E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia mbështet Greqinë për “emrin”, Ivanov braktis drekën

Autori i Lajmit: Redaksia
Beograd - Serbia mbështet qëndrimin e Greqisë në konfliktin për emrin që ka me Maqedoninë, për të cilin e konsideron se është i arsyeshëm, i baraspeshuar dhe racional. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, pas takimit në Beograd me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dhimitris Dhrucas, deklaroi se Serbia e mirëkupton qëndrimin e Greqisë lidhur me çështjen e emrit të shtetit maqedonas. Dhrucas e takoi Jeremiçin në kuadër të një turneu ballkanik. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, në favor të Greqisë për çështjen e emrit, sërish ka acaruar marrëdhëniet mes Shkupit dhe Beogradit. Presidenti i Maqedonisë, Georgi Ivanov, është thellësisht i zhgënjyer nga deklarata e ministrit serb, se Beogradi e mbështet qëndrimin grek për kontestin me emrin e Maqedonisë, njoftuan nga kabineti i presidentit. Ivanov dje në Beograd mori pjesë në varrimin e patriarkut serb Pavle, me ftesë personale nga presidenti serb, Boris Tadiç. Nga kabineti i Ivanovit informojnë se vizitën, presidenti e ka realizuar me dëshirën për të dhënë kontributin e tij në marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve. Nga aty, deklaratën e shefit të diplomacisë serbe, Jeremiç, e vlerësojnë si "fatkeqe". Presidenti Ivanov, njëherësh, shpreh keqardhje që deklarata e Jeremiçit është përputhur me ftesën e presidentit Tadiç për vizitë në Serbi dhe për pjesëmarrje në varrimin e patriarkut Pavle. Presidenti Georgi Ivanov ka anuluar edhe praninë në drekën përkujtimore me rastin e vdekjes së patrikut serb, Pavle, të organizuar nga shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, në shenjë revolte për shkak të deklaratës se Serbia do të qëndrojë në pozicionin grek në kontestin për emrin.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›