E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENERAL LUAN HOXHA: “Berisha dhe Topi injoruan informacionet e mia”

Zbardhet deklarata e dhënë në prokurori nga ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Pas ankesës që i bëri Berishës dhe Presidentit për Mediun nuk pati asnjë përgjigje. “Urdhrat për Gërdecin i kam parë pas shpërthimit”. Gjenerali Luan Hoxha shpjegon rapo

Rrëfimi i gjeneral Luan Hoxhës para prokurorëve rreth 10 ditë pas shpërthimit në Gërdec ka sjellë disa risi interesante që hedhin dritë mbi pretendimet e ish Shefit të Shtabit se ai ishte “sfumuar” në kompetencat e veta nga ish ministri Mediu. Për të vërtetuar këtë pretendim, gjeneral Luan Hoxha i ka dorëzuar prokurorëve, një letër informuese koifidenciale me të cilën ai kishte njohur Presidentin e Republikës, Kryeministrin Berisha dhe Kryetarin e Kuvendit, lidhur me problemet në ndërhyrjen e kompetencave që kishin lindur mes tij dhe ish ministrit. Por në shpjegimet që ka dhënë mbi këtë letër informuese gjenerali ka pohuar se në asnjë rast nuk ka marrë një përgjigje prej këtyre institucioneve duke zbuluar haptazi indiferencën dhe injorimin që krerët më të lartë të shtetit i kishin bërë një problemi që kishte lindur mes rangjeve më të larta të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë kontekst, gjenerali Luan Hoxha ka deklaruar se e njëjta gjë ka vlejtur dhe për urdhrat për Gërdecin, ndërsa për shumicën dërrmuese të këtyre urdhrave gjenerali ka pohuar se i ka njohur vetëm pas tragjedisë.

Dëshmia II

Pyetje: Në deklarimet tuaja veç të tjerash keni dhënë shpjegimi edhe në lidhje me një memo të datës 28.12.2008 drejtuar Ministrit të Mbrojtjes. Çfarë keni pasur parasysh në këtë memo, ku sugjeroni negociata midis palëve dhe rajonit të palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh?

Përgjigje: Fillimisht dua të sqaroj se në deklarimet e datës 22.02.2008, kronologjinë e kam përcaktuar tashmë pas ngjarjes, duke u konsultuar me të gjithë dokumentacionin që kam evidentuar pas ditës së ngjarjes. Realisht, deri në momentin e ndodhjes së ngjarjes, pak gjëra mund të kujtoja për sa i përket procedurave të këtij demontimi. Në lidhje me Memon që ju po më citoni ju sqaroj se nëpërmjet shprehjes “të negociohet midis palëve” kemi pasur parasysh që vendimi përfundimtar për këtë kërkesë të merrej si rrjedhojë e një procesi diskutimi midis palës që kërkonte dhe palës shqiptare. Eksperienca të tilla negocimi kanë ekzistuar në praktikën e mëparshme. Për sa i takon rajonit të licencuar kemi pasur parasysh një rajon që minimalisht ka qenë përdorur më parë nga ana jonë për demontim, pra një rajon që ishte provuar.

Pyetje: Mbas memos tuaj është lënë shënimi për Ju dhe Sekretarin e përgjithshëm ku thuhet se “shikoni sipas rregullave dhe planit të demontimit” si dhe “shikoni që në takim me kompaninë të diskutoni për problemet”. A mund të na sqaroni se çfarë veprimesh janë kryer nga ana e juaj lidhur me këto porosi?

Përgjigje: Mbas këtyre porosive duke u konsultuar dhe me materialin i kam lënë një shënim drejtorisë së Logjistikës së J4-ës “ Për ndjekje të problemit”. Me sa kujtoj nga ana e J4 është vazhduar procesi duke u realizuar disa takime por në hollësi nuk mund të kujtoj. Me siguri kujtoj që asnjë njeri nuk më ka sjellë konkluzione përfundimtare për çfarë është vepruar dhe për çfarë është arritur për kërkesën që është trajtuar në atë memon që përmendëm më sipër. Në praktikën tonë ndodh që paraqiten kërkesa dhe nuk finalizohen. Kështu siç e shpjegova, për këtë kërkesë, unë nuk pata një përgjigje përfundimtare.

Pyetje: Ju keni dhënë shpjegime lidhur me procedurën e projektvendimit nr. 138 i cili nuk u miratua nga Këshilli i Ministrave. A mund të kujtoni momente lidhur me procedurën që u ndoq?

Përgjigje: Realisht deri në momentin e ngjarjes kujtoja se VKM nr. 138 kishte rëndësi sepse zgjidhte problemin e demontimit. Por se si është zhvilluar procedura në atë kohë nuk e përcaktoj dot. Mesa pashë unë kisha qenë pjesë e procesit vetëm kur kam firmosur një projektvendim për marrje mendimi për ministritë e tjera. Kështu që lidhur me procedurat e ndjekura nga to unë nuk di detaje.

Pyetje: Në cilin moment kohor jeni vënë në dijeni të urdhrit të ministrit nr. 550 datë 25.04.2007 dhe a është marrë mendimi juaj apo i Shtabit për përpilimin e këtij urdhri?

Përgjigje: Në lidhje me këtë urdhër nuk është marrë mendimi im dhe nuk kam dijeni nëse është marrë mendimi i Shtabit apo i pjesëmarrësve nga Shtabi. Me këtë urdhër unë nuk jam njohur menjëherë në momentin që ai ka ardhur në Shtab por më vonë. Kjo sepse në atë kohë ka qenë një takim i shefave të Shtabeve në Ballkan dhe unë kam qenë i angazhuar në atë takim. Sikurse jam njoftuar më vonë në mungesën time Shefi i Kabinetit kishte përcjellë urdhrin Drejtorisë së Logjistikës. Origjinali i praktikës ndodhet në sekretarinë e Shtabit të Përgjithshëm. Më pas Shefi i Kabinetit më ka informuar për këtë veprim të tijin ku më njohur dhe me autorizimin që kishte dhënë në emrin tim. Vendimi i tij ishte korrekt sepse ai mund të ndjekë porosi të tilla në mungesën time apo të Zëvendësshefit të Shtabit. Unë urdhrin vetë nuk e kam lexuar sepse u mjaftova me përmbledhjen që më bëri shefi i Kabinetit. Mesa kujtoj më është bërë e ditur se urdhri kishte të bënte me demontimin e municioneve të këmbësorisë por për vendin ku do të kryhej procesi nuk më është thënë dhe unë vetë nuk e pyeta. Më pas kur ka filluar zbatimi i projektit, unë kur lexoja komunikatat kam konstatuar faktin se sasitë e municioneve transportoheshin për në bazën ushtarake të Gërdecit. Atëherë unë jam interesuar dhe më kanë informuar për procesin që zhvillohej në Gërdec. Mbas kësaj, gjatë një bisede gjatë një bisede për transportin e municioneve me komandantin e mbështetjes, Z. Zija Bahja unë i thashë në terren për të parë se çfarë bëhej. Kështu që bashkë me Zijain kemi shkuar në Gërdec. Kjo ka qenë hera e vetme që unë kam shkuar në atë vend. Atje kam konstatuar se që në hyrje të ambientit kishte rrethim si pasojë e procesit të demontimit. Kam vënë re se ishte ndërtuar një si formë hangari i mbuluar në të cilën ndodheshin tre katër makineri. Atje unë kam takuar dhe specialistë amerikanë. Nuk e kujtoj ishin tre apo katër specialistë. Me ta jam takuar dhe kam biseduar. Me kërkesën time m kanë demonstruar demontimin e fishekëve 7. 62mm. Kam parë me sytë e mi se si në makineri u demontuan u demontuan disa fishekë të këtij kalibri, ku u hoq predha u hoq baruti dhe doli vetëm gëzhoja me kapsollën. Se si procedohej më tej me gëzhojën nuk e kam parë dhe nuk ma demonstruan. Mandej kemi biseduar me specialistët amerikanë dhe jemi larguar. Kam fiksuar se në portën hyrëse kishte ushtarë të FA-së që qëndronte te dera dhe bënte kontrollin e hyrje daljeve. Në lidhje me punëtorët që punonin them se ishin rreth 6-7 veta shqiptarë. Atë ditë unë aty kam takuar dhe shtetasin Mihal Delijorgji, i cili është paraqitur si pjesë e këtij aktiviteti. Megjithatë kjo ishte një vizitë e shkurtër dhe unë nuk fiksova detaje të tjera por përshtypja që unë krijova ishte se për procesin e demontimit në fabrikë kishte rregull. Siç e thashë edhe më lartë kjo ishte e vetmja vizitë që unë kam kryer. Pas kësaj vizite unë nuk kam shkuar më kurrë në Gërdec.

Pyetje: Gjatë procesit të demontimit gjatë zbatimit të urdhrit nr. 550, a ju është paraqitur ndonjë ankesë nga vartësit tuaj për mënyrën se si zhvillohej ky proces?

Përgjigje: Jo, nuk kujtoj që nga vartësit e mi të më jetë paraqitur ndonjë ankesë për këtë proces.

Pyetje: Nga deklarimet e komandantit të KFB-së si dhe nga dokumentacioni përkatës rezulton se me shkresën nr. 2408/ 1 datë 03.05.2007, i janë përcjellë Shtabit të përgjithshëm disa shqetësime për procesin, përfshi dhe një moment në lidhje me sigurinë procesin si dhe një shqetësim për rrezikun e shkaktimit të ndonjë ngjarjeje të jashtëzakonshme. A keni dijeni ju për këtë fakt?

Përgjigje: Jo, unë nuk kam asnjë dijeni për këtë fakt, sikurse ju thashë më sipër unë jam vënë në dijeni të procesit vetëm nga komunikatat në lidhje me transferimin e municionit.

Pyetje: Në lidhje me procesin e demontimit, a keni informuar Presidentin apo ndonjë instancë tjetër të lartë shtetërore?

Përgjigje: Në lidhje me këtë pyetje më lejoni t’iu shpjegoj se për sa i takon problemit të shkatërrimit të municionit, unë kam biseduar me ish Presidentin e Republikës por nuk më kujtohen hollësi që mund ti kem thënë. Por që të kem përpiluar ndonjë informacion të veçantë me shkrim për këtë çështje për llogari të institucionit të Presidentit unë nuk kujtoj se e kam bërë.

Pyetje: Me urdhrin nr. 1800 të ministrit të Mbrojtjes, ambientet e ish Brigadës së Tankeve në Gërdec janë kaluar në llogarinë e ndërmarrjes MEICO. Kur jeni vënë në dijeni të këtij urdhri dhe a është marrë mendimi juaj për këtë urdhër?

Përgjigje: Unë jam vënë në dijeni të këtij urdhri në momentin pas ndodhjes së ngjarjes në Gërdec. Pra në këto rrethana edhe nuk më është marrë mendim për urdhrin. Si rregull p të zbatohet me saktësi hierarkia, duhej që këtë urdhër të kishte kaluar minimalisht nëpërmjet meje. Për sa i përket dorëzimit të objektit nga KFB-ja, nuk jam vënë në dijeni prej saj..

Pyetje: Në deklarimin e mëparshëm ju keni pranuar se mbas kërkesës së dytë të firmës SAC ajo kërkesë iu është përcjellë nga ministri i Mbrojtjes me mbishkrimin e ministrit “Për veprim” të cilën ju e keni konsideruar si një firmë urdhërore dhe në vijim keni ndjekur praktikën me vartësit, për zbatim. A mund të na sqaroni se ku bazoheni që fjalën “Për veprim” e konsideroni formë urdhërore?

Përgjigje: Këtë e bazoj në metodën tradicionale të komunikimit midis hallkave ushtarake në të cilat përfshihet dhe ministri i Mbrojtjes si autoriteti më i lartë civil dhe ushtarak. Për mendimin tim edhe në këndvështrimin gramatikor kjo është një formë urdhërore. Megjithatë është e qartë se edhe në qoftë se është një formë urdhërore ajo nuk mund të zbatohet nëse konstatohet se është në kundërshtim flagrant me ligjin. Në këtë rast unë praktikën e kam kaluar tek vartësit. Njëkohësisht nga ajo se çfarë paraqitej deri atëherë në atë ambient ishte zhvilluar një proces demontimi që kishte kaluar pa incidente dhe në këtë këndvështrim unë e kam konsideruar si një vazhdim të procesit të mëparshëm por me kontratë të re dhe me një kalibër tjetër të municioneve. Unë nuk kam pasur informacion lidhur me makineritë që do të përdorte firma, por kam lexuar se në kërkesën e firmës, kjo e fundit garantonte se i dispononte këto makineri. Pra këtë moment kam për të sqaruar në lidhje për sa më pyetët.

Pyetje: Një tjetër urdhër është ai nr. 2044 i 17 dhjetorit 2008 i ministrit të Mbrojtjes. Në bazë të praktikës rezulton se ky urdhër i është dërguar ministrit për nënshkrim nga Shtabi i Përgjithshëm. Çfarë mund të na thoni për detajet e këtij urdhri apo për procedurat dhe çfarë masash u morën nga Shtabi për garantimin e sistemit të sigurisë në fabrikë?

Përgjigje: Sikurse është thënë procedura për përpilimin e këtij urdhri ka filluar që në momentin kur nga Ministria e Mbrojtjes na është dërguar ”Për veprim” kërkesa e firmës ”SAC” për kontratë të re. Në atë kërkesë bëhej fjalë për demontimin e municioneve deri në kalibrin 152mm. Unë personalisht e them me përgjegjësi se nuk kam pasur ndonjë njohuri se cilët kalibra municioni lejoheshin për demontim nga VKM-ja. Nga ana e personelit tim nuk më është bërë asnjëherë ndonjë sqarim i detajuar në lidhje me këtë çështje. Në vijim ne kemi përgatitur një prononcim lidhur me sa kërkohej. Nga sa kam parë nga dokumentacioni, ky ”prononcim” nga ana e ministrit është trajtuar si ”propozim”. Këtu vlerësoj se kemi të bëjmë me një gabim në shprehje, sepse realisht ne jemi prononcuar për sa na është kërkuar dhe nuk kemi propozuar diçka nga ana jonë. Kjo ka ndodhur për arsye se ai që propozon është minimalisht ai që nis nga fillimi gjithë procesin. Ndërkohë që ky proces ka filluar pas kërkesës së vetë kompanisë , kërkesë e cila është përcjellë nëpërmjet ndërmarrjes MEICO te ministri. Për përpilimin e të dhënave korrekte, ne i jemi drejtuar reparteve për të evidentuar sasitë e duhura të municioneve, sepse e tillë ishte kërkesa e kompanisë. Në momentin pas procedurave, projekt-urdhri më është vënë mua në dispozicion, unë kam presupozuar se ai është diskutuar sipas rregullit dhe siglave. Kur e kam lexuar jam treguar i vëmendshëm nëse ishte zgjidhur siç duhej problemi i sigurisë së procesit, i ruajtjes dhe i transportit. Kam konstatuar se këto probleme ishin marrë në konsideratë dhe kështu që kam shprehur dakordësinë time duke nënshkruar. Mbas nënshkrimit dhe nga ana e ministrit, urdhri filloi të zbatohej. Gjatë zbatimit, nga vartësit e mi nuk është bërë i ditur ndonjë problem në lidhje me ekzekutimin e urdhrit. Pas ngjarjes, gjatë ballafaqimit të fakteve të asaj që ndodhi, jam vënë në dijeni se KFB-ja kishte paraqitur kundërshtime në lidhje me pikën ”9” të urdhrit që detyronte këtë komandë që së bashku me ndërmarrjen “MEICO”, të ruante rajonin e Gërdecit dhe depot e municionit. Por në këtë kohë unë personalisht nuk kam qenë në dijeni të kundërshtimeve të këtij urdhri.

Pyetje: Në projekt-urdhrin nr. 20044 thuhet se procesi i sigurimit të ambientit i kalon si përgjegjësi ndërmarrjes MEICO. Ndërkohë që në VKM-në nr. 138 kjo detyrë i caktohet Forcave të Armatosura. A e keni pasur parasysh këtë fakt kur ju keni shprehur dakordësinë për urdhrin nr. 20044?

Përgjigje: Në momentin që kam shprehur dakordësinë time me këtë urdhër unë kam parë vetëm nëse ishte marrë ose jo në konsideratë problemi i sigurisë së procesit. Unë e dija se VKM-ja vendoste se duhej mbikëqyrur por se kush do ta kryente mbikëqyrjen këtë nuk e dija. Unë jam mjaftuar vetëm me faktin se problemi i sigurisë ishte përfshirë në urdhër. Si dhe hartuesit e urdhrit kishin rënë dakord për këto përgjegjësi që merrte secili. Ndërsa për sa i takon kapaciteteve të ndërmarrjes MEICO nuk e përcaktoj dot. Por mendoj se e kanë marrë vetë përsipër dhe nuk kanë kundërshtuar, duhet ti kenë vetë kapacitetet.

Pyetje: A ka pasur përplasje, probleme institucionale midis institucionit të ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në drejtim të zbatimit të ligjit për funksionimin e Forcave të Armatosura?

Përgjigje: Në bazë të nenit 27 të këtij ligji, Shefi i Shtabit është përgjegjës për drejtimin, përgatitjen dhe gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura. Duke qenë ai përgjegjës para Presidentit, Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Shefi i Shtabit duhet të jetë personi që sipas ligjit, ngarkohet në zbatimin e këtyre detyrave që përcakton ligji. Nisur nga ky detyrim Shefi i Shtabit duhet të ngarkohet direkt për kryerjen e detyrave të strukturave të FA-së, gjë e cila në shumë raste nuk ka ndodhur duke shmangur Shefin e Shtabit, nga detyrimi dhe drejtimi që imponon ky ligj. Probleme të tilla janë konkretizuar nga komandimi direkt nga ana e Ministrit, të strukturave vartëse të Shefit të Shtabit dhe shpesh pa informuar fare Shefin e Shtabit. Kjo ka sjellë anomali në përmbushjen e detyrës dhe mosnjohjen e gjendjes, urdhrave, projekt-urdhrave dhe zbatueshmërisë së tyre. Ky ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm në detyrën time, për të cilën kam informuar dhe Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin. Një kopje të këtij informimi po jua vë në dispozicion. Thelbi i informimit konsiston në ngritjen e shqetësimit mbi raportet institucionale mes ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit, duke ju kërkuar të informuarve ndërhyrjen apo ballafaqimin për të përmirësuar këtë proces pasi unë vlerësoja se një situatë e tillë bie ndesh me parimet e komandim kontrollit të ligjit që unë përmenda. Këto probleme i janë bërë prezent dhe ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, nga qendra studimore civile-ushtarake me qendër në Kaliforni, në SHBA-të. Konkluzionet e kësaj qendre i janë lënë me shkrim ministrit. Deri më sot nga asnjë prej institucioneve që kam informuar nuk më është kthyer përgjigje. Siç kam shpjeguar edhe më parë raste të dhënies së urdhrave direkt pa marrë mendimin e Shtabit ka pasur edhe në praktikën e Gërdecit. I tillë ka qenë urdhri nr. 550, i cili është hartuar e miratuar pa marrë mendim nga Shtabi megjithëse në pjesën urdhëruese ka një sërë detyrash që lidhen posaçërisht me funksionet dhe detyrimet ligjore të Shtabit të Përgjithshëm, në bazë të ligjit. P kështu ka urdhra që tregojnë se ministri ka urdhëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë struktura vartëse të Shtabit të Përgjithshëm pa kaluar këto urdhra nëpërmjet meje si Shef Shtabi. Janë dy urdhra të tillë për të cilët unë kam marrë dijeni pas ngjarjes. Në përgjithësi të gjitha urdhrat për transporti min e municionit nga Komandat drejt ndërmarrjes “MEICO” janë vënë në zbatim pa përfshirë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm.

Pyetje: Cili është raporti i sigurisë midis reparteve në Bërzhitë dhe atyre në Gërdec për kryerjen e procesit?

Përgjigje: Nuk mund të shprehem për një raport të tillë pasi unë nuk kam njohuri për kushtet në Bërzhitë për të bërë një krahasim me ato të Gërdecit. Mendimet e shprehura në memon që lidhet me Bërzhitën janë bazuar nga njohuritë e specialistëve të ngarkuar me këtë problem. Gjithashtu dua të sqaroj se unë nuk shkova për këtë arsye në Gërdec, pasi për këtë çështje kishte një vendimmarrje në momentin që unë kam vizituar Gërdecin.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›