PS e Durrësit nënshkruan marrëveshje me aleatët
18/10/2004 Situata e turbullt politike e krijuar pas legalizimit të degës së LSI-së në Durrës, ka detyruar socialistët të ftojnë aleatët për të testuar pozicionin tyre mbi koalicionin. Një udhëzim i dhënë nga selia rozë në Tiranë i ka vënë aleatët e majtë të rishprehin me shkrim “vullnetin” për të qenë në krahë të PS-së dhe qeverisë, së kryesuar nga Nano. Krerët e PSD, PAD, PBDNJ, PDS dhe PA në Durrës janë vënë formalisht para një marrëveshjeje politike në formën e një deklarate, të cilën krerët lokal duhet ta nënshkruanin në shenjë solidariteti me socialistët dhe qeverinë e kryesuar nga Nano. Kryetari socialist, Bizhga, i ka ftuar aleatët në zyrën e tij për të nënshkruar deklaratën, e cila kishte në thelb garancinë për qëndrimin në koalicion. Një veprim i tillë është diktuar nga fakti se mbështetësit e socialistëve në Durrës, edhe pse me peshë të vogël në elektorat, nuk kishin ndërmarrë asnjë hap konkret për të dëshmuar se ata ishin pjesë e një koalicioni qeverisës. Për të kompensuar vakuumin e krijuar, aleatët kanë nxituar të përcaktojnë edhe zhvillimet perspektive dhe që kanë të bëjnë me aleancat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në njërën nga pikat e deklaratës është cilësuar se gjashtë parti në Durrës kishin vendosur të ruanin këtë aleancë të “paprekur” edhe nëse formula që pritet të përcaktohet në zgjedhjet e reja parlamentare do të ndryshojë. Burimet thanë se kjo nismë është lënë për t’u legalizuar në ditën e festimit të 55-vjetorit të ditëlindjes së deputetit Agasi, i cili ishte prezent në takim. Socialistë të pakënaqur nga zhvillimet politike si dhe nga formaliteti i deklaratave të tilla kanë thënë se kryesisë socialiste në Durrës i është dashur shumë kohë për të bindur aleatët për të lëshuar në letrën e bardhë firmën për bashkëpunim politik. Të vetmit që janë treguar të gatshëm kanë qenë socialdemokratët, pasi me ndihmën e prefektes së Durrësit, Ingrit Shuli, kanë mundur të zënë disa vende drejtuese, duke spostuar socialistët, që kanë përkrahur lëvizjen e Metës.