E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita e luftës Rrëfimi i një fotografi në kufirin Shqipëri-Kosovë

Autori i Lajmit: Redaksia

Janë 49 fotografi, por që dëshmojnë një histori. Kronologjia e fokusimit të çasteve në aparatin fotografik nis që nga viti 1999 dhe vazhdon deri në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Fotografi sllovak, Andrej Ban, ka çuar në Prishtinë vështrimin e tij për Kosovën, brenda një dekade. Ban thotë se ka respektin më të sinqertë për ata të cilët kanë mbijetuar në luftë, kanë humbur familjet apo edhe të afërmit e tyre, ndërsa thekson se nuk mban anën e një etnie, por vetë atë të viktimës, pa marrë parasysh se kush janë ata.

Ekspozita me 49 fotografi

Në muajin mars të vitit 1999, ai ishte në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Brenda vetëm një dite, fotografi sllovak Andrej Ban, kishte parë 30 mijë shqiptarë që para tij kishin kaluar kufirin. “Kam qarë”, thotë shkurt Ban. Por rrugëtimi i tij nuk ndalet vetëm në përçimin e atij momenti jo shumë të mirë për sy dhe për ndjenja. Që nga atëherë e deri më sot, Ban i është rikthyer Kosovës për 40 herë. “Nga qyteti im i cili është Bratislava, është shumë afër. Mund ta pini kafen e mëngjesit në Bratislavë, ndërsa në mbrëmje të hani byrek në Prishtinë”, thotë ai. Pas gjithë këtyre rrugëtimeve, Ban del me një libër, i cili përbëhet prej 49 fotografive, i quajtur “Kosovo”. Puna e tij nis në Kukës dhe mbaron në ditën e shpalljes së pavarësisë, jo në Prishtinë, por në Skënderaj. “Për mua është një rrëfim shumë i fortë, sepse Kosova është në Evropë dhe shpresoj që është lufta e fundit në Evropë. Prandaj, edhe dua ti përçoj respektet e mia më të sinqerta gjithë njerëzve të cilët kanë mbijetuar në këtë luftë, që kanë humbur familjet apo të afërmit e tyre. Dua të tregoj se sa të fortë janë këta njerëz”, thotë Ban i emocionuar.

Pa anë etnike

Fotografitë që sjell Ban, nuk kanë ndonjë anim ndëretnik, por gjithmonë ato fotografi thuhet se mbajnë anën e viktimës, pa marrë parasysh se çfarë etnie i takojnë personazhet brenda kornizës. “Në fillim ishte çështja e refugjatëve dhe njerëzve që kanë humbur shtëpitë e tyre. Pastaj, në kohën kur të gjitha mediat po largoheshin nga Kosova, unë po kthehesha sepse pika ime kryesore është jeta e njerëzve të thjeshtë”, thotë Ban.
Fotografi sllovak ka qenë pjesë e familjeve kosovare, pranë dasmës dhe funeralit, gëzimit dhe dëshpërimit, ndërsa imazhe të tilla gjen edhe brenda librit të tij. Në një moment ai thotë: “unë nuk jam fotograf i luftës. Ka qenë shumë e vështirë... ndonjëherë jam ndjerë se nuk mund të fotografoj dhe të jem me ta....ndonjëherë po qaja me njerëz, ndërsa ndonjëherë kam qeshur me ta”, tregon Ban.

Kritika

Fotoalbumi i prezantuar nga Ban përbëhet prej shikimeve personale, dëshmia e syve të tij, edhe pse ka pasur disa kritika se Kosova është paraqitur në mënyrë të zymtë, në raport me progresin që ka arritur. Libri i Ban është prezantuar edhe në Sllovaki, ku është pritur mirë nga kritika profesionale, por edhe jo nga populli, siç thotë Ban. Kjo për shkak të qëndrimeve që ka Sllovakia rreth shtetit të Kosovës. Ndërsa Ban e ka cilësuar si të pashmangshme pavarësinë e Kosovës. “Dëshiroj që këtë libër ta prezantoj edhe në vende të tjera të Evropës. Ndërsa rrëfimi im për Kosovën është prezantuar edhe në Kongresin Amerikan në vitin 2000”, tha Ban. Libri fotografik i Andrej Ban është prezantuar në librarinë Dite Nat. Çmimi për blerjen e tij është 35 euro.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›