BEI, 120 milionë euro “Piraeus Bank”, për biznesin e vogël e të mesëm në Ballkan
“Piraeus Bank Group” njofton zgjerimin e bashkëpunimit me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), i cili ka nisur që prej tetorit të vitit 2008. Banka Evropiane për Investim do të japë në formë granti 120 milionë euro më shumë për “Piraeus Bank Group”, për financimin e Biznesit të Vogël e të Mesëm (SME) në 4 shtete, Shqipëri, Bullgari, Rumani dhe Serbi. “Piraeus Bank Group” do të rrisë financimet e tij për biznesin në Ballkan dhe do të mbështesë më tej kompanitë e ndryshme në investimet e reja. Këto kapitale do të përdoren për kredi afatmesme dhe afatgjata me kushte tepër konkurruese në treg për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si sektori industrial, shërbime (përfshirë turizmin), agrikulturë, shëndetësi, energjetikë, mbrojtjen e ambientit dhe të tjera. Qëllimi është të prodhojmë përfitime thelbësore për kompanitë që do të marrin këto kredi, por gjithashtu edhe për ekonomitë lokale. Iniciativa e “Piraeus Bank” është akoma më e rëndësishme në këtë periudhë, kur shtimi i aktivitetit financues në Ballkan është i domosdoshëm dhe sektorit bankar i duhet të punojë për këtë qëllim. “Piraeus Bank Group” në mënyrë aktive mbështet të gjithë sektorët e ekonomisë së këtyre vendeve dhe përpjekjet e klientëve tanë në biznesin e tyre. Ky bashkëpunim me EIB dhe ky grant për rrjetin e “Piraeus Bank Group” në Ballkan shënon vazhdimësinë e një bashkëpunimi të suksesshëm që dy bankat kanë pasur në Greqi, me një shumë totale prej 150 milionë eurosh, të përdorura për financimin e SME-ve në këtë vend, si dhe dëshmon rolin e liderit që “Piraeus Bank” ka në këtë drejtim.