E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish/pronarët, si do të bëhet shpërndarja e 10 milione eurove

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Ish/pronarët të cilët do të përfitojnë nga fondi i kompensimit brenda vitit 2009 duhet të paraqiten në zyrat e AKKP-së për të depozituar numrin e llogarisë në mënyrë që të bëhet më pas kalimi i parave. Sipas të dhënave nga Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dje është hapur procedura për të gjithë subjektet e shpronësuara, përfitues sipas listës së shapllur pak ditë më parë me 211 emra, të cilët duhet të bëjnë të njohur numrin e llogarisë bankare për të tërhequr më pas shumat që ju takojnë.

Përfituesit

AKKP ka përfunduar vlerësimin e 521 kërkesave të subjekteve të shpronësuara për përfitimin nga fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria për kompensimin financiar për vitin 2009. Ky fond i vënë në dispozicion nga Qeveria shqiptare për vitin 2009 është në shumën prej 1 miliardë e 274 milionë lek (10 milionë euro), dhe përbën fondin më të madh të akorduar ndonjëherë nga qeveria në favor të subjekteve të shpronësuara. Sipas AKKP në përfundim të vlerësimit, kanë rezultuar fitues nga fondi i kompensimit i këtij viti, 211 subjekte të shpronësuara sipas renditjes kronologjike të datës së vendimit. Lista e fituesve eshte e aksesueshme në faqen zyrtare të AKKP : ëëë.akkp.gov.al.

Skualifikimet

Vendimi i fundit përfitues nga ky fond daton më 1 tetor 1996. Subjektet të cilët kanë aplikuar me vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 1 tetor 1996 dhe nuk rezultojnë në listën e fituesve, janë skualifikuar për aresye se: kanë përfituar kthim prone me vendimin për të cilin kanë aplikuar apo me vendime të tjera; kanë përfituar ata vetë apo një pjesë e trashëgimtarëve të tyre tokë nga ligji 7501; kanë pasur pasaktësi thelbësore hartografike në vendimet e tyre, çka e ka vënë AKKP-në në pamundësi ligjore të trajtimit pozitivisht të aplikimit të tyre; kanë pasur mungesa të dokumentacionit ligjor shoqërues të aplikimit. Të gjithë aplikuesve do tu dërgohet në adresat e depozituara vendimi i AKKP-së për kompensimin financiar, në të cilin janë argumentuar të gjitha arsyet ligjore të kualifikimit apo skualifikimit. “AKKP fton të gjithë subjektet e shpronësuara përfitues sipas listës së fundit të publikuar me 211 emra, që duke filluar nga data 18 nëntor 2009 të paraqiten në AKKP për të depozituar numrin e llogarisë në të cilin AKKP do të bëjë kalimin e shumave respektive,” bëjnë të ditur burime zyrtare nga AKKP.

Shpërndarja

Për të realizuar procesin e shpërndarjes, Agjencia e Pronave do të bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave ku parashikohet që të përfitojnë për vitin 2009 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe që nuk kanë përfituar më parë. Kjo shtresë do të kompensohet në bazë të radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Në bazë të vendimit të qeverisë, ish-pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 metër katrorë të sipërfaqes së caktuar për kompensim. Të gjithë personat që kanë aplikuar dhe që nuk u shpallën fitues, që me daljen e procedurave me VKM për shpërndarjen e fondit për vitin 2009, të paraqesin menjëherë kërkesën dhe deklaratën me shkrim pranë agjencisë për të përfituar nga fondet e vitit që do të vij (2010). Këta persona nuk do të paguajnë tarifën e përcaktuar. Gjithashtu, agjencia fton të gjithë personat, dokumentacioni i të cilëve ka rezultuar me mangësi hartografike, që të paraqesin kërkesën në AKKP për të bërë korrigjimin e duhur në harta.

219 dosje në Strasburg

Ish pronarët duke e konsideruar procesin e kompensimit si të dështuar kanë sugjeruar dy rrugë për të rënë në kompromis: e para, nëpërmjet shoqatës ata janë të gatshëm të ulen në tryeza teknike për hartimin e një ligji të ri, i cili të mbështetet mbi kthimin fizik të pronave dhe jo mbi kompensimin siç kanë qenë ligjet deri më sot, duke pasur si qëllim kryesor që të luftohet pa kompromis çdo lloj korrupsioni me pronat. Kjo është njëra rrugë për të cilën ata kanë gjetur edhe mbështetjen e Komisionit Evropian, i cili është dakord për hartimin e një ligji të ri. “Rruga tjetër është, si të thuash, presioni që po bëjnë ndërkombëtarët si rezultat i Gjykatës Evropiane të Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku çështjet tona po kalojnë atje një nga një, pasi edhe në raport-progresin që kanë paraqitur ndërkombëtarët për Shqipërinë në Strasburg janë 219 dosje të hapura që të gjitha çështje që kanë lidhje me pronat shqiptare, ndaj dhe KE i tërheq vëmendjen Shqipërisë për të zgjidhur problemin e pronave, sepse nëse kjo gjykatë do të kalojë në vendimmarrje ngarkesa kundrejt qeverisë shqiptare do të jetë shumë më e madhe sesa fatura që është llogaritur nga Shoqata jonë për kompensimin e pronarëve,” është shprehur në një intervistë për gazetën Ballkan kreu i Shoqatës Pronësi me Drejtësi Agim Toro. Po sipas tij në muajin korrik të 2009-ës u botuan tre numra specialë të fletores zyrtare, të cilat janë vendime të Gjykatës së Strasburgut, ku theksohet se pronarët shqiptarë kanë fituar gjyqet dhe nuk është humbur asnjë gjyq, dhe ndëshkimi për shtetin shqiptar kap miliona euro. Më 29 shtator u dha një vendim tjetër ku thuhej se për 1600 m2 tokë në qytetin e Tiranës ndëshkimi shkon deri në 3 milionë euro, dhe kjo rrugë është një rrugë që pronarët shqiptarë e njohin, por që kjo mënyrë i rëndon së tepërmi qeverisë shqiptare, dhe pronarët nuk do të ndalen, nëse nuk gjendet rrugë tjetër zgjidhjeje. “Prandaj i bëj edhe një herë apel Qeverisë dhe Parlamentit shqiptar që urgjentisht të ulemi për të hartuar një ligj të ri, për zgjidhjen e çështjes së pronësisë, baza e të cilit do të jenë Kushtetuta dhe Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në këtë mënyrë do të shmangen edhe ndëshkimet e Strasburgut, por edhe korrupsioni me pronat,” u shpreh me tej z.Toro.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›