E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet kapiten i ri në anijen drejt BE-së

Autori i Lajmit: Nga M.A Nertila Sadedini, Eksperte Ligjore
Anija shqiptare ështe në mes të detit.
Nuk drejtohet dot…..Mungon kapiteni për ta çuar në bregun “matanë”, në breg të Bashkimit Evropian. Ka shumë “ngatërresa”. Janë ngatërresa për standardet që do BE-ja për Shqipërinë. Tajar Zavalani, në esenë “Çpamë në Evropë. Çgjejmë në Shqipëri”, ndër të tjera shkruan: “Atje u munduam, si cilido pas takatit dhe zotësisë, të shkundim pluhurin e mbrapështisë ku qemë rritur, të çkëputemi nga idetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë”. Dhe ja çfarë ne duhet të bëjmë sot.
Ata që flasin, duhet ti kenë të qarta standardet, kush janë dhe si plotësohen.
Çështja është të shkojmë drejt Evropës, por jo të vrapojmë, të mbërrijmë...atje.
Procesi i rikthimit të shqiptarëve në familjen e kombeve të civilizuara perëndimore duhet, ti përshtatet standardeve të shumëfishta që lidhen me politikën, ekonominë, gjyqësorin, të rimendojë çështje të ndjeshme psikologjike, ato që Plasari i koncepton si “vlera të një shpirti”.
Akulturimi i një kombi është vrasja më e tmerrshme e tij. Dhe kur ky soj degjenerimi zotëron një shoqëri, atëherë prishet i tërë sistemi dhe degjenerohet gjithë hierarkia shoqërore. Shqiptarët me shekuj e dekada kanë përjetuar akulturim, prandaj është kohë të rimendohet kjo dhe të rikthejmë besimin tek vetja dhe te rruga jonë e përbashkët për të qenë pjesë e Shpirtit të Evropës së Bashkuar.
Na duhet shumë punë, të plotësojmë kriteret, Kriteret e Kopenhagenit. Na duhet shumë punë për të parandaluar krimin e organizuar, korrupsionin, paaftësinë dhe injorancën e administratës publike që, çuditërisht dhe në mënyrën më të habitshme, edhe për këtë fenomen, ne thyejmë rekordin (Guines), drejtojnë profesionë të kundërta me atë çfarë kanë mbaruar.
Prona në mënyrën e saj të administrimit me vendime dhe kundërvendime do të jetë një “ngërç” për të gjitha qeveritë shqiptare, të majta apo të djathta, do të jetë dhe një ngërç për Evropën e Bashkuar. Si një e drejtë themelore e njeriut, ajo vlerësohet sa një grosh dhe e bën të pamundur investimin e huaj. Ku të investojmë kur ska pronë me emrin pronar. Duhet bërë shumë qilizmë në këto fusha, punë praktike dhe organizim për të arritur ato rezultate që kërkohen.
Çfarë nuk është bërë mirë? Përgjigjjuni kësaj pyetjeje, zotërinj politikanë. Kush e ka fajin? Kush është përgjegjës? Përgjigjjuni kësaj pyetjeje ju drejtues të anijes shqiptare.
Nuk ka pse vjedh vota, nuk ka pse të heqë njerëz nga puna, nuk ka pse të bëhet korrupsion. Janë gjëra që varen nga kapiteni.
Eshtë gati e papërtypshme se si në ndarjen e pushteteve në Shqipëri, sot mbizoteron një mediokritet i tillë sa të mbajë pezull të drejtat e një demokracie dhe zgjidhjen e nyjeve që do të mundësonin liberalizimin dhe autonominë e institucioneve të pavaruara.
Ndarja e pushteteve drejt popullit dhe demokracisë
Jemi një fasadë ku ka kaos dhe anarki. Kohët e fundit stërflitet për pozicionin e gjykatës dhe prokurorisë, për vendimet e tyre, që shpesh herë janë fryt i presioneve, influencave dhe një limitacioni në shprehjen e së drejtës dhe pavarësisë si institucion.
Sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë strategjike me qëllim që të garantohet një gjyqësor në dokument. Më kritik se raporti i nëntorit paraqitet dhe situata për lirinë e medias.

Nga BE mesazhet janë të qarta.

Plotësimi i kushteve që bëhen gjithmonë e më të rrepta në përputhje me standardet evropiane, si kufizimi i kapaciteteve të administratës, krimin e organizuar, mbrojtja e konsumatorit dhe politika sociale.
Ligji duhet të forcohet, ka shumë ligje, po nuk zbatohen. Hapa për të siguruar pavarësinë, transparencën dhe efikasitetin e gjyqësorit dhe administratës shtetërore.
E pra, që të arrihen këto që kërkon Evropa, nuk duhet të vidhet vota, nuk hiqen njerëz nga puna, nuk bëhet korrupsion, çështja e pronës e parashikuar në Kushtetutën e RSh cenohet dhe nuk ka zgjidhje.
Ka ardhur koha që përgjegjësit e kësaj vonese të mos lejohen të na zvarrisin, të ndihmojnë popullin e tyre.
Ka ardhur koha që të futemi në rrugën e duhur, se ne jemi popull me pak pretendime.
Si unë mendojnë të gjithë ata që duan të bëjnë Shqipërinë, me nivelin e lartë të kualifikimit. Por e rëndësishme është që këtë njeri, ta lënë të punojë, ta lënë të japë mendime dhe të falë përkushtim. Nuk ka heshtje, nuk ka heshtje për korrupsionin, nuk ka heshtje për vjedhjen e votës, për të drejtën e pronarit mbi tokë. Kriteri ekonomik, ku ekonomia shqiptare sa vjen dhe bëhet gjithmonë më e varur nga tregu i huaj, duke rritur kështu importin dhe kjo sjell deficitin tregtar (shkaqet remitanca dhe eksportet).
Shumë parime kryesore të legjislacionit tonë janë lënë mënjanë për të qenë ndoshta më vonë pjesë e vendimeve të Këshillit të Ministrave, si p.sh. kufizimet dhe përcaktimet për ndërtimet në zonat bregdetare, ishujt, rrugët kombëtare etj.
E pra, në momentin kur BE është shumë afër nesh dhe sheh se çfarë bëjmë ne.
Eshtë moment imediat që ne të kuptojmë dhe pranojmë Evropën si një bashkësi e vlerave të përbashkëta apo si “trashëgimia e përbashkët me domethënie evropiane” të bëhet formulë për orvajtjet tona. Në këtë formulë politike e kulturore fshihet esenca e shumë debateve për rikthimin e shqiptarëve në Perëndim. Këtë betejë e kanë nisur tribunët e mendimit shqiptar: Faik Konica, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mithat Frashëri, Krist Maloku, e shumë të tjerë, ndërkaq ideali i tyre akoma nuk është jetësuar. Ne rropatemi drejt rikthimit në Perëndim, mirëpo mbesim ende me avarinë e pashembullt të jetës joperëndimore, një tip i së cilës funksionon në çdo segment me rëndësi.
Mënyra për të mos përsëritur rutinën antikushtetuese, antidemokratike, por integrimin në Evropën e Bashkuar është ...........gjejeni, politikanë, dhe veproni, përndryshe historia do tju dënojë.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›