Teixeira: "Kosova, shtet demokratik"

Ministri portugez i Mbrojtjes Nuno Severiano Teikseira ka deklaruar gjatë një vizite në Prishtinë se Portugalia është shumë e përkushtuar për Kosovën që nga fillimi i procesit, jo vetëm në nivelin politik por edhe ushtarak. "Portugalia tashmë e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe jemi të sigurt se Kosova do të konsolidohet si një shtet i fuqishëm multietnik dhe demokratik", tha Teikseira. Ministri portugez u prit të enjten nga Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu . Sejdiu e falënderoi Teikseirën për mbështetjen që Portugalia i ka dhënë Kosovës në procese të gjata kohore dhe për rolin e saj të veçantë në kohën e udhëheqjes së saj të BE-së, si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës në një moment jashtëzakonisht të veçantë dhe të rëndësishëm. Gjithashtu, presidenti Sejdiu e vlerësoi përkushtimin e veçantë që ka Portugalia për mbështetjen e mëtejshme të Kosovës në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të Bashkimit Europian, EULEX-it dhe KFOR-it, si dhe në procese të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunime në nivele ekonomike politike dhe të tjera. Ndërkohë, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për çështjen e vonesave në emërimin e komandantit të Forcës së Sigurisë, presidenti Sejdiu këtë çështje e vlerësoi si nevojë e konsultimeve të domosdoshme e jo si vonesë