E Diel, 1 Nëntor 2026

BE zgjuar tërë natën për të zgjedhur Presidentin

Autori i Lajmit: Redaksia
Bruksel - Udhëheqësit evropianë kanë kaluar një natë të pagjumë dje, në përpjekje për të tejkaluar dallimet mes tyre dhe për t’u bashkuar prapa një kandidati të vetëm për president të parë në historinë e BE-së. Udhëheqësit, të cilët u mblodhën dje në Bruksel, tentuan deri në orët e vona të natës që të emëronin edhe përfaqësuesin për politikë të jashtme, për të krijuar kështu dyshen e udhëheqësve, e cila që nga viti i ardhshëm do të përfaqësojë BE-në në arenën ndërkombëtare. Por ky synim nuk është aspak i lehtë, duke pasur parasysh vizionet e ndryshme të 27 shteteve anëtare të BE-së, në lidhje me rolin që do të luajë presidenti i ri, gjatë mandatit të tij, i cili do të ketë një kohëzgjatje maksimale prej pesë vjetësh. Në prag të fillimit të takimit, kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, vendi i të cilit është kryesues i radhës i unionit, apeloi te udhëheqësit evropianë që “pazaret” t’i mbajnë në nivelin më minimal të mundshëm. “Natyrisht që kam nevojë për bashkëpunimin e kolegëve të mi. Mund të ndodhë që samiti të zgjasë tërë natën”, - pranoi Reinfeldt. Në bazë të planit fillestar, dreka e punës është parashikuar të zgjasë tri orë. Rrjedha mjaft e fshehtë e procesit u ka dhënë mundësi të reja euroskeptikëve, të cilët kanë tërhequr vëmendjen se procesi në fjalë mund ta dëmtojnë imazhin e BE-së si djep i demokracisë. “Është ky fundi i eurokracisë. Nuk besoj se do t’ia arrijnë të depërtojnë me këtë”, - tha ish-ministri i Britanisë për Evropë, Dens McShane. “Negociatat sekrete janë shqetësuese”, - tha Daniel Cohn Bendit, nënkryetar i të gjelbërve në Parlamentin e Evropës. “Kjo është një karikaturë e demokracisë. Ne kemi ndjesinë se 27 udhëheqësit e BE-së, në veçanti Angela Merkel dhe Nikolas Sarkozi po kërkojnë njerëz, të cilët nuk do t’i vendosin ata nën hije”, - shtoi Bendit. Ekspertët bien dakord se presidenti duhet të jetë një teknokrat, i cili është në gjendje të sigurojë konsensusin mes shteteve dhe institucioneve kryesore të BE-së-Këshillit të 27 shteteve anëtare, Komisionit dhe Parlamentit të Evropës. Kryeministri i Belgjikës, Herman van Rompuy, mbetet favorit për funksionin e presidentit, por deri me tani nuk ka dalë në sipërfaqe asnjë kandidat, i cili do të ishte në gjendje të vendoste baraspeshën e nevojshme, e cila kërkohet për dy funksionet kryesore, të krijuara me Traktatin e Lisbonës. Para fillimit të takimit, Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi dhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u zotuan se dy vendet e tyre do të mbështesin një kandidat të përbashkët. “Jam optimiste se deri sonte në mbrëmje do të kemi një marrëveshje”, - tha Merkel. Si kandidat për president është përmendur edhe ish-Kryeministri i Britanisë, Toni Bler, por roli i tij në pushtimin e Irakut, në vitin 2003, kishte përçarë Evropën dhe mundësitë e tij për të siguruar këtë funksion janë zbehur, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme të kandidaturës së tij nga ana e Londrës. Kandidatë të tjerë krahas Van Rompuyt dhe Blerit janë edhe kryeministri i Holandës, Jan Peter Balkenende, kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, si dhe ish-kryeministri i Irlandës, John Burton. Në momentet e fundit janë shtuar dhe zërat për emërimin e një femre, por vetëm ish-presidentja e Letonisë, Vaira Vika-Freiberg ka shprehur deri më tani interesimin për funksionin e presidentit. Analistët kanë theksuar se ajo ndoshta është tejet proamerikane dhe tejet antiruse. E vetmja gjë për të cilën pajtohen deri me tani udhëheqësit e Evropës është se presidenti duhet të vijë nga radhët e qendrës së djathtë, e cila dominon Parlamentin e Evropës, ndërsa shefi për politikë të jashtme nga radhët e socialistëve, formacioni i dytë më i madh në parlament.

Bler, bie kandidatura e parë

Braun përgatit planin B

Me kalimin e orëve, shanset e Blerit për të marrë kreun e Presidencës sa vinin e zvogëloheshin dhe këtë e dinte më mirë se kushdo tjetër, kryeministri Braun. Kështu, Britanisë pritet t’i jepet në formë kompensimi një vend kryesor në Komisionin Evropian. Për mbulimin e funksionit të shefit për politikë të jashtme si favorit ishte vlerësuar ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, por ai ka bërë të qartë se nuk është i interesuar. Ish-kryeministri i Italisë, Massimo d’Alema duket se ka kredencialet e duhura për këtë funksion, por Spanja po angazhohet për emërimin e ministrit të vet të Jashtëm, Miguel Angel Moratinosit, ndërsa Britania për Komisioneren e BE-së për tregti, ka zgjedhur Catherine Ashton.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›