"Mjaft!", protestë për shpërnguljen
Lëvizja "Mjaft!" ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për shpërnguljen e banorëve të Gërdecit nga Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Aktivistja e "Mjaft!", Elisa Spiropali, deklaroi dje se "ne jemi shumë të shqetësuar që familjet e strehuara në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes në Durrës, viktima të shpërthimit të Gërdecit do nxirren nga këto strehime. Afati i fundit për të bërë plaçkat dhe për të dalë u është dhënë e diela, datë 1 qershor. Me vendim të Këshillit të Ministrave, të datës 21 maj 2008, që u është komunikuar banorëve nga nënkryetari i bashkisë, çdo familje do paguhet me 25000 lekë në muaj për qira dhe ushqim derisa t‘u ndërtohen shtëpitë. Banorët janë të frikësuar dhe të indinjuar nga ky vendim absurd dhe çnjerëzor. Familjet që banojnë aty dhe ndajnë të njëjtin hall do ndahen. Shuma që do u jepet nuk del as për bukë, ndërkohë që qiratë janë të papërballueshme. Qeveria shqiptare, që ka premtuar me zell rehabilitim të plotë të banorëve, po i nxjerr në rrugë pa bërë zhurmë. Për këto arsye, të enjten, datë 29, ne do të protestojmë në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme në Durrës, ndaj agresionit të radhës që u bëhet këtyre njerëzve nga qeveria".