur Dida gjykohej në Gjykatën e Gjirokastrës për falsifikim vulash e stampash dhe shpërdorim detyre, Artan Lazaj ishte kryesues i trupit gjykues në Gjykatën e Faktit. Pas pretencës së prokurorisë, ku kërkohej dënimi me 5 vite burg për ish-kryepolicit Dida, gjykata në vitin 2004 vendosi dënim me 4 vjet burg. Kjo ka qenë edhe arsyeja që Ilirian Dida, i cili kishte lënë qelitë prej disa ditësh, ka pritur ish-gjyqtarin Lazaj para portës së KQZ-së, ku edhe e ka kërcënuar. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur Artan Lazaj, sapo kishte dalë nga një lokal dhe po futej në zyrat e KQZ-së. Dida i ka prerë rrugën duke i thënë: Ti më ke shkatërruar jetën dhe shumë shpejt do ma paguash po njësoj. Pas një debati mes tyre është njoftuar edhe policia e Komisariatit Nr.1 dhe Ilirian Dida është shoqëruar në komisariat. Gjatë ballafaqimit me përfaqësuesin e PS-së në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Dida dhe Lazaj janë sqaruar rreth situatës. I kontaktuar me telefon nga gazeta, Artan Lazaj ka shpjeguar se nuk ka bërë kallëzim ndaj Didës, pasi ai i ka kërkuar falje për incidentit tek KQZ-ja. e.d