E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sikur të vdekurit të dëgjonin" premierë dje në Tiranë

Personazhe në tension, konflikte të ashpra, jetë e vështirë në emigracion. Në këtë kornizë vërtiten një mori ngjarjesh të dramës "Sikur të vdekurit të dëgjonin" ( If only the dead could listen) të akademikut dhe profesorit shqiptar, Gëzim Alpion, premiera e së cilës u shfaq dje paradite në Tiranë. Në qendër të dramës, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Londër në vitin 2001, janë Leka, një azilant politik nga Kosova, dhe Alma, një studiuese nga Tirana. "Kam trajtuar temën e tragjedisë së kombit tonë, pjesë e pandarë e tragjedisë njerëzore që kalon kufijtë tokësorë, etnikë, fetarë dhe kohorë", tha Alpion pas shfaqjes së dramës, ku zhvilloi dhe bisedën me temë "Identiteti Kombëtar Shqiptar". "Qëllimi im nuk ka qenë thjesht të shkruaj një dramë shqiptare, por të përdor karakteristika shqiptare për të trajtuar një dramë me temë mbarënjerëzore", vijoi më tej ai. Leka është një personazh tragjiko-komik, një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar dhe anglez, një zotërues i mirë i gjuhës angleze, por fatkeqësisht edhe me një forcë vetëshkatërruese, një viktimë po edhe një shkelës ligji, ndërsa Alma është një personazh kompleks, ambicioz, por edhe inferiore ndaj anglezëve. "Sikur të vdekurit të dëgjonin" është një ripunim i dramës "Tollonat" ("Vouchers"), që u botua në Angli në vitin 2001. Për herë të parë "Tollonat" u vu në skenë me regji të dramaturges serbe, Duska Radosavljevic, në Festivalin e Teatrit Bashkëkohor Europian në Huddersfield të Anglisë, më mars 2002. Ndërsa në vitin 2008, drama "Sikur të vdekurit të dëgjonin" u vu në skenë nga regjisori Markus Fernando. Drama "Sikur të vdekurit të dëgjonin", e sponsorizuar nga Këshilli i Arteve të Anglisë pati premierën në Angli në shkurt 2008 nga trupa teatrale "Dreamscape" në Teatrin MAC në Birmingham.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›