E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haga:Karaxhiç s'mund të ketë imunitet

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës ka vendosur se çdo marrëveshje që i jep imunitet ndaj ndjekjes penale një të dyshuari të akuzuar do të jetë e pavlefshme. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vendosi të enjten se një marrëveshje që i jep imunitet ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç do të jetë e pavlefshme, pasi shkel ligjin ndërkombëtar. Karaxhiç pretendon se i dërguari amerikan për paqen Riçard Holbruk kishte rënë dakort për një marrëveshje që i jepte ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes imunitet ndaj ndjekjeve penale në qoftë se do të tërhiqej nga jeta publike. Por Riçard Holbruk mohon të ketë bërë një marrëveshje të tillë. Gjykata e Hagës urdhëroi prokurorët që t'i japin Karaxhiçit çdo dokument nga takimet e korrikut të vitit 1996 me të dërguarin Holbruk, përfshirë këtu ato që mund të parashtrojnë negociatat për imunitet. Gjykata ngriti padi ndaj Karaxhiçit për gjenocid dhe krime lufte, për rolin e tij gjatë konflitit në Bosnje-Hercegovinë. Radovan Karaxhiç u arrestua në korrik të këtij viti, në afërsi të Beogradit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›