E Shtunë, 31 Tetor 2026

BEDZ,Berisha: Bashkëpunimi, stabilitet në rajon

Nisi sot në Tiranë takimi i 19-të i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të Detit të Zi. Kryeministri shqiptar Berisha theksoi se bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare në BEDZ kontribuon në stabilitetin në rajon. 

TIRANE- Kryeministri shqiptar Sali Berisha e cilësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin ekonomik në kuadër të kësaj organizate e cila jep një kontribut “për të zgjidhur problematikat e trashëguara si dhe kontribuon në paqen dhe stabilitetin ndërmjet vendeve të këtij rajoni”.
“Rajoni është rajoni i rrugëve më të mëdha energjetike, të transportit, të shkëmbimit tokësor midis dy kontinenteve, të shkëmbimeve të mëdha tregtare. Të gjitha këto kanë një kusht fondamental për tu bërë relitet”- tha kryeministri Berisha në fjalën e tij.
Më tej kryeministri tha se Shqipëria pret anëtarsimin e saj në NATO pranverën që vjen dhe se ajo po punon me vendosmëri për zbatimin e kërkesave të domosdoshme për të marrë statusin e kandidatit në rrugën e BE-së.
Kryeministri Berisha beson se dialogu, zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve anëtare në këtë organizatë do të bëjë të mundur një zgjidhje të drejtë paqësore të problemeve të trashëguara.
Shqipëria do të dorëzojë presidencën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të Detit të Zi Armenisë. Kryeministri Berisha tha se gjatë presidencës së saj Shqipëria ka synuar të rrisë efiqencën e bashkëpunimit ndërmjet vendeve. Ai vlerësoi si hap të rëndësishëm punën e bërë në liberalizimin e vizave dhe siguroi përfaqësuesit e 12 vendeve anëtare se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në konsolidimin e kësaj organizate
Një nga dokumentat kryesorë të takimit, do të jetë diskutimi e miratimi nga Ministrat e Jashtëm të “Deklaratës së Tiranës”, që do të pasqyrojë qëndrimet e përbashkëta të vendeve anëtare lidhur me bashkëpunimin në kuadër të BEDZ-it dhe të aktiviteteve të tij, si dhe për prioritetet dhe vizionin e tyre për rolin dhe funksionimin e Organizatës. Takimi ka rëndësi rajonale që pozicionin e Shqipërisë, si një vend i cili merr përgjegjësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla të mëdha. Pas Shqipërisë Armenia do të marrë kryesimin e Këshillit të Ministrave të jashtëm të Detit të Zi.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›