E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM I RENDESISHEM I GJYKATES KUSHTETUESE

Gjykata Kushtetuese, në datën 10.12.2007, filloi shqyrtimin e çështjes me kërkues Prokurorin e Përgjithshëm dhe me objekt "Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Prokurorisë së Republikës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", ndërsa në datën 20.5.2008 shpalli vendimin përkatës. Ajo vendosi: Të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës së lindur midis dy organeve shtetërore, subjekt në këtë marrëveshje dhe të deklarojë se: "Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve të tjera të prokurorëve që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq".

Po t‘i referohemi Vendimit Nr. 26, datë 4.12.2006 të Gjykatës Kushtetuese, rezulton se përsëri kërkues ishte Prokurori i Përgjithshëm dhe Gjykata për të njëjtat arsye ka vendosur zgjidhjen e mosmarrëveshjes të kompetencave midis dy organeve shtetërore: Kuvendit dhe Prokurorisë. Në këtë rast, natyrshëm lind pyetja: "Si shpjegohet që Kuvendi jo vetëm nuk ka pasur parasysh vendimin e mësipërm (4.12.2006), por ka vepruar në kundërshtim me të?! Në të vërtetë, qysh në momentin e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, (25.10.2007) për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, u diskutua edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 26, datë 4.12.2006 dhe në mënyrë të veçantë për dispozitivin e këtij vendimi që zgjidhte mosmarrëveshjen e kompetencave. Por, në atë kohë, u tha se ngritja e komisionit hetimor mbështetej në Kushtetutë (në nenin 77, pika 2) se objekti i hetimit ishte në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese etj. Dukej se deklarata të tilla politike ishin disi të sforcuara dhe për t‘i fuqizuar ato, u arrit deri atje sa në vendimin përfundimtar të komisionit hetimor Nr. 1, datë 2.11.2007 të theksohej se Kuvendi me cilësinë e sovranit, kishte të drejtë të merrte masa dhe të kontrollonte funksionimin e organeve kushtetuese (shih fq. 13 të raportit).

Mund të mos ishte e nevojshme të ndaleshim në këtë çështje, nëse cilësimi i Kuvendit si Sovran do të ishte "lapsus". Por, mesa duket kjo nuk ishte kështu. Në mbështetje të këtij emërtimi u synua të krijohej përshtypja se kur vendos sovrani të tjerët duhet të heshtin. Pra, si rrjedhim edhe propozimi i Kuvendit që u tha se ishte "Sovran" duhet të kihej parasysh nga Presidenti, madje indirekt edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në mbështetje të kësaj ideje u kalua në votim. Një numër relativisht i madh i deputetëve votuan në favor të propozimit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Votimi parlamentar, siç dihet, është i natyrës politiko-procedurale, por ai nuk mund t‘i kundërvihet demokracisë kushtetuese. Nuk përjashtohet rasti që edhe kur vendimi ose ligji i miratuar të themi me tri të pestat (apo ndoshta edhe më shumë) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, të bjerë ndesh me Kushtetutën. Kjo mund të ndodhë, ose për shkak të nxitimit dhe mosstudimit të thelluar të problemit, ose me "konsensusin" që shpreh interesa të ngushta partiake dhe koniunkturale.

Sovraniteti i përket popullit

Ky parim është sanksionuar në nenin 2 të Kushtetutës. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij, ose drejtpërdrejtë. Kuvendi, edhe pse është organ i një rëndësie të veçantë, nuk ka kompetenca të pakufizuara. Edhe e drejta për të ushtruar hetim parlamentar nuk mund të jetë gjithashtu e pakufizuar. Kufizimi i saj lidhet me detyrimin që objekti i hetimit të respektojë parimet kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e datës 20 maj 2008, i është referuar praktikës (vendimeve) të saj të mëparshme, ku janë trajtuar çështje që kanë të bëjnë me rolin dhe funksionimin e komisioneve parlamentare, pavarësinë e organeve kushtetuese në përgjithësi dhe të prokurorisë në veçanti, të mos ndërhyrjes në kompetencat e të tjerëve, të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, prezumimit të pafajësisë etj. Në këtë mënyrë, siç duket, ajo ka synuar të evidentojë qëndrimin konsekuent dhe të njëjtë në trajtimin e çështjeve të mësipërme, gjithmonë në mbështetje të dispozitave kushtetuese, sepse, siç dihet, është Gjykata Kushtetuese që "garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj (neni 124 i Kushtetutës)". Mund të përmendim këtu edhe nenin 4 të Kushtetutës se: "E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit" se "Kushtetuta është ligji më i lartë i Republikës së Shqipërisë". Analiza që përmban Vendimi Nr. 12, datë 20.5.2008, mund të konsiderohej pa mëdyshje përgjithësim i një praktike të caktuar, që mendoj se do t‘i shërbejë parandalimit të shkeljeve të mundshme, respektimit rigoroz të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare (neni 132 i Kushtetutës).

Kushtetuta nuk njeh epërsi të një pushteti ose organi kushtetues në raport me pushtetet e tjera të shtetit.

Kam mendimin se praktika e Gjykatës Kushtetuese pasurohet edhe më tej me zbërthimin që i bëhet në vendimin e saj të datës 20 Maj 2008, nocioneve "demokraci kushtetuese", parimit "të ndarjes dhe balancimit të pushteteve", "funksionit të kontrollit parlamentar" etj.

"Demokracia kushtetuese" thuhet në vendimin e gjykatës - bazohet në shtetin e së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe respektimin e lirive e të drejtave të njeriut" se "Kuvendi është një nga organet e autoritetit të shtetit", se "Kuvendi gëzon brenda limiteve të parashikuara në Kushtetutë një autonomi të konsiderueshme për vendimet që lidhen me ligjvënien", se "Kushtetuta e ngarkon Kuvendin edhe në funksionin kontrollues, me synim për të realizuar balancën midis pushteteve", se "kjo vlen edhe për komisionet hetimore, objekt i veprimtarisë të së cilave, i përcaktuar në vendimet e ngritjes së tyre, është objekt i shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese".

Zbërthimi i parimeve dhe nocioneve të mësipërme në kompleks me arsyetimin e krejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mendoj se e bën më të qartë dhe më të argumentuar faktin përse ajo arriti në përfundimin dhe deklaroi se Kuvendi nuk kishte dhe nuk ka të drejtë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete.

Në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk bëhet fjalë për bazueshmërinë ose jo të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Lexuesi i thjeshtë i këtij shkrimi, që nuk njeh aspektet ligjore dhe kushtetuese të problemit, ka të drejtë të pyesë përse në këtë vendim nuk thuhet asgjë nëse shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm është apo jo i bazuar?

Një pyetje e tillë natyrshëm mund të lindte derisa Gjykata Kushtetuese e konsideron të padrejtë ndërhyrjen e Kuvendit në kompetencat e organit të Prokurorisë. Sqarojmë se: kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë përcaktuar në nenin 131 të Kushtetutës. Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushteteve e mbështetur në shkronjën "ç" të nenit të mësipërm, nuk ka karakter individual. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 20 Majit 2008, thuhet se "Gjykata rikonfirmon qëndrimin se Prokurori i Përgjithshëm legjitimohet si kërkues në një mosmarrëveshje kompetencash" se "Në një mosmarrëveshje të tillë, kërkesa ngrihet nga subjektet në konflikt" se "Në rastin në shqyrtim subjekt në konflikt është organi i prokurorisë, i përfaqësuar nga Prokurori i Përgjithshëm…".

Gjykata Kushtetuese nuk mund të dilte jashtë objektit të kërkesës. Ajo, në këtë rast zbatoi nenin 131, shkronja "ç" të Kushtetutës, duke u kufizuar vetëm me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës dhe deklarimin se Kuvendi nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorisë.

Por, pavarësisht nga kjo, po të pranohet se Prokurori i Përgjithshëm nuk do të shkarkohej nëse Kuvendi nuk do të cenonte kompetencat ekskluzive të organeve të prokurorisë, mund të diskutohej çështja a do të legjitimohej ai t‘i drejtohej gjykatës së zakonshme me kërkesën për rivendosjen e dëmit moral, duke paraqitur si provë kryesore në mbështetje të kësaj kërkese vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Në parim mendoj se po, ndërsa për detajet e tjera nuk do të preferoja të shprehja mendime të nxituara. Është fjala për raste të ngjashme dhe jo kryesisht për shqyrtimin e çështjes të ish-prokurorit të përgjithshëm.

Ish-prokurori i përgjithshëm i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese edhe kërkesën, me pretendimin se i janë shkelur të drejtat e tij lidhur me një proces të rregullt ligjor. Nuk e dimë përmbajtjen e kësaj kërkese, por nëpërmjet një njoftimi në shtyp të Gjykatës Kushtetuese, mësuam se ajo ishte rrëzuar. Është thënë se vendimi do të shpallet pak më vonë.

Në raste të tilla, siç dihet gjykata nuk shqyrton çështjen në themel. Ajo ushtron kontroll kushtetues vetëm mbi zbatimin e parimit themelor për një proces të rregullt ligjor (shih për këtë vendimin Nr. 76, datë 25.4.2002 të Gjykatës Kushtetuese ku bëhet fjalë për kërkesën e ish-prokurorit të përgjithshëm A. Rakipi).

Duke marrë shkas nga çështja e mësipërme, mund të arrihet në disa përfundime përgjithësuese.

Së pari: si komisioni i fundit hetimor ashtu dhe komisionet e mëparshme, nuk kanë qenë të suksesshme, sepse ky instrument i rëndësishëm që Kushtetuta i njeh Kuvendit, është përdorur në mënyrë abuzive dhe të politizuar, tej hapësirave kontrolluese të tij.

Së dyti: Në shumicën e rasteve, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare është kërkuar në momentet e acarimit të klimës politike. Si rrjedhim, objekt i hetimit nuk ka qenë i argumentuar. Në të nuk janë evidentuar fakte konkrete, ose komplekse, për të bërë të qartë çfarë do të hetohet dhe çfarë metodologjie do të zbatohet.

Së treti: Megjithëse ngritja e komisioneve hetimore për çështje që lidhen edhe me individin nuk përbën ndonjë pengesë kushtetuese, në mjaft raste, është anashkaluar kryesorja, ajo e njohjes dhe e verifikimit të fenomenit, të ngjarjeve, të situatave konkrete, që diktojmë marrjen e masave efektive për përmirësimin e gjendjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›