BE të rishikojë financimet për 2007 dhe 2013
18/10/2004 Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, kanë dalë dje me një qëndrm të përbashkët në lidhje me bashkëpunimin në kuadrin e integrimit në BE. Deklarata është dhënë në Takimin Informal Ministerial me ministrin e Jashtëm të Francës. Në takimin e zhvilluar në Ohër, diplomatët ritheksuan angazhimin e përbashkët për të intensifikuar më tej bashkëpunimin dhe përpjekjet për një intengrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe atë Euroatlantik. "Shkëmbyem pikëpamjet dhe idetë tona për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Partneritetit, Procesit të Plan-Veprimit dhe Procesit të Stabilizim- Asociimit si dhe në të gjitha iniciativat rajonale dhe formave të bashkëpunimit", thuhet në deklaratën e përbashkët. Ministrat ranë dakord të përforcojnë përpjekjet dhe të zgjerojnë bashkëpunimin, me qëllim që rajoni të kthehet në një zonë të mundësive të reja, një rajon i prosperitetit ekonomik dhe një pjesë integrale e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. "Ritheksuam vendosmërinë për të zbatuar të gjitha reformat e nevojshme për integrimin e vendeve tona në Institucionet Evropiane dhe Euroatlantike, të cilat përbëjnë një hap cilësor për një stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në rajon", thanë ministrat. Ata theksuan nevojën për një mbështetje financiare më efikase për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit. Për ta, kjo duhet të reflektohet nëpërmjet një balancimi të mbështetjes për reformat institucionale dhe nevojës për zhvillim ekonomik dhe social. Ministrat u shprehën se shpresojnë që çështjet financiare të shihen nga BE në vitet 2007-2013. Në përfundim u theksua se ministrat shprehin vlerësimin për ministrin Barner dhe mbështetjen e qartë të Republikës Franceze në arritjen e qëllimit tonë, integrimin e plotë në strukturat evropiane dhe Euroatlantike. "E konsiderojmë mbështetjen e fuqishme të një miku kaq të rëndësishëm dhe anëtari të përhershëm të Bashkësisë dhe Aleancës si një nxitje për intensifikimin e reformave individuale dhe të përbashkëta për arritjen e këtij qëllimi", u shprehën ministrat.