BE:Bullgaria të shpejtojë reformat

Bashkimi Europian kërkon që Bullgaria të shpejtojë procesin e reformave dhe ta trajtojë luftën kundër korrupsionit si prioritetin e saj numër një. Pas një takimi me kryeministrin e Bullgarisë Sergei Stanishev, Presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso tha se vendi ballkanas duhet të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit si dhe në fushën juridike. Por Barroso paralajmëroi se lufta anti-korrupsion duhet drejtuar nga përpjekje të përbashkëta të politikës. Opozita bullgare ka kërkuar zgjedhje të parakohshme për shkak të korrupsionit qeveritar, sic pretendojnë ata, si dhe ndalimit të ndihmave për vendin nga ana e BE-së. Por lëvizja opozitare është e pashpresë për të rrëzuar koalicionin qeverisës, pasi ata kanë një maxhorancë shumë të fortë në parlament. "Procesi i reformave duhet të përshpjetohet, pasi po ecën me hapa shumë të ngadalta. Ne kërkojmë konsensus në Bullgari, në mënyrë që korrupsioni, krimi i organizuar dhe cështje të tjera me rëndësi kombëtare të trajtohen në nivele më të larta", tha kreu i Komisionit Europian Barroso. Bashkimi Europian pezulloi një fond prej 220 milionë eurosh muajin e kaluar për Bullgarinë, pasi vendi dështoi në mënjanimin e mashtrimeve qeveritare dhe u shpreh se ky vend mund të humbasë edhe 340 milionë euro të tjera, në qoftë se dështon në frenimin e praktikave korruptive deri në fund të vitit 2009. Ndërsa kryeministri bullgar Stanishev deklaroi se qeveria e vendit të tij do të bënte ç'është e mundur për rekuperimin e mangësive të konstatuara nga BE-ja.