E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, shuplakë Berishës për Gërdecin

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar qeverinë shqiptare se nuk do të ketë asnjë cent ndihmë për Gërdecin, pa u shpallur zona totalisht e sigurt dhe pa u hartuar një strategji e plotë nga qeveria për të rimëkëmbur situatën. Këtë deklaratë e ka bërë të ditur dje kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, i cili foli në emër të donatorëve që përfshijnë 26 vendet e BE-së. Ambasadori Helmut Lohan theksoi dje në takimin e madh të donatorëve për rimëkëmbjen e Gërdecit pas katastrofës, se donatorët janë të gatshëm për të financuar rindërtimin e zonës, por "nuk do jepet asnjë fond, deri kur zona të jetë e sigurt". Kryediplomati i Brukselit zyrtar, njëkohësisht dhe kryetar i sekretariatit të donatorëve për post Gërdecin, ka deklaruar se donatorët janë gati për të ndihmuar për rindërtimin e zonës, por me një kusht: "Asnjë ndihmë nuk do të jepet deri në momentin kur perimetri prej 800 metrash të shpallet publikisht dhe zyrtarisht zonë e sigurt". Deklarata e tij u bë në takimin e donatorëve me përfaqësuesit e qeverisë që u zhvillua dje në ambientet e hotel "Tirana". Ambasadori Lohan këshilloi familjet, banesat e të cilave u dëmtuan nga shpërthimi i fabrikës së demontimit "AlbaDemil" më 15 mars, të mos kthehen derisa zona të jetë e sigurt që është pastruar nga predhat e pashpërthyera. "Asnjë familje të mos kthehet derisa të jepet garancia që nuk ka asnjë predhë të paplasur", tha ambasadori i Bashkimit Evropian, Helmut Lohan. Diplomati gjerman ka shtuar se donatorët janë të interesuar në këtë strategji gjithëpërfshirëse rindërtimi, por më parë duhet të hartohet një strategji: "Do t‘u ndihmojmë nëse ka një strategji të përbashkët në lidhje me nevojat për ndihmë në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, mjedis dhe bujqësi. Më pas, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, informoi donatorët për masat dhe ndihmat që qeveria ndërmori për të prekurit nga tragjedia. Nishani informoi se rreth 3000 persona janë strehuar në Konvaleshencën e Durrësit dhe momentalisht qiraja e banorëve paguhet nga qeveria. Deklarata e djeshme e ambasadorit Lohan tregon se Brukseli nuk do të ndjekë politikën e financimit kryesisht, por kërkon projekte të qarta dhe strategji të hartuara me detaje. Në fakt, këtë qëndrim e kanë deklaruar prej kohësh përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në vend. Çështja "Gërdeci" përfaqëson një nyje të madhe të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Zbulimi nga e përditshmja prestigjioze amerikane, "New York Times", se Shqipëria u ka dhënë amerikanëve fishekë të prodhimit kinez, duke i shitur si prodhim shqiptar, ka irrituar mjaft zyrtarët e Pentagonit, të cilët nuk e kanë gëlltitur situatën. Ndërkaq, edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar nga qeveria të marrë masa që të zbardhë të gjithë të vërtetën dhe të ndëshkojë fajtorët e ngjarjes së 15 marsit, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u rrafshua një fshat i tërë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›