E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne në Gërdec punonim si punëtorë krahu, Minxolli refuzonte të na dëgjonte

Zbardhet dëshmia e Petrit Beharit, ushtaraku që u kontraktua nga Delijorgji për demontimin. Rrëfimi i Beharit hedh dritë mbi shumë incidente të panjohura që kanë ndodhur në fabrikë

Gazeta “Albania” boton sot pjesë të rëndësishme të deklarimit në prokurori të një ushtaraku me përvojë të quajtur Petrit Behari, i cili ka dëshmuar jo vetëm për rolin e tij në Gërdec por edhe për mënyrën se si ai ka parë gjithë procesin e punës në këtë fabrikë. Petrit Behari ka rrëfyer në dëshminë e tij se në të vërtetë punën në gërdec e udhëhiqte koncepti i fitimit të shpejtë, ndërsa përshkrimi i punës që bëhej atje lë të kuptohet se Gërdeci do duhej të shpërthente një ditë, ishte vetëm çështje kohe...

Deklaratë

Quhem Petrit Behari, i datëlindjes 1.9.1951 lindur në berat e banues në Tiranë. Unë kam mbaruar shkollën e lartë të oficerëve, dega armatim municionit, në vitin 1971. Pas mbarimit të shkollës kam filluar punë në përfaqësinë e Ministrisë së Mbrojtjes pranë Kombinatit Mekanik Poliçan, në vitin 1972, me detyrën e kontrollorit përfundimtar të cilësisë së municionit. Këtë detyrë e kam kryer deri në vitin 1986. Më pas kam punuar me armatimin në Berat deri në vitin 2000. Më pas deri në vitin 2004 kam punuar në bazat e armatim municionit në Tiranë dhe në vitin 2004 dola në lirim. Ju sqaroj se pas daljes në reformë kam marrë pjesë në 3 projekte për seleksionimin e municionit, këto 3 projekte ishin të NATO-s dhe unë isha punësuar nga organizata NDC gjatë këtyre shërbimeve.

Pyetje: Nga kush jeni kontaktuar për të nisur punë në firmën “Albademil” dhe nga kush jeni kontaktuar?

Përgjigje: Në maj të vitit 2007 kam punuar në një projekt amerikan për demontimin e municioneve ajrore dhe detare ku kjo veprimtari zhvillohej në Shëngjin dhe në vende të tjera. Duke parë që pagesa nuk më leverdiste unë jam shkëputur. Rreth javës së parë të korrikut 2007 jam kontaktuar nga Ylli Pinari i cili më njihte personalisht. Ai më pyeti nëse kisha punë apo jo dhe unë i thashë se isha i shkëputur nga çdo punë. Ai më tha që të takoheshim dhe ditën tjetër e kam takuar Ylli Pinarin te hotel “Mondial”, e gjeta aty së bashku me Mihal Delijorgjin të cilin unë e kam njohur për herë të parë në atë moment. Biseda që unë kam bërë me Ylli Pinarin dhe Delijorgjin konsistonte në përcaktimin e municionit me gëzhojë tunxhi të disa kalibrave të ndryshëm meqenëse unë falë eksperiencës time isha njohës i mirë i municionit të depove në Skrapar Berat etj. Ylli Pinari më ka thënë njëkohësisht se unë nuk do të paguhesha nga ndërmarrja shtetërore “MEICO” por do të më paguante vetë Mihal Delijorgji. Për këtë punë unë kam shkuar për rreth tre muaj në Berat, në Skrapar dhe në Grizë të Fierit ku unë shkoja në depot e mësipërme, bëja përcaktimin e municionit me gëzhojë tunxhi, më pas njoftoja Ylli Pinarin dhe ndonjëherë dhe Mihal Delijorgjin. Atyre u sqaroja sasinë e evidentuar me gëzhojë tunxhi dhe më pas vinin kamionët e ushtrisë që e transportonin këtë sasi në Gërdec. Këtë punë unë e kam bërë deri më 10 tetor 2007. Në këtë datë unë kam shkuar për herë të parë në Gërdec, pasi kam bërë seleksionimin e një sasie municioni të kalibrit 8mm, municion i cili ishte trofe italian. Pas kësaj unë jam shkëputur nga puna. Më datën 18 janar 2008 mua më ka thënë një shoku im, Zabit Çuku, që të nesërmen do takoheshim me Mihal Delijorgjin. Së bashku me Zabitin kemi vajtur në Gërdec dhe jemi takuar me Mihalin. Aty kemi qenë katër vetë, unë, Zabiti, Viktor Nikolli dhe Besim Çanga, po ashtu ishte prezent dhe një shoku ynë që quhet Sokol Ngjeçi për të cilin kam ditur se ishte përfaqësues i “MEICO” por se çfarë roli ka luajtur këtë nuk e dija. Mihali na tha se do të fillonte një projekt për çmontimin e municioneve të rënda. Mihali na pyeti se sa gëzhojave të rënda mund ti nxirrej baruti në një ditë pune. Besimi i tha se një grup prej 6 vetash mund të përpunonin rreth 300 gëzhoja në ditë. Mihali i tha se i duheshin 2 mijë copë në ditë dhe shtoi se për ta arritur këtë gjë do të shtonte dhe 5 grupe të tjera pune. Mihali na tha se: “Juve nuk dua t’iu lodh se për të lodhur kam punëtorët, nga ju dua që të kujdeseni për procesin e punës në grupet që do të caktoheni”. Mbaj mend që bashkërisht i kemi shprehur shqetësimin Mihalit që të mos grumbullohej sasi e madhe municioni pasi kjo e bënte të rrezikshme. Kur ne kishim shkuar në ndërmarrje kishim vërejtur se kishte rreth 100 mijë ton municion dhe ndaj ne ia shprehëm shqetësimin. Mihali na tha se do gjente mënyrën që të hiqte këtë municion dhe për ta sistemuar. Pastaj ai na pyeti në lidhje me pagën që donim dhe ne ia lamë në dëshirën e tij. Ai na caktoi një pagë ditore prej 3 mijë lekësh. Po ashtu ai na tha se për çdo hall që do kishim mund të shkëputeshim nga puna për 1 ose 2 ditë.

Pyetje: Kush iu ka prezantuar me shtetasin Dritan Minxolli dhe si iu ka prezantuar?

Përgjigje: Prezantimin me shtetasin Dritan Minxolli na e ka bërë Veiz Muço dhe ai na e prezantoi si drejtorin e Fabrikës. Veizi na ka sqaruar se për çdo shqetësimin duhej ti thonim atij.

Pyetje: Çfarë përgjegjësie dhe kompetencash iu është dhënë juve nga drejtori i kësaj ndërmarrjeje Dritan Minxolli?

Përgjigje: Nga Dritan Minxolli ne nuk kishim asnjë të drejtë dhe asnjë kompetencë sepse ai nuk na pyeste e as nuk na dëgjonte fare për ndonjë shqetësim tonin. Dua tu sqaroj se ajo çfarë na tha Mihali pa filluar puna ndryshoi totalisht nga Dritani pasi një anomali tjetër që u bë në këtë fabrikë ishte shtimi i madh i grupeve të punës . Ju sqaroj se si rezultat i shtimit të numrit të punëtorëve dhe si shkak i mos instruktimit të saktë të tyre ka pasur raste që në arkat të cilat niseshin për bosh gjendeshin djegore të pa hequra. Shtimi i punëtorëve solli një pamundësi për ne që të kontrollonim siç duhej procesin e punës. Përgjegjësitë tona ishin që të mos na kalonin arka boshe me djegore brenda dhe kujdesi për barutin në momentin kur nxirreshin nga gëzhojat. Ju sqaroj se nuk kishim përgjegjësi të specifikuara nga ndonjë rregullore e fabrikës. Ne thjesht bënim kujdes për punën që kryenim vetë dhe me sa mundeshim këtë gjë ua sqaronim dhe punonjësve të fabrikës. Ju them me përgjegjësi të plotë, se ne si grup specialistësh , nuk jemi trajtuar dhe nuk e kemi ndjerë veten asnjëherë si të tillë në asnjë rast pasi çdo urdhër pune vendosej nga Dritani. Ju sqaroj se ne nuk kishim asnjë lloj komunikimi me Dritanin pasi ai nuk pranonte të komunikonte me ne dhe nuk dëgjonte dhe nuk pranonte mendimet dhe shqetësimet tona.

Pyetje: A kishit ndonjë rregullore të shkruar për sigurimin teknik?

Përgjigje: Jo nuk ka pasur asnjë rregullore e tillë, ne kemi punuar vetëm me kujdesin tonë të krijuar në vite dhe me profesionalitetin tonë.

Pyetje: kush ishte përgjegjës për instruktazhin e rregullores së sigurimit teknik për punët me municionet e rrezikshme dhe në ç’mënyrë bëhej ky instruktazh?

Përgjigje: Unë nuk e di se kush ishte përgjegjës për këtë gjë pasi edhe ne që ishim ekspertë firmosnim në fletën që ishte për rregullat e sigurimit teknik njësoj si punonjësit e tjerë, gjë që bëhej një herë në muaj. Ne si specialistë asnjëherë nuk kemi bërë instruktazhin e punonjësve pasi kemi punuar njësoj si ata. Po ashtu mund t’iu sqaroj se nuk është bërë asnjë orë trajnim i punëtorëve që do të punonin në atë ndërmarrje, të paktën për atë periudhë që unë kam qenë aty.

Pyetje: Çfarë pune kryenit ju në këtë ndërmarrje?

Përgjigje: Unë personalisht jam marrë me çdo lloj pune, si hapja e arkës, veçimi i djegores, nxjerrja e predhës më vete, nxjerrja e gëzhojës dhe largimi i arkave. Më pas jam marrë me nxjerrjen e barutit , veçimin e barutit, futja në thasë, shkrimin e thasëve sipas llojit të barutit, etj. Po ashtu jam marrë me veçimin e djegores së predhës 100mm. Kur bëhej zbërthimi i djegores ato futeshin në një arkë duke i siguruar që të mos tronditen ndërsa predhat grumbulloheshin në një vend tjetër. Me zbërthimin e djegoreve të predhave te tavolina kanë punuar Zabiti, me një shokun tonë që erdhi më mbrapa Sadik Sula.

Pyetje: ǒmund të na thoni në lidhje me teknologjinë e përdorur për demontimin në këtë ndërmarrje?

Përgjigje: Mund t’iu them se teknologjia e përdorur për demontimin e municioneve ishte mjaft primitive dhe nuk i afrohej procesit të demontimit industrial. Për mendimin tim kjo teknologji ishte shumë e pasigurt dhe i rrezikonte të gjithë dhe sidomos punonjësit që nuk kishin njohuri të mira për këtë proces pune.

Pyetje: A keni konstatuar shkelje të rregullave në punë me lëndët plasëse?

Përgjigje: P unë kam konstatuar shkelje të rregullave teknikë në punë, duke filluar nga shkarkimi i arkave me municion, shpejtësia që përdorej nga punëtorët e shkarkimit, nga punëtorët e hapjes së arkave dhe boshatisjes së tyre, pasi ka pasur raste që të binin predha si dhe ndonjë gëzhojë. Nga këto aksidente ka pasur dhe të lënduar ku njëri prej punonjësve Qemal Mema ka thyer këmbën. Kjo ka ndodhur si shkak i normës së lartë në punë. P ashtu mund tu them se një tjetër shkelje e rregullave të sigurimit teknik ishte dhe grumbullimi i një sasie të madhe municioni dhe të elementeve që dilnin nga procesi i demontimit. Ju sqaroj se atë ditë që ndodhi katastrofa ka pasur rreth 700 shtimje unitare blind-shpuese unitare blind-shpuese të kalibrit 100 mm top të cilat nga zjarri mund të kenë shpërthyer kur predha shkëputet pa pasur një drejtim të caktuar në largësinë deri në 1 kilometër e gjysmë.

Pyetje: A jeni ankuar në ndonjë rast te shtetasi Dritan Minxolli ap Veiz Muço për këto shkelje?

Përgjigje: Ne jemi ankuar vetëm te Veizi pasi me Dritanin nuk kishim asnjë shans të komunikonim. Në një rast që Veizi i tha Dritanit lihur me një parregullsi në punë ky i fundit ndali gjithë punën dhe filloi tu bërtiste punëtorëve.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›