E Enjte, 5 Nëntor 2026

TEL AVIV – Ushtria izraelite: Shkëmbim zjarri në pikën kufitare me Egjiptin

TEL AVIV, 27 maj /ATSH-DPA/- Një shkëmbim zjarri ka ndodhur në pikën kufitare të Rafahut me Egjiptin, njoftoi sot ushtria izraelite.

Ushtria izraelite tha se incidenti është duke u hetuar dhe se po zhvillohen bisedime me Egjiptin.

Sipas mediave izraelite, në këtë incident u vra një ushtar egjiptian. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Egjipti.

Sfondi i ngjarjes fillimisht ishte i paqartë. Kjo do të ishte vdekja e parë e një ushtari në anën e kufirit egjiptian që nga fillimi i luftës së Gazës tetorin e kaluar.

Situata në pikën kufitare të Rafahut është bërë gjithnjë e më e tensionuar. Trupat izraelite kohët e fundit morën kontrollin e pikës së kalimit në anën palestineze, si dhe të një brezi kufitar midis Egjiptit dhe Gazës.

Në fillim të luftës në Gazë më 7 tetor, Izraeli tha se kishte qëlluar aksidentalisht në një postë ushtarake egjiptiane pranë pikës kufitare Kerem Shalom. Sipas ushtrisë egjiptiane, disa roje kufitare egjiptiane u plagosën lehtë.

Ushtria izraelite kërkoi falje për incidentin në atë kohë.

Para fillimit të luftës, pati edhe disa sulme vdekjeprurëse nga grupet militante në kufirin mes dy vendeve.

Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1979 pas disa konfliktesh. Megjithatë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë vënë në provë që nga shpërthimi i luftës aktuale të Gazës.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›