E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashrita, njeriu i rekordeve

Të gjithë e njohin dhe e thërrasin zotëria i rekordeve, ndaj edhe ai ka hyrë në librin e rekordeve "Guinness" si njeriu që ka arritur absolutisht më shumë në botë. Gjithsej ka arritur të vendosë 236 përgjatë një karriere të nisur 30 vjet më parë. Iniciativa e parë e Ashrita Furmanit, një 54-vjeçar nga Nju Jorku, i takon vitit 1979 kur në qytetin e tij të lindjes arriti të bënte 27 mijë kërcime radhazi. Që atëherë ka shëtitur botën me një objektiv të vetëm: të bëhet zotëria i rekordeve. Është i aftë të ngjitet në mal me shkopinj të hollë, të ecë me një shishe qumësht mbi kokë, të përshkruajë kilometra të tërë, apo të lexojë njëkohësisht një poezi në 111 gjuhë të ndryshme. Ashrita ka arritur të shënojë njëkohësisht 100 rekorde (një sipërmarrje që pa dyshim i ka garantuar një vend nderi në librin e rekordeve). Ndërkaq, dy të tjerë nuk arriti t‘i vendoste dot, megjithatë, ai ndihet i qetë: "Pas meje është një person që mban 20 të tilla. Kështu që mund të them se iniciativa ime prej 100 rekordesh edhe për shumë kohë do të ketë një vend të sigurt". Në moshën 30-vjeçare Ashrita, emri i tij në sanskrisht do të thotë i "mbrojturi i Zotit", ka arritur të thyejë rekorde në çdo kontinent. Pasioni i Furmanit, që punon si përgjegjës në një dyqan ushqimesh në "Queens" lindi kur që fëmijë i ra në dorë një libër ku përshkruheshin rekordet e ndryshme të shënuara nga njerëzit. Pikërisht duke shfletuar atë libër nisi të kultivojë ëndrrën për të parë se si çmenduritë e tij do të tregoheshin në gjithë botën, edhe pse nuk kishte shumë besim në kapacitetet e trupit të tij. "Nuk isha ndonjë djalë sportiv, isha i dobët dhe shpesh viktimë e përtacisë. Nuk isha i interesuar për asnjë lloj sporti në veçanti. Aktivitetet fizike nuk bënin pjesë fare në planet e mia dhe aq më tepër në mendimet e mia. Por pastaj diçka ndryshoi kur nisa të studioja artin oriental të meditimit". Mjeshtri i tij, kandidati i çmimit "Nobel për Paqen" dhe udhëheqësi i tij shpirtëror, indiani Sri Chinmoy, mbajtës i disa rekordeve e shtyu për më tej. "Ka ndryshuar jetën time", shpjegon Furman që ka nisur të punojë mbi lidhjen mes "mendjes dhe trupit" dhe falë meditimit vendosi që të ketë si objektiv atë të testuarit të kufijve të tij. "Shumë shpejt e kuptova se këta kufij janë të gjithë në mendjen tonë. Sekreti është të vendosësh një kontratë me shpirtin tonë të brendshëm. Nuk bëhet fjalë të mundë dikë ose për egon time, shkruan në faqen e tij të internetit, duke u përpjekur t‘i japë një kuptim kësaj dëshire të tij për të dalë i pari - dua vetëm t‘u tregoj njerëzve se nuk ka kufij për gjërat që mund të bëjmë". Sigurisht që rekorde ka arritur me qindra, madje shumë prej tyre të çuditshëm. Brenda një minute ka arritur të kapë me gojë 77 kokrra vezë, apo ka recituar edhe një poezi në 111 gjuhë, mes të cilave disa shumë të rralla. Ka thyer 53 vezë me kokë në 30 sekonda; ka fryrë një top basketbolli 399 herë në minutë dhe ka arritur të ndezë në një minutë 48.523 qirinj mbi tortë. Brenda 24 sekondave ka qëruar dhe ka ngrënë tri kivi, për të qëruar një limon dhe për ta shtrydhur i është dashur 1 sekondë) ndërsa ka ngrënë 22 kokë hudhra i ka mjaftuar një minutë. Duke përdorur një shpatë samuraji preu 27 mollë të hedhura në ajër; i lidhur me zinxhirë ka arritur të qëndrojë nën ujë me delfinët plot tri minuta. Megjithatë, në gjithë këto përpjekje për të shënuar rekorde nuk kanë munguar edhe incidentet; në tentativën për të vendosur rekordin e botës në hedhjen e topave nën ujë në Malajzi, u ndërpre nga një peshkaqen që e ndoqi nga pas dhe e detyroi të hiqte dorë nga kjo iniciativë. Në faqen e tij të internetit, ai ofron edhe këshilla për të gjithë ata që duan të ndjekin gjurmët e tij. Po rekordi tjetër? Stërvitjet kanë nisur prej kohësh, sepse Ashrita i ka vënë vetes një qëllim të vetëm: gjatë gjithë jetës së tij dhe aq sa të ketë mundësi të shënojë vetëm rekorde.

Libri

Libri i rekordeve "Guinness" apo siç quhet ndryshe në gjuhën angleze "Guinness World Records" është një libër që botohet çdo vit që prej 1955-s ku përmblidhen të gjitha rekordet e botës, nga më të thjeshtat deri te më të çuditshmet. Ideja për të koleksionuar çdo tip të mundshëm rekordi u dha nga Hugh Beaver. Ai ishte i pari që dha mendimin se duhet të krijohej një libër ku gjithkush mund të shuante kuriozitetet e tij për sa i përket rekordeve. Kështu iu drejtua binjakëve Ros dhe Norris McWhirter, specialistë rekordesh në atletikë dhe ua besoi atyre dizajnimin e edicionit të parë të librit të rekordeve "Guinness". Libri doli më 27 gusht të vitit 1955 dhe suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Edhe sot pas vdekjes së McWhirter, teksti i librit është subjekt i "Copyright" më të shitur në botë (i treti pas Biblës dhe Kuranit), dhe ka shitur më shumë se 100 milionë kopje në 100 vende të ndryshme. Ai është përkthyer në 37 gjuhë të ndryshme. Ky libër ka një reputacion të jashtëzakonshëm në botë për sa u përket rekordeve që njerëzit vendosin. Në edicionin e vitit 2007 u thyen dy nga rekordet më të famshme "Guinness": njeriu i gjallë më i gjatë në botë (Bao Xishun, 2,36 m, që u kalua më 2008-n nga Leonid Stadnik, 2,57 m) dhe njeriu me më shumë tatuazhe në botë,

Lucky Diamond Rich. Libri është lidhur ngushtë edhe me botën e televizionit: në plot 35 vende janë krijuar programe të frymëzuara nga kjo. Emri "Guinness" derivon nga birraritë me të njëjtin emër të Hugh Beaver, megjithatë prej shumë vitesh libri dhe industria nuk janë më të lidhura me njëri-tjetrin. Botuesit e rinj të librit kanë vendosur të mbajnë emrin për të mbajtur lidhjet me të shkuarën, ndërsa birraritë nuk kanë protestuar, sepse kanë parë si një mënyrë të mirë për të bërë publicitet pa qenë sponsor të librit. Ndërkaq, nga viti 1955 kur u botua edicioni i parë i librit disa rekorde nuk kanë ndryshuar ende. Mes tyre eklipsi më i gjatë i diellit, diga prej çimentoje më e madhe, disku më i shitur i të gjitha kohërave, ndërtesa më e madhe për zyra dhe stadiumi më i madh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›