E Diel, 1 Nëntor 2026

BERISHA SI LAJM RAJONAL

Kryeministri Berisha, gjatë kësaj jave, është bërë emri i ripërmendur në mediat rajonale, e sidomos në ato të hapësirës shqiptare në Ballkan. Në këtë shumëpërmendje ka paraprirë lajmi rutinë i vizitave dhe shkëmbimeve partiako-politike midis udhëheqësve dhe përfaqësuesve partiakë të Kosovës, në selinë kryeministrore në Tiranë.

Në takimin me kryetarin e opozitës së Kosovës, kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, Kryeministri Berisha nënshkroi një memorandum bashkëpunimi. Dy ditë, më pas, po në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë mbërriti një grup drejtuesish të LDK-së, madje drejtues të grupit parlamentar të kësaj force. Pak ditë më pas, Menduh Thaçi takohet me Haradinajn në Prishtinë, duke dialoguar edhe për efektin politik që mund të sjellë bojkoti i paralajmëruar i forcës së tij në Parlamentin e Shkupit. Gjithashtu, në Shkup, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i ka kërkuar Shqipërisë zyrtare, nënkupto Kryeministrit Berisha, të kushtëzojnë me veto Maqedoninë për anëtarësimin e saj në NATO, e natyrisht edhe për rritje të presionit kushtëzues për statusin dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë republikë.

Së fundi,në Tiranë, në media, janë aktivizuar, duke pasur hapësirë të konsiderueshme, emra të njohur të minoritetit grek, tashmë të rekrutuar në administratën e Kryeministrit Berisha, ose të pozicionuar hapur pro tij dhe kundër kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ish-deputeti i PBDNJ-së, Thoma Miço dhe ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Koço Barka, nisën dje, një cikël reagimesh kritike, kërkesash dorëheqëse për kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në këtë aktivizim të ri, me sa duket, nuk do të kursehet as kryetari i OMONIA-s, i vetëndjeri grek-himariot, Vasil Bollano.

Për sa i përket zgjimit të ri, të oponentëve të kreut politik, Dule, të minoritetit grek, duhet thënë se shantazhi mes grupit të udhëheqësisë së minoritetit tashmë është një akt i nisur. Dule, i mbetur në pozitën e forcës në opozitë, i duhet të përballet më shumë se kaq. Reagimet e Miços dhe Barkës mund të jenë parathënie e një përfshirjeje në skemën e pjesëmarrjes në nivele të dyta të qeverisë, të këtyre ish-drejtuesve apo politikanëve minoritarë. Përvoja e Kryeministrit Berisha me Bollanon, në mandatin e deritanishëm qeverisës, mund të vlerësohet si një pragmatizëm i mirërealizuar. Heshtja e lexuar e diferencës së krijuar mes Dules dhe Bollanos, domethënë mes PBDNJ-së dhe OMONIA-s në raport me Berishën, flet qartë, për një krisje që, në mos do të thellohet, do të ketë nevojë për kujdestar ndërhyrës.

Në kësi rastesh, publiku shqiptar ka parë, dhe Athina, përmes minoritetit në Shqipëri, ka përfituar. Në kësi rrethanash, diplomacia e shtetit amë të minoritarëve ka aktivizuar, me vizita në Tiranë e në minoritet, zëvendësministrat e vet të Jashtëm. Sipas të gjitha gjasave, ky itinerar tradicional do të ripërsëritet sërish, së shpejti. Nëse javën e ardhshme, debati ndër minoritarë do të përshkallëzohet, atëherë Kryeministri ynë Berisha do të dijë si të përcjellë një tjetër akt lëvizës, për sensibilizim dhe vlerësim ndërkombëtarësh në sjelljen e tij ndaj pakicës.

Indirekt apo për arsye të axhendës ditore, Kryeministri Berisha këto ditë është bërë lajm për rajonin. Kjo fushatë e papritur vizitash partiake, takimesh dhe reagimesh nga Kosova në Tiranë, të cilat e ekspozojnë si influent atë, nuk i shmangen kontekstit rajonal dhe situatës lëvizëse në Ballkan.

Javën e ardhshme, Kryeministri Berisha, së bashku me aleatin e ri qeverisës, Ilir Meta, të ardhurin nga e majta, do të nisë komunikimin me publikun për këtë qëllim. Bashkëjetesa e re politike, e dy emrave më të shenjuar për zotësi dhe pushtet-imponim, është faqja më e re e historisë me zhvillime të befta politike në vend. Ngjizja e kësaj bashkëjetese po realizohet në mjedis dhe gjendje seriozisht diskrete. Asgjë prej skemës konkrete të ngritjes së kabinetit nuk është bërë e njohur për publikun deri tani. Asnjë pohim për skemën përfaqësuese të secilës prej dy forcave kryesore në këtë qeveri mikse dhe, asnjë fjalë e tepërt për konstruktin dhe arkitekturën konkrete që do të ketë kabineti Berisha-Meta.

Disa pohime aleatësh, si republikanët përmes Sabri Godos apo PDI përmes Muedinit, më tepër kanë qenë zëra për një sfond, sesa ndërhyrje skemë-prishëse në ndarjen e hiseve të pushtetit. Fushata, me fund të njohur, për Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, ka qenë e vetëmjaftueshme për t‘i lënë në shejtninë e bisedimit qeveri-bërës zotin Berisha dhe zotin Meta. E parë në këtë optikë, shumëkujt do t‘i rezultonte si e rendit të parë çështja e debatit apo diskutimit për emrat dhe kabinetin e ri qeverisës. Mirëpo, kjo me sa duket ka ndodhur pa bujë, diskutimi do lihet pas "faktit të kryer".

Mediat e Shqipërisë po rikthehen te Kryeministri Berisha, përmes lajmeve që ka përcjellë ai në Kosovë, Maqedoni, e së fundi përmes minoritarëve edhe në Greqi. Kryeministri që po rikurorëzojmë, ne mediave të Tiranës, po na rikthehet sipas dëshirës së tij, në fund-gusht, në qendër të vëmendjes. Këto ditë, kryepartiaku Berisha preferon të jetë lajm për rajonin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›