E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cervenkovski: Ndarja e Kosovës,rrezik për Ballkanin

Presidenti i Maqedonisë Branko Cervenkovski deklaroi se skenarët për ndarjen e shtetit të Kosovës në bazë të linjës etnike, janë të rrezikshëm dhe mund të sjellin pasoja të rënda për rajonin. Cervenkovski tha se bashkësia ndërkombëtare duhet me patjetër që të ketë parasysh këtë fakt. "Në këtë kuptim ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës janë mjaft brengosëse", tha Cërvenkovski në fjalimin e tij vjetor në Parlamentin e Maqedonisë. Cervenkovski më pas u shpreh se Maqedonia me aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës ka konstatuar realitetin e ri në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai po ashtu theksoi se Maqedonia duhet të punojë më shumë që të normalizojë marrëdhëniet me fqinjët, e posaçërisht me Serbinë. Në planin e integrimeve euroatlantike, presidenti maqedonas theksoi se vendi i tij nuk ka alternativë tjetër përvec integrimit në NATO dhe BE. "Nuk ekziston, as që mund të ekzistojë një alternativë serioze për të ardhmen e Maqedonisë dhe për integrimin tonë në NATO dhe BE. Gjithçka tjetër, nuk është një koncept zhvillimi, por vetëm një luftë për ekzistencë të zhveshur", theksoi Cervenkovski, për të shtuar se, kjo vlen për të gjitha shtetet e rajonit. "Pa integrime të suksesshme euroatlantike nuk do të ketë investime të huaja, nuk do të ketë vende të reja të punës dhe nuk do të ketë ulje të papunësisë", përfundoi Presidenti i Maqedonisë Branko Cervenkovski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›