BERLIN – Von der Leyen: Evropa të përfitojë sa më shumë nga dixhitalizimi

BERLIN, 27 maj /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i bëri thirrje sot Evropës që të shfrytëzojë sa më shumë dixhitalizimin.
Gjatë një vizite në Institutin Hasso Plattner (HPI) në qytetin Potsdam në dalje të Berlinit, von der Leyen tha se Bashkimi Evropian po punon për të ofruar legjislacionin për dixhitalizimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale (IA).
Sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale të vitit 2022, platformat e mëdha në internet janë përgjegjëse për përmbajtjen që shpërndajnë në BE.
“Ligji u mundëson bizneseve të vogla të konkurrojnë kundër rivalëve të tyre më të mëdhenj, si dhe inkurajon inovacionin për të përfituar nga mundësitë që dalin nga dixhitalizimi dhe, mbi të gjitha, përdorimi i inteligjencës artificiale”, tha Von der Leyen.
Studiuesit në HPI-së po punojnë për rritjen e efikasitetit energjetik të qendrave të të dhënave dhe objekteve të tjera, të cilat Von der Leyen e quajti një temë të madhe për të ardhmen.
“Evropa do të kërkojë sasi masive të energjisë së rinovueshme për të mbështetur tranzicionin e energjisë së gjelbër”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
“Sa më me efikasitet ta përdorim atë, aq më mirë do të jetë për mjedisin tonë dhe aq më mirë do të jetë për Evropën si një vend biznesi”, shtoi ajo.
“Dixhitalizimi ofron “mundësi të mëdha” për të mësuar në sektorë të tillë si kujdesi shëndetësor. Të dhënat mund të përdoren në mënyrë efektive për të kuruar dhe parandaluar sëmundjet”, tha ajo.
Von der Leyen shpreson të kthehet në rolin e presidentes së Komisionit Evropian pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, të cilat do të organizohen në të gjithë BE-në më 6-9 qershor.//a.i./