KFOR: Misioni ynë për paqe vazhdon

Zyrtarë të KFOR-it deklarojnë se misioni i tyre mbetet i njëjtë, ruajtja e paqes dhe qetësisë në Kosovë nën mandatin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Në një konferencë për shtyp, të fundit për këtë vit, zëdhënësi i forcave paqeruajtëse, Adriano Graziani, tha se trupat e KFOR-it do të ndihmojnë policët ndërkombëtarë të misionit EULEX, nëse nga ata kërkohet ndihmë. Mirëpo sipas tij, tani për tani kjo ndihmë nuk duket të jetë e nevojshme, sepse misioni europian është pranuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai beson se policia ndërkombëtare në punën e saj nuk do ta hasë në ndonjë telash. Forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të angazhuara në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK dhe në trajnimin e oficerëve të rinj. Disa faza të trajnimeve tashmë kanë përfunduar, ndërsa KFOR-i është në pritje të autoriteteve kosovare që të zgjedhin strukturat udhëheqëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Partnerët e koalicionit qeverisës akoma nuk kanë rënë dakord se kush do të jetë komandant i FSK-së. Në këtë proces ka vonesa dhe për këtë krerët e forcave paqeruajtëse kanë kritikuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Udhëheqësit ushtarakë të KFOR-it kanë thënë se pala kosovare nuk e ka kryer punën e saj, por prapë se prapë ata besojnë se shpërbërja e TMK-së dhe krijimi Forcës së Sigurisë së Kosovës do të përfundojë me sukses.