Mario Rigorni Stern: Shqipëria e luftës në sytë e një rreshteri
Më shumë se gjithçka dashuronte natyrën, malet e sidomos agimin e diellit mes maleve. Ngjitej kur ende ishte errësirë dhe priste aty agimin. Një spektakël i natyrës, të cilin e dashuroi ngaherë.
Maleve, pikërisht atyre që i njihte kaq mirë, u shkroi faqe të paharrueshme. Fillimisht i hodhi ndjesitë në një ditar, në faqet e të cilit nuk harroi të shkruante edhe gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Por rrëfeu më shumë se kaq. Mario Rigoni Stern, mbi të gjitha shkroi një ndër romanet më të lexuara të shekullit të shkuar. "Rreshteri në dëborë" është një histori e jashtëzakonshme, fryt i eksperiencës personale të autorit, i cili mori pjesë në fushatën e Rusisë, nga e cila arriti të dilte i gjallë së bashku me një grup alpinistësh italianë gjatë tërheqjes së Rusisë. Në vitin 1938 ai rekrutohet vullnetar në Shkollën Ushtarake të Alpinizmit dhe më vonë lufton si alpinist në divizionin Tridentina, në batalionin Vestone, në kufi me Francën, në kohën kur Italia hyri në luftë, në Shqipëri, Greqi e Rusi pikërisht në vendin ku përjetoi edhe tragjedinë e tërheqjes. I kapur si i burgosur lufte nga gjermanët, të cilët e dërgojnë në Prusinë Lindore ai kthehet në shtëpi në këmbë, pas kaloi dy vite në kamp përqendrimi, më 5 maj 1945. Kohë më vonë do të deklaronte se momenti kulmor i jetës së tij nuk ka qenë kur fitoi çmime letrare, as kur shkroi libra, por nata kur u nis nga Italia drejt Donit me 70 alpinistë dhe kur nisën të ecnin drejt Perëndimit për t‘u kthyer në shtëpi. "Ia dola mbanë të kthehesha pa humbur asnjë burrë. Kjo ka qenë dita më e rëndësishme e jetës sime". Kthehet në vendin e lindjes në Asiago, ku lindi më 1 nëntor të vitit 1921, vend nga i cili nuk u shkëput më deri kur ndërroi jetë, më 16 qershor të vitit 2008. Pas përvojës së përftuar, ndjesive me të cilat shpirti ishte mbushur, ai nisi të shkruajë. Krijimtaria e tij numëron një sërë romanësh, mes të cilëve, njëri i kushtohet Shqipërisë. "Quota Albania" i shkruar në vitin 1971, është një rrëfim i freskët dhe mjaft aventurier i një eksperience të tmerrshme, siç ishte lufta për të riun Mario, por edhe për shumë të tjerë të gjeneratës së tij, të rritur nën hijen e një fashizmi provincial dhe mendjemadh. Lufta është një aventurë e madhe romantike dhe e rrezikshme, e filtruar dhe e përcjellë nëpërmjet lentës së shpirtit e trupit të alpinistit. Ndaj edhe dimensioni thuajse në agoni i jetës në mal bëhet pjesë thelbësore e kësaj eksperience ushtarake, të cilën i riu dalëngadalë nis ta shikojë si një çmenduri absurde, ashtu siç në të vërtetë është një sulm kundër një populli civil dhe vëlla fillimisht, që ishte Franca, më pas kundër një kombi çobanësh dhe malësorësh siç ishte Greqia e më pastaj lufta arrogante dhe e varfër, pa armë e veshje, nën shi e dëborë, duke zbuluar në Shqipëri se një malësor nga krahina e Venetos e kupton më mirë jetën e një malësori shqiptar se sa atë të një qytetari puliez apo napolitan. Ai mësoi se në luftë, e rëndësishme është të kalosh frikën, kjo është pika kyçe. "Sepse me të hyrë në luftë, pas luftimeve në Francë, pas vuajtjeve në Shqipëri, mes urisë e të ftohtit, borës e baltës, me të kaluar këtë frikë ne nisëm të arsyetonim ndryshe, edhe pse ishim shumë të rinj. Në fakt, kjo na bëri edhe më të fortë për të kaluar gjithë sa gjetëm në Rusi, masakrat që pamë dhe pikërisht aty kuptuam se ndodheshim nga ana e gabuar. Ndaj edhe kalova 20 muaj në kamp përqendrimi, duke vazhduar luftën kundër tyre", do të rrëfente Stern në një intervistë.
E pavarësisht gjithë këtyre, libri "Quota Albania" nuk shpreh ndonjë hatërmbetje politike, madje as ndonjë ndjenjë të vonë antifashiste. Ashtu si në veprën e tij të parë të shkruar "Rreshteri në dëborë", edhe në këtë vëllim Rigoni mbetet besnik i një ideali të një autobiografie të pastër, të pagënjeshtërt. Atij nuk i intereson të kërkojë një identitet prej rebeli apo prej antifashisti të krijuar, por synon të prezantohet sa më i qartë të jetë e mundur për atë që ishte, një i ri naiv, pa eksperiencë për jetën, romantik, sportiv, i lexuar dhe me një ëndërr dashurie prej adoleshenti në kokë. Ky autoportret, kaq i thjeshtë, thellohet më shumë mbi marrëdhënien mes shokëve të armëve, shumë prej të cilëve të rënë në luftë, sesa mbi një analizë psikologjike të vetes. Kush ishte i riu Mario ushtar në Shqipëri dhe në Rusi, e tregojnë shumë mirë përshkrimet e peizazheve që ai përcjell, si dhe përshkrimi i jetës së përditshme, momentet e shkurtra kur ka ndjerë lirinë, kujtimet e shtëpisë që lindin netëve të vona, të cilat gërshetohen me kujtimet e rinisë së lumtur të kaluara në familje. Në këtë libër ai shpreh një pjekuri stilistike, e cila shoqërohet me një stil të shkruari më të personalizuar dhe të lirë, një prozë e thjeshtë që i kushton vëmendje përshkrimit me komente të pakta. Lufta është dhunë kundër natyrës, është një eksperiencë që ndan njerëzit mes tyre, ndonjëherë edhe mes vetes, e megjithatë është e drejtë kur duhet për t‘u mbrojtur prej njerëzve që veprojnë pro dhunës. Rigoni ishte ushtar i trupës italiane, i cili mbante gradën rreshter major, që në çdo libër të shkruar apo në kujtimet e tij ka theksuar faktin se në atë kohë ishte një i ri naiv dhe i bindur, i përfshirë prej ndjenjës së detyrës dhe përgjegjësisë kundrejt shokëve që vareshin prej tij. Por nuk ishte i qartë aq sa duhet për të kuptuar se luftonte në një luftë të padrejtë në krah të vrasësve nazistë. Ai e përshkruan eksperiencën e vet si pushtues, sikur të ishte duke menduar për tokën e vet të shtypur nga trupat e huaja. Të gjitha këto Rigoni i përshkruan në "Quota Albania". Ngjarjet e përjetuara gjatë Luftës së Dytë Botërore mes viteve 1940 dhe 1941 tregojnë kohën kur shkrimtari duhej të bënte rreth 20 kilometra në këmbë çdo ditë për të çuar letra dhe urdhra nga një vend në tjetrin. Është një i ri që jeton luftën me shpresën se ndoshta një ditë do të marrë letra nga familja dhe e fejuara. Viti i luftës i treguar nga Rigoni përhumbet mes dëborës, baltës, plagëve dhe shumë, shumë vdekjeve, që si në një marshim parakalojnë të heshtura. "Zgjedh një vend që më duket i mirë dhe mbështillem me mantelin tim. Pylli dhe përroi pëshpëritin nëpër natë; hëna shfaqet dhe humbet sërish mes reve. Asgjë tjetër. Do të doja të vazhdoja ëndrrën, por më duket sikur disa hije lëvizin. I fiksoj sytë në errësirë dhe dystohem në terren, duke u tërhequr zvarrë për pak metra: ishte vetëm një gëmushë që lëvizi nën dritën e hënës. Por edhe në pyll lëvizin degët e pemëve. Apo është ndonjë patrullë? Duhet vetëm të kontrolloj veten dhe të mos e tërheq gishtin për të qëlluar. Retë vazhdojnë të mbulojnë dhe të zbulojnë hënën dhe kur ka dritë tremben, sepse hijet duken si njerëz dhe kur është errësirë kam frikë, sepse nuk mund të shihet asgjë dhe zhurma që vjen prej përroit e prej degëve që i lëviz era, mbulon zhurmët e tjera dhe kështu nuk mund t‘i ndiej ato". Ja disa prej momenteve të jetuara në tokën shqiptare. Frikë sigurisht. Edhe ai ishte njerëzor. Ai vetë pati thënë se librat e tij nuk flasin për pranvera të heshtura apo për pemë të thata, por për gjëra që akoma mund të shijohen, mjaft të kesh dëshirë për të jetuar dhe vullnet për të ecur, si edhe durim për të vëzhguar. Ndjenja etike e shkrimtarit përpunohet nëpërmjet librave të tij dhe veç luftës, ai përshkruan edhe pikat e takimit mes kulturës nga ai vjen dhe vendit ku ndodhet. "Ka momente, në luftë dhe në paqe, ku njerëzit zbulojnë pikat e kontaktit real mes tyre dhe ata e lënë veten të lirë në çka bëjnë. Një çoban spanjoll dhe një rus, një punëtor gjerman e një sicilian, falë eksperiencës së punës e gjejnë një pikë të përbashkët mes tyre. Thjeshtësia është mënyra që e lidh jetën, ajo është e kundërta e vetmisë". Dhe gjithë kjo thjeshtësi është në thelb të solidaritetit të këtij njeriu dhe ai, nuk e përdor asnjëherë fjalën "armik" për vendin dhe njerëzit, kundër së cilëve është i detyruar të luftojë. Dhe e gjen këtë në Rusi, kur prej duarve të një fshatareje ha supë të ngrohtë dhe në shumë kujtime të tjera të dashura që zbehin kujtimet e luftës së çmendur, kujtime që koha i ka ëmbëlsuar, jo sepse i ka harruar momentet tragjike, por sepse ai gjithnjë ka dashur të kujtojë gjestet e miqësisë dhe jo të urrejtjes e dhunës. Rikujtimi i luftës për të nuk ishte prej ndjesisë tragjike apo plagëve të zemrës, por prej ndjenjës së paqes, e cila duket sikur i ka rrënjët pikërisht në natyrë. Dhe në fakt, lidhja e këtij shkrimtari me natyrën e kujtimet është esenca e veprave të tij. Në thuajse 50 vite krijimtari këto elemente nuk mungojnë asnjëherë. Letërsia e tij nisi me një tufë gjethesh në një çantë të vendosur mbi një shtrat në kampin gjerman të Prusisë Lindore. Ky është rreshteri i ri Mario Rigoni Stern, alpinisti që i shpëtoi tërheqjes tragjike nga Rusia të ushtrisë italiane mes fundit të vitit 1942 dhe fillimit të vitit 1943. Pikërisht këto ditë, por edhe shumë të tjera të jetuara në frontet e luftës, ai, rreshteri i thjeshtë, që papritmas u kthye në përgjegjësin e shumë jetëve të tjera, do t‘i rrëfejë me një krenari të kujdesshme në librat e tij, sikur të ishin ato ditët më të rëndësishme të jetës së tij. Mario Rigoni Stern ndërroi jetë vitin e shkuar në moshën 87-vjeçare.