E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Shqipëria ka bërë progres për vizat

 

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vlerëson si pozitiv raportin e Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. Në një deklaratë të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme thuhet se, “kryefjala e vlerësimit për secilin bllok është progres, thelbësor, i dukshëm, dhe në rrugën e duhur. Shqipëria dallon nga të gjitha vendet e tjera të rajonit për shpejtësinë e progresit të arritur, krahasuar me gjendjen e katër viteve më parë. Ndonëse 4 vite më parë ne u nisëm nga një stad shumë më i prapambetur se çdo vend tjetër i Rajonit”. Sipas diplomacisë shqiptare, blloku i parë, që lidhet me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, cilëson se Shqipëria ka shënuar progres në lidhje me procesin tërësor të ngritjes së infrastrukturës dhe aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve. “Shqipëria ka shënuar progres në menaxhimin e kufirit, azilit dhe migracionit, që përbëjnë dhe fokusin e bllokut të dytë të udhërrëfyesit. Shqipëria ka ngritur bazën ligjore dhe kapacitetet operacionale, ndërkohë që autoritetet kompetente kanë demonstruar ndërgjegjësim të lartë dhe i kanë kushtuar rëndësi madhore progresit në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›